Çmimet Kombëtare të Letërsisë Shqipe, që çdo vit akordohen nga Ministria e Kulturës do të gjykohen këtë vit nga emra të njohur në fushën e letërsisë. Mësohet se juria e këtij edicioni përbëhet nga Brikena Çabej, Alda Bardhyli, Dhurata Shehri, Visar Zhiti dhe Riza Braholli.
Kryetare e Jurisë së këtij edicioni është Alda Bardhyli.
Nëse ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vendosi në vitin 2013 të minimizonte çmimet letrare në vetëm dy, atë të veprës më të mirë letrare dhe përkthimit më të mirë letrar, ministrja e re Elva Margariti ka një vizion tjetër për librin, duke rikthyer çmimet e munguara prej vitesh në kategori të ndryshme: çmimi më i mirë për veprën poetike, prozën e shkurtër, romanin, kritikën letrare, shkrimtarin për fëmijë, përkthimin nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe.
Tashmë gjithë veprat e botuara gjatë vitit 2018 në kategori të ndryshme do të kenë mundësi të jenë pjesë e një gare, që do të shpallë në fillim të muajit dhjetor më të mirën.
Moria e çmimeve ka bërë që autorët të presin më me vëmendje këtë ceremoni, e cila kurorëzon historinë tonë letrare të një viti.
Po cilët janë anëtarët e jurisë?
Brikena Çabej është botuese e njohur dhe shqipëruese e autorëve të rëndësishëm në gjuhën shqipe. Ajo njihet dhe si vajza e gjuhëtarit Eqrem Çabej.
Dhurata Shehri është studiuese dhe profesorë e njohur e letërsisë pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Histori Filologjisë.
Alda Bardhyli është një emër i njohur në fushën e botimeve dhe kritikës letrare, lektore si autore e disa librave.
Visar Zhiti është poet e shkrimtar i vlerësuar me çmime si brenda dhe jashtë vendit.
Riza Braholli është i njohur si poet.