Arritje të drejtësisë e ka cilësuar të martën regjisorja e filmit “Kthimi”, Blerta Zeqiri, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që e ka refuzuar si të pabazë kërkesë padinë që “Nine Eleven” kishte ngritur kundër saj.
Historia e këtij rasti zë fill shtatë vjet më parë, kur organizata joqeveritare “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci, kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, që e paditura Zeqiri të obligohej që ta njihte të drejtën e tyre të autorësisë dhe që e njëjta të paguante shpërblimet prej çmimeve të fituara nëpër festivale, si dhe t’i kthente çmimet, raporton “Express” i KTV-së.
Në anën tjetër, përpara se të përfundonte te gjykatat, kjo “luftë” si fillim ishte provuar që të përfundonte mes dy palëve.
Por, për palën tjetër, kjo histori ende nuk ka përfunduar. Producenti Blerim Gjoci, për grupin “Koha” ka deklaruar se nuk pajtohet me aktgjykimin dhe se gjykatësja ose ka qenë e njëanshme ose nuk e kupton fare se çka është filmi, pronësia apo autorësia.
“Dhe, kjo nuk më çuditë sepse edhe gjykatësit vijnë nga mesi jonë, disa më mirë të informuar e disa shumë pak. Kur jepet shpërblimi për regjinë më të mirë, nuk kontestohet i jepet regjisores/it! Kur jepet për montazhin me të mirë, pa kontest i jepet montazheres/it! Kur jepet për filmin më të mirë, pa kontest i jepet producentes/it dhe këto nuk ndryshojnë askund në botë përveç në Kosovë. Dhe Festivali ‘Nine Eleven’ nuk ka pasur asnjë problem tjetër me asnjë autor, sepse të gjithë krijuesit e filmit mbi të gjitha kanë qenë mirënjohës që një festival ua ka financuar aventurën për të krijuar film, por edhe e dinë këtë gjë dhe s’ka nevojë t’ua shpjegojë askush, e në rast që dikush s’ka dëgjuar kurrë se si ndahet autorësia nga pronësia, atyre u shpjegohet me kontratën që kanë nënshkruar. Në rastin tonë, këto parime që përmendem më lartë janë shkelur, andaj është për t’u çuditur si ndahet drejtësia në Kosovë.”, ka bërë të ditur Blerim Gjoci i cili ka vite të karrierën e tij po e vazhdon në SHBA.
Të gabuar e quan këtë reagim të producentit Gjoci, regjisorja e filmit “Kthimi”, Blerta Zeqiri.
Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 25 tetor të këtij viti, nga kontrata e gushtit të vitit 2011 midis Zeqirajt dhe “Nine Eleven”, në nenin 6, është potencuar se regjisori ka të drejtën në shpërblimin e filmit si regjia më e mirë dhe shpërblimet e tjera që qartazi implikojnë punën apo emrin e regjisorit.
“Kjo është në harmoni të plotë me nenin 126 të Ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të përafërta, pasi që regjisori është krijues i veprës artistike dhe autorësinë e vet e mbart tek producenti si punëdhënës për krijimin e veprës artistike, po ashtu të drejtat e punëdhënësit për krijimin e një vepre në rastin konkret producentit janë të specifikuara në nenin 142 të Ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtat tjera të përafërta, kështu në bazë të drejtave të përshkruara në nenin 142 të të njëjtit ligj nuk rrjedh se shpërblimet lidhur me krijimin e veprës artistike i takojnë punëdhënësit – producentit”, është shkruar aty.
Filmi “Kthimi” i regjisores kosovare Blerta Zeqiri, i prodhuar nga “Prishtina Film” është një histori e pasluftës dhe flet për një burrë, i cili i kthehet gruas dhe djalit të tij nga një burg i Serbisë.
Në vitin 2012, “Kthimi” mori pjesë në “Sundance”, festivalin më të madh të filmit të pavarur në SHBA, kështu duke u shpërblyer me çmimin Jury Prize in Short Film, International Fiction.