‘Tërmet tjetër nuk ndodhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës’, gjendja fatkeqe e vendit në tregimin e Petro Markos

Pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, shumë njerëz humbën të afërmit e shumë të tjerë mbetën pa shtëpi.

E njëjta gjë ndodh në çdo vend e në çdo kohë pas një tragjedie, njerëz pa shtëpi, të tjerë që vajtojnë e kërkojnë që të kenë ushqim apo një vend ku të fusin kokën.

Këtë situatë fatkeqe që po kalon Shqipëria e ka trajtuar në mënyrë të rrallë shkrimtari i njohur Petro Marko, në librin e tij “Intervistë me vetveten”.

Libri autobiografik është botuar në vitin 2000, 10 vite pas vdekjes së Petro Markos.

Shkrimtari shqiptar përfshin një jetë plot dhimbje e vuajtje, internime dhe sfida të ndryshme të një poeti, gazetari, por edhe të një heroi vigjilent i cili kundërshtoi padrejtësitë që i bëheshin shoqërisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi. 

Pjesë nga tregimi:

“Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.

U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!

Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…

Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:

 Gjunjëzohuni!

Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.

– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!

Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.”