Komuniteti shqiptar në Austri brenda pak javësh ka grumbulluar mbi 400 fustane e funde gjithfarësh për instalacionin artistik “Mendoj për ty” të artistes Alketa Mripa-Xhafa. Tre vjet pas realizimit në stadiumin e Prishtinës dhe disa versioneve më të vogla të mbajtura në Bruksel (2017) dhe sivjet edhe në Luksemburg, instalacioni do të shpaloset sot (e shtunë) në mjediset “Hotel Europahaus” në Vjenë.
Kjo ngjarje është vetëm një nga aktivitetet e shumta në kuadër të shënimit “Javët e Kulturës Shqiptare” (Albanische Kulturwochen) në Austri, që ka nisur prej datës 20 të muajit të kaluar.
Në agjendën e programit për muajin nëntor janë promovime librash, ekspozita, si dhe një festë për Pavarësinë e Shqipërisë nga shoqata “Iliria”.
Kështu, të enjten mbrëma në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në kryeqytetin austriak, është bërë promovimi i librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999” të autorëve Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana.
Ky libër, që është promovuar ditë më parë edhe në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, kronikon në mënyrë dokumentare historinë e 1 400 fëmijëve martirë të vrarë nga ushtria dhe policia serbe në luftën e fundit në Kosovë. Ndërkaq të mërkurën e javës së ardhshme, më 27 nëntor, do të promovohet në ndërtesën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë edhe libri i Eqrem Zenelajt “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjisë”.
Artistja Alketa Xhafa-Mripa ka thënë se instalacioni “Mendoj për ty” synon që të tregojë para botës të vërtetën për luftën e fundit në Kosovë dhe vuajtjet e popullit shqiptar.
“Qëllimi im kryesor ka qenë gjithmonë që pas Kosovës këtë instalacion ta shfaq nëpër vende të ndryshme të botës, në mënyrë që të tregohet e vërteta e hidhur për popullin shqiptar, dhe në veçanti për gratë dhe motrat tona në luftë për të cilat edhe sot, pas njëzet vjetësh, nuk është vënë në vend drejtësia”, ka thënë Xhafa-Mripa, të premten, një ditë para se instalacioni i saj të shpaloset në Vjenë.
Teksa instalacioni ka marrë ftesa që të paraqitet edhe në vende të tjera të botës gjatë vitit të ardhshëm, artistja që jeton në Londër ka thënë se ekspozimi i veprës në fjalë synon të vërë theksin te drejtësia e vonuar. E mesazhi i instalacionit, sipas saj, përforcohet edhe nga dokumentari i punuar nga Fitim Shala./koha