Romani “Dueli” i Agron Tufës, i vlerësuar nga Kadareja si “ndër më të mirët e shkruar gjatë viteve të fundit të postkomunizmit”, është rrëfim tronditës mbi dhunuesin, viktimën dhe dalzotësin. Është rrëfim bindës, plot me diamante mademesh të pashtershme gjuhësore, ku zbresin vetëm kërkimtarët e fjalëve që nuk mund të rrojnë pa reflektimin e magjisë hyjnore.
Nga Salajdin Salihu
Historia private e trajtuar në roman që, sikurse thuhet, nuk dallon nga historia publike, është me sa vijon: protagonistja dhunohet nga një gërdallë, por në vend se ta urrejë ajo më pas e adhuron dhunuesin e saj. Dalzotësi i viktimës, pra i saj, më pas bëhet dhunues. Viktima ndjen kënaqësi kur e bën sërish me dhunuesin, i cili dikur kishte shfryrë mbi të epshet e autoritetit, madje në prani të të tjerëve. Pas një kohe e dhunuara nuk e urren dhe as nuk e mallkon dhunuesin, sepse nuk sheh dallim ndërmjet dhunuesit të vërtetë dhe dhunuesve potencial. Dalzotësi i viktimës, në fakt i dashuruari pas saj, nuk është veçse dhunuesi që pret rastin të bëhet i tillë.
“Dueli” është rrëfim mbi të dhunuarin që klith së brendshmi: Rrofshin dhunuesit! Është rrëfimi mbi mungesën e kufirit (ose për praninë e një kufiri të shpifur) ndërmjet dhunuesit dhe dhunuesit potencial. Është rrëfim për një shoqëri ku shumëkush është në shërbim të atyre që dhunojnë; Është rrëfim mbi prirjen për të dhunuar dhe prirjen për t’u nënshtruar; Është rrëfim për prirjen sadiste dhe mazohiste brenda qenies njerëzore.
Agron Tufa, sikurse thotë Artan Fuga, nëpërmjet këtij romani “na paraqet estetikisht një spektër shumë të gjerë dhe të ndërlikuar marrëdhëniesh midis dhunuesit, viktimës dhe mbrojtësit të saj, që i ka munguar mizorisht jo vetëm letërsisë shqiptare, por dhe kujtesës sonë kolektive që ka qenë shpesh e ideologjizuar”.
Mjerisht duke e heshtur këtë fenomen, gjegjësisht adhurimin e dhunuesit, na vijnë diktatorët. Diktatorët nuk vijnë vetë. Ata i gjejmë në mesin tonë. I formësojnë me heshtjen tonë, me frikën tonë, me qyqarinë tonë, me adhurimin tonë, me verbësinë tonë. E krijojmë diktatorin brenda ose jashtë shtëpisë…
E sipërthëna, mbase është pasojë e leximit të keq që mund t’i kem bërë romanit të Tufës; këtij romani që ka shtresën aktuale, të cilës iu referuam për të shprehur mendimin mbi një dukuri shqetësuese në shoqërinë tonë dhe e ka shtresën universale, e cila do ta joshte jo vetëm lexuesin shqiptar, por edhe lexuesin e huaj; jo vetëm lexuesin e kohës, por edhe lexuesin e së nesërmes…
Kështu është fati i romaneve të mirë: secili mund t’i lexojë në mënyrën e vet. Janë si mademet. Disa zbresin më poshtë, të tjerët gërmojnë në sipërfaqe.
Ky shkrim është gërvishtje e lehtë në sipërfaqe dhe jo depërtim i thellë në shtresat e shumta kuptimore të romanit, që na josh për të shkuar më thellë. Prandaj para se të lexohen shkrimet për këtë roman, duhet që të lexohet romani. Shkrimet mbi një vepër letrare mund ta rrezikojnë letërsinë, për çka na flet Cvetan Todorovi. Leximi i një romani na mundëson ta dëgjojmë urtësinë mbipersonale të veprës, për çka na flet Milan Kundera.
Për t’u thelluar më shumë mbi raportet dhunues, i (e) dhunuar, dalzotës, duhet lexuar me patjetër romani “Dueli”, që është si pasqyra shekspiriane ku e shohim të zitë e zemrës sonë…
ObserverKult
Kliko edhe:
REKOMANDIME LEXIMI NGA SALAJDIN SALIHU
Lexo edhe:
SALAJDIN SALIHU: EDHE DASHURITË ARRATISEN
Edhe dashuritë arratisen lodhen si njerëzit
Kanë nevojë të shëtisin
Kanë nevojë për ajër të pastër
Në tjera kështjella ndjenjash të strehohen
Dashuritë janë si njerëzit, e dashur
Tradhëtojnë vetveten
Dhe kthehen aty ku kanë lindur
Si gjithësia
Te një çast i vetëm