Jam martuar me një burrë që di vetëm të qërojë avokado. Së shpejti keni për ta marrë vesh se martesa ime ka dështuar. Isha nëntëmbëdhjetë vjeçe kur e njoha tim shoq. Ama, atëherë isha e bindur se dita më e bukur në jetën e një vajze ishte dasma e saj dhe, si budallaçkë, emocionohesha apo, si i thonë ndryshe, goja më lëshonte lëng, sa herë që shikoja ndonjë nuse. Kurse tani që jam dyzet e tre vjeçe dua të divorcohem, por kam frikë të jetoj vetëm.
Nga Rosa Montero
Ai është njeri shumë i mirë. Domethënë, nuk më godet, nuk harxhon para duke luajtur kumar e as macet e rrugëve nuk i qëllon me gurë. Veç kësaj, është një lloj egoisti i padurueshëm. Vjen nga zyra dhe shtrihet në divan përpara televizorit. Edhe unë vij nga zyra ime, nja dy orë më vonë, e ngarkuar si një mushkë me ushqime e gjëra. Eja më ndihmo pak, i them. Ja, erdha, më thotë. Asnjëherë nuk thotë jo. Ama, unë mbaroj së mbarturi gjithë qeskat e pakot, ndërsa ai as që e ka lëvizur fare bythën nga vendi. Turrem në sallon, i bërtas duke tundur e përplasur duart, derisa lëndoj një thua. Por, ai as qerpikun nuk lëviz. Atëherë, lëshohem mbi një karrige, aty në kuzhinë, dhe ia plas të qarit. Pas një çasti, duket ai, zbathur, vetëm me çorape. “Çfarë ka për darkë?”, pyet me zërin e tij të pafajshëm. Mbushem frymë dhe bëhem gati t’i vërsulem me fjalë të hidhura, por ai më bllokon me një aftësi të lindur e të praktikuar prej vitesh: “E di ç’ke? Tani do të të përgatis një sallat që të lëpish thonjtë”, gati bërtet, me një fytyrë prej dinaku. Është ajo sallata me avokado, me arrë dhe mollë, që aq shumë i pëlqen. Ngaqë jam idiote, unë zbutem menjëherë dhe, duke u zbrazur nëpër dhëmbë, e ndihmoj për të nxjerrë pjatat, thikat, frutat dhe i lidh përparësen pas kurrizit, ndërkohë që ai, në mënyrë pompoze, i mban krahët të shtrirë përpara, sikur të qenkësh një kirurg, gati për t’i hyrë një operacioni mjeshtëror, të një zemre të sëmurë.
Atëherë, ai fillon të qërojë avokadot, ndërsa unë, sa për ta ndihmuar pak, laj dhe grij sallatën, grij qepën, qëroj dhe copëtoj arrat, pres dy mollë në kubikë të vegjël. E shikoj burrin me bisht të syrit: ai vazhdon të qërojë avokadon. Pastaj unë marr patatet, i qëroj e i pres në feta të holla, siç i pëlqejnë atij, dhe i laj; marr tiganin, i hedh vaj, ndez sobën, fërgoj në fillim patatet, duke u dhënë një ngjyrë të bukur floriri, pastaj fërgoj edhe dy vezë. Ndërkohë, vaji që kërcet e brambullin hedh stërkita përpjetë dhe, ngaqë nuk kam përparëse, më njollos gjoksin e bluzës. Shikoj nga ai: i qetë, vazhdon të merret me avokadon e tij. Aq më nge, aq ngadalë dhe aq i paaftë, sa do të thoshe se nuk është duke prerë një frutë, por duke bërë një autopsi të vërtetë prej pedanti. “Nuk shërben për asgjë”, hungëroj unë. Ndërsa ai më shikon me fytyrën e një dinjiteti të ofenduar. “Të paktën, mos më shiko ashtu!”, këlthas e acaruar. Ai vrenjt vetullat dhe heq përparësen me gjakftohtësi. Pastaj ikën, shkon në sallon e shtrihet mbi divan, përballë televizorit, ndërkohë që lëpin atë gjënë e gjelbër e të ndyrë që i ka mbetur në gishta. Unë e di se pas pak do të shtroj tryezën, si çdo natë, dhe ai do të vijë të ulet e do të darkojmë pa thënë asgjë.
Dhe më e tmerrshmja është se në dështimin tonë si çift, pothuaj, nuk ka fare kushedi ç’grindje të mëdha, veç atyre konflikteve të shurdhëta shtëpiake. Nuk është puna se u jap kushedi ç’rëndësi punëve të shtëpisë. Dhe aq qejf nuk i kam, por i bëj se duhen bërë. Ajo që ma shajton jetën është prania e tij. Për shembull, mua më pëlqen të gatuaj për vajzën time edhe pse, për fat të keq, ajo vjen shumë rrallë të na shikojë; ama, kur i shërbej atij, jam gati të pëlcas. Ndoshta ngaqë e urrej. Ka çaste që nuk e duroj dot as nga mënyra si e hap gazetën: para se ta shfletojë, shtrin krahët dhe e tund gazetën para vetes, sikur të shkundte një copë pëlhurë. Ka shumë vite që pothuaj nuk flasim, veçse kur përplasemi.
Por, nuk ka qenë kështu gjithnjë. Në fillim ishte krejt ndryshe. Ai çdo natë studionte vizatim teknik, sepse ëndërronte të bëhej arkitekt. Donte të ishte dikush. Për më tepër, edhe unë besoja se ai ishte vërtet dikush. Ama, kurrë nuk e mori guximin ta lërë punën e ndërmjetësit. Nuk e di kur e humba besimin, por di se ka kohë që kam mbetur e zhgënjyer prej tij. Nuk ishte as më i zgjuar, as më punëtor e as më i zoti se unë. As më i fortë nuk ishte, e kam fjalën për forcën e brendshme; për shembull, kurrë nuk m’u gjend pranë, kur besonim se vajza kishte meningjit. Dhe unë, për të qenë e dashuruar, kam pas nevojë të admiroja diçka tek im shoq. Sa herë i kam thënë: më ke zhgënjyer. Ndërsa ai hesht dhe shtrin para vetes atë gazetën e tij të mallkuar.
Është e qartë që edhe unë mbase kam ndryshuar. Më përpara, jeta më dukej një vend plot aventura dhe natën, para se të më zinte gjumi, ëndërroja plot imazhe lumturie: ne të dy me vogëlushen tonë, të dëshiruar për gjithçka; ai duke punuar në një studio arkitekti, me lakmi për më tej; ne të dy duke udhëtuar me avion në vende të ndryshme të botës, lakmitarë për gjithçka. Ishin pamje të qeta, si ato të albumeve në litografi, të fëmijërisë sime. Pastaj pushova së menduari gjëra të tilla, ngaqë përherë vija aq e lodhur sa që, me t’u shtrirë, më mbërthente gjumi. Dhe kështu, më iku rinia. Dhe vjen një ditë kur njeriu pyet veten: me kaq pak gjëra u përbëka kjo e uruar jetë?!
Ia kam punuar në dy raste. Me dy shokë të zyrës. Veç, qe një plagomë për mua. Unë kërkoja dashurinë tek ata dhe zbulova se ata vetëm kërkonin trupin tim. Të dy ishin të martuar. Sa mjerane u ndjeva! Me të gjithë, me këto gjëra dhe plot të tjera, më është helmuar shpirti. Kur isha e re, isha aq e gëzuar. Ai përherë më thoshte: më pëlqen gjallëria jote. Kur ishim të dashuruar më quante: Kanarina ime. Kur e mendoj tani këtë, them: mbase edhe ai është zhgënjyer, ngaqë tani nuk bëj gjë tjetër veç acarohem, hungëroj dhe tërë kohën rri turivarur.
Megjithatë, nganjëherë më del gjumi që menatë, pa ditur se ku ndodhem. Më rrethon terri, më vjen mendja vërdallë, ndihem e vetmuar dhe e pambrojtur, në pafundësinë e një bote armiqësore. Atëherë, dora ime prek një shpinë të butë e të ngrohtë. Dhe zhurma e lehtë e një frymëmarrjeje shumë të njohur vjen në veshin tim si një balsam. Është ai, duke fjetur pranë meje; e njoh aromën e tij, të prekurin e tij, vakësinë e tij. Pak nga pak, errësira pushon së qeni errësirë dhe dhoma nis e zbulohet tej e këtej meje: ja komodina, ora e zgjimit, muri përballë, bluza e njollosur me vaj që e hoqa në darkë dhe e hodha mbi karrige. E përditshmja triumfon përsëri mbi zbrazësinë. Me krahun tim i harkoj shpatullat tim shoqi dhe, gjysmë e përgjumur, kundroj se si agu hedh një fashë drite mbi çatitë e shtëpive fqinje.
Dhe atëherë, vetëm atëherë, them: ky është burri im.
Përktheu nga spanjishtja: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
BAJRAM KARABOLLI: KAM JETUAR ME HERONJTË E LIBRAVE, JO TË PUNËS SOCIALISTE