Jeta tjetër e “Çiros së pavdekshëm”, anti-heroi i “Gomorrës” që ka pushtuar kinematë

“Ciro L’mmortale” ka një jetë tjetër: në sallat e kinemasë. Filmi që flet për anti-heroin e “Gomorra” me regji dhe luajtur nga Marco D’amore ka grumbulluar 2 milion e 816 mijë euro në katër ditët e para.
Debutimi më i mirë për një film me temë krimin, i dyti vetëm pas komedisë “Dita më e bukur në botë” nga Alessandro Siani (2 milion e 900 mijë). Ia ka dalë mbanë operacioni i guximshëm për të rrëfyer personazhin që doli nga skena në sezonin e tretë, rrëfimet e të cilit në ekranin e madh do të ndryshojnë fatin e sezonit të pestë, i cili do të shfaqet në Sky në 2021. “Ai shkon shumë përtej parashikimeve – thotë D’amore – jo vetëm ekonomike”.

Keni thënë se “I pavdekshmi” është një akt dashurie ndaj kinemasë.

“Unë jam rritur dhe edukuar për të ndjekur sallat e kinemasë. Doja të ndërtoja një ngjarje që do të joshte ata që rrinë të qetë në dhomën e ndenjes, përpara TV. Para dy vjetësh e bëra në teatër. Më thanë “fëmijët vijnë për të parë Ciron”, unë u përgjigja “atëherë ndoshta ata do të kthehen, pavarësisht nga unë”. Mendova për një film që mund të mbërrinte edhe tek ata që ishin jashtë komunitetit të Gomorras, por nuk kisha siguri”.

Mes publikut, a ka edhe nga ata që nuk e kanë parë serinë?

“Shumë kanë shkruar “gjithmonë e kam kundërshtuar serialin por në kinema kam ndryshuar mendim”. Ata gjetën një produkt të mirë, ne nuk jemi tallur me publikun duke u dhënë dy episode të Gomorras. Paratë janë para, mos blini bileta nëse nuk ia vlen. Ka nga ata që e kanë parë filmin tri herë”.

Në Tuiter keni shkruar: “Ndonjëherë është më mirë të mos flasësh, por ky lloj shoqërizimi ka kuptim kur ndan emocione dhe bukuri”.

“Kur flet rrezikon të keqkuptohesh. Druhesha se mos lumturia ime ngatërrohej me vanitetin. Mendoj se një komunitet virtual ka kuptim kur shkëmbehet bukuria, se për shëmti kemi boll tashmë”.

Keni shumë ndjekës në rrjetet sociale.

“E kam ndërtuar me mund: nuk shfaq aty pasurinë, familjen, udhëtimet, çfarë ha, nuk dal vetë duke u ushtruar në palestër. Flas për libra, kinema, teatër. Kush ka dëshirë të më çajë kokën nuk afrohet”.

Cila kritik ju ka lënduar?

“Po. Ka patur shumë nga ata që kanë thënë “doni të bëni para me Napolin”, apo “nuk kemi nevojë për këtë histori”. I respektoj të gjithë. Eshtë hera ime e parë, duhej të ishin treguar më të butë, por nuk ka problem. Nëse publiku e pëlqen, pjesa tjetër harrohet”.

Çfarë i ka dhënë filmi Ciros dhe ju?

“Ciros shpresoj i ka dhënë dinjitetin e të qënit human. Cilido, edhe përballë zgjedhjeve të gabuara, ka një mundësi për të ndryshuar. Ne nuk ia japim këtë mundësi Ciros dhe ai nuk na i jep ne. Por fakti që kemi rrëfyer të kaluarën e tij është një homazh për rininë e sotme, vëmendjen që duhet të kemi ndaj më të rinjve, të ofrojmë mundësi edhe në ato lagje ku të rinjtë kanë pushuar së ëndërruari dhe t’u themi që ka jetë të tjera të mundshme. Filmi ka qenë afirmimi i asaj që unë e ndjej prej kohësh: të rrëfej historitë e mia. Tanië shtë e vështirë të kthehem mbrapsht”.

Në film ka një takim me Salvatore Espositon.

“Dëgjohemi përditë, ai vuan që nuk është këtu. Në momentin kur jemi bashkë në ekran, në sallën e kinemasë shpërthen duartrokitja, nga Brescia në Gela, nga Bolzano në Salerno”.

Duhej të ishte Salvatore.

“Ishte themelore. Marrëdhënia e tyre, vëllezër dhe armiq, është themeli i të gjithë Gomorras. Nuk mund të kishte Ciro pa Gennyn”.

Kujt ia dedikoni këtë moment?

“Grave të jetës sime: nënës, motrës, gjyshes që më ka rritur, të dashurës time, nipërve. Babait dhe vëllait tim, për filmat që shihnim së bashku kur ishim fëmijë. Napolit, për të gjitha dritat dhe të gjitha hijet”. / La Repubblica – Bota.al