“Cirku fluturues”, filmi i parë i gjatë i regjisorit Fatos Berisha, është dhënë premierë botërore në festivalin e kategorisë A. Të mërkurën mbrëma është shfaqur para publikut të festivalit “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni.
Sipas ekipit që ishte i pranishëm në premierë, “Criku…” është mirëpritur nga publiku. Është në konkurrencën kryesore të festivalit i cili sivjet shënon edicionin e 23-të dhe ka nisur më 15 nëntor e do të përfundojë të shtunën mbrëma, me ndarjen e çmimeve. Filmi për të cilin Berisha ka shkruar edhe skenarin, përshkruhet si komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë që ndodh në fund të ’90 në Kosovë, në prag të luftës, shkruan sot Koha Ditore.
“’Dodona’, teatri i vogël i Prishtinës, mbyllet si institucioni i fundit publik. Katër personazhet kryesore, aktorët e rinj, Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka, shikojnë posterin e shfaqjes së tyre duke u hequr. Është komedia surrealiste e quajtur ‘Cirku fluturues’, e frymëzuar nga seritë legjendare britanike ‘Monty Python’s Flying Circus’, por ‘diçka krejtësisht ndryshe’ do të ndodhë. Ata marrin një ftesë për të performuar në Festivalin e Teatrit në Shqipëri, por nuk kanë pasaporta”, është përshkrimi i filmit, producente e të cilit është Vjosa Berisha.
Aty tregohet se katër aktorët vendosin ta marrin këtë rrugë, edhe pse mënyra e vetme është duke kaluar ilegalisht kufijtë e Malit te Zi dhe të Shqipërisë.
Pos regjisorit Fatos Berisha e producentes Vjosa Berisha, në premierë ishin të pranishëm edhe aktorët Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, Maylinda Kasumovic dhe Vedat Bajrami.
Nëpërmjet një komunikate për media të lëshuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës është bërë e ditur se regjisori Berisha në fjalimin e tij para shfaqjes ka shprehur pikëllimin për tragjedinë që po përjeton populli shqiptar këto ditë shkaku i tërmeteve që janë shënuar në Shqipëri e ku ka pasur edhe viktima. Sipas komunikatës, Berisha i ka kërkuar publikut t’i nderojë ata që kanë humbur jetën.
“Është një moment i veçantë në karrierën time. Jam i lumtur që filmi im i parë është në këtë festival. Faleminderit që na keni ftuar këtu. Kjo shfaqje është premierë edhe për aktorët e filmit të cilët do ta shohin filmit këtu bashkë me ju për herën e parë“ , citohet të ketë thënë Berisha.
“Cirku…”, sot (e premte) do të ketë edhe dy shfaqje në kuadër të Festivalit. Të enjten, një ditë pas premierës, aktori Shpëtim Selmani ka folur për pritjen që i është bërë “Cirkut…” në të cilin luan rolin e Fatmirin.
“Filmi është pritur mirë. Mezi pres që ta kemi edhe në Prishtinë. Për mua dhe për aktorët ishte hera e parë që e kemi parë filmin. Fakti që jemi në konkurrencë nuk i përjashton pritshmëritë tona, tash presim dhe shohim vendimet, natyrisht do të ishte shumë bukur”, ka thënë ai.
Aktori Armend Smajli, i cili portretizon Kushtrimin, ka thënë se do të jetë emocionuese që filmin ta sjellin edhe në Prishtinë. E kjo, sipas tij, pritet të ndodhë në shkurt të vitit të ardhshëm./ koha