Veprimtaria atdhetare e njërit nga personalitetet më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare në Kosovë, në periudhën e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, Hasan Jakup Ferrit, i ofrohet historiografisë shqiptare në formën e një monografie të plotë, nga pena e prof. dr. Ramiz Abdylit, studiues i cili gjithë jetën e tij ua ka kushtuar hulumtimit, studimit dhe nxjerrjes në dritë të ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, shkruan sot Koha Ditore.
Monografia “Hasan Jakup Ferri-një jetë për atdhe”, është e një rëndësie të veçantë, sidomos për faktin se autori i saj jep një pasqyrë të plotë të gjithë veprimtarisë së këtij luftëtari, i cili që nga mosha 17-vjeçare u vu në mbrojtje të tokave shqiptare.
Autori ka arritur me mjeshtri (ashtu siç di vetëm ai) të pasqyrojë gjithë veprimtarinë dhe kontributin e çmueshëm të këtij personaliteti të Malësisë, i cili u shqua si luftëtar, organizator dhe udhëheqës i luftës në mbrojtje të krahinave shqiptare të pushtuara nga Mali i Zi.
Ky studim monografik gjithëpërfshirës është rezultat i një pune të gjatë kërkimore e shkencore të autorit. Profesor Ramizi niset nga studimet paraprake në të cilat pasqyrohen pjesë nga veprimtaria e Hasan Ferrit, në disa prej të cilave veprimtaria e tij shtrembërohet qëllimisht. Prandaj, autori u qaset atyre në mënyrë shkencore e kritike. Hulumtimin e tij, prof. dr. Ramiz Abdyli e thellon, e pasuron dhe e ndërton, duke u mbështetur në burime të shumta, sidomos arkivore, dokumente të botuara, si dhe literaturë shumë të pasur./Fehari Ramadani