Buqetë poetike nga Jozef Radi: Kajherë trishtimi ka emën t’përveçëm…

Ju sjellim një cikël të zgjedhur poetik nga Jozef Radi.

Tuj shkelë gastare yjesh

Ata që dashurojnë s’pjestojnë asgja me botën,
pse ata vetë janë bota jashtë bote
ndaj tjetër s’kërkojnë veç tjetrin te vedi
e tjetër s’dhurojnë veç vedin ndër tjerë…
Ata s’kanë kohë me hupë n’data t’lumnueme kalendarësh
as n’pritë s’i rrijnë ndonji dhurate shndritse –
pse ata vetë ndjehen dhurata ma hyjnore n’pritje…

S’përfjalem me ata që recitojnë dashni n’jehonë teatri,
as për ata që e shkruejnë emnin e saj
n’gërma kapitale ende pa zbardhë drita,
hiç e hiç atyne që iu derdhet i kuqi i buzve
ndër drandofille letre
dhe shpallen fitimtarë t’nji beteje që s’mbaron kurrë…
Ata, s’janë veç pikza shiu që shpërfillin dritën
o pikla nafte që rreken m’u ba ylber n’nji liqen alpin…

Janë po njata që vezullojnë çdo Shën Valentin,
e nguten buje me e trembë Shën Shejtanin
që barkun ua ka mbushë po shpirtin sakatue…
Njashtu si dje ai amerikani i rishtë i jetës sime
që ia nisi me postë tufën e luleve njiqind dollarshe
“dashnisë” së vet, dymijë e përtej kilometra larg
po s’mujt me i grahë makinës pa e thanë edhe fjalën: Bitch!!
Oh zot, sa m’trishtuen njato lule që s’mujshin me folë…!

Dhe u kujtova se edhe unë dikur kam dashtë
kam dashtë aq shumë sa s’dija me e lexue vedin si duhet,
ndërdyshesha ndër fjalë ma të lehta se fryma
e vrapoja ndër shikime ma të shpejta se drita
me thanë diçka që kurrë s’thuhesh e plotë
me derdhë prej shpirti, çka kurrë s’i shterret shpirtit…
Dhe endesha i tani n’bukurshkrime dashnie
ndër letra që s’patën kurrë përgjigje…
Pse dashnisë s’i nevojitet nji përgjigje – veç nji gjest mjafton!
pse dashnia s’asht pos nji vetvedi n’udhëtim pa adresë të saktë
me sy të ngulun larg e pa nji kthim kurrë mbrapa…
Edhe n’se kena dhurue gjithçka – asht veç pak prej asaj çka flen ndër ne…
Ndaj sot kqyri serì n’ata që luten n’Shën Valentin
me iu dhanë nji ftyrë njiqind ftyrave t’paftyra të dashnisë së tyne…

Prandej vazhdoj me ecë majgishtash në terre nate
prandej vazhdoj me shkelë ndër gastare yj’sh e pluhun hane,
prandej vazhdoj… mos m’e kuptue kurrë n’se duhet mbrritë diku
a me ecë përjetsisht përtej çdo andrre…?
Prandej trishtohem, si mundet dashnia n’nji ditë të vetme
si mundet asaj me i mjaftue nji shenjtor mbrojtës,
kur çdo sekondë e kësaj jete dashni duhet të jetë
e çdonjeni prej nesh, ma i madhi shenjtor mbrojtës i dashnisë s’vet…

Jo, shpirti i askujt s’ka nevojë për shenjtorë dashnie,
asht vetë ajo shenjtorja që zbathun shkon mbi ujna të njelmta
…Dhe ne mbas saj, majgishtash ndër terre nate
përlotshëm shkelim gastare yj’sh dhe pluhun hane…

Me mbetë andërr…

(Dikur…
kisha lanë nji shënim delikat dhe disi ironik…

…Kohë ma vonë u riktheva te shënimi,
e gjeta njaty të paluejtun e të papëlqyem…
Edhe pse u ndjeva se kisha gabue,
s’kërkova falje…
s’kisha ndonji arsye pse!
Në t’vërtetë qe dashtë shkrue diçka tjetër,
shumë ma e thellë
shumë ma e ndjeme
ndoshta kjo poezi…)

**

Ishte nji kohë
kur Ti ishe andërr…
andërr… e trazueme
shpirtnash të ndrydhun;
e sharmi yt i dehun drite e mjalti
i bante gjethet t’fërfërinin ambël
dhe lulet t’i çilnin buzët me drojë…

Ishte nji kohë e trishtë çangash e frike
kur liria ndryhej ndër njimijë dryna
e veç andrrat me pikatore
dilshin prej sysh të lamë me dritë
e msheheshin ndër trupa të hajthëm si yti…
e n’ecjen tande si fllad
shtyheshin qiejt e lodhun përtej,
balta na bahesh Betlehem
dhe liria na shkonte përskaj si kometë…

Eh,
ishte nji kohë andrrash,
kur dukej se bota
mërmëriste veç nji emën…
Tandin!

Ka nji kohë andrrash
që s’kthen për askënd…

Ku treti ajo kohë, apo asht mshehë ndër ne?!
Po vajzën me shtat e shpirt shpenguem
a e kujton kush, a flet ndokush për të…
apo mbet veç hije andrrash e kohnash
që shkojnë… dhe asgja, asgja tjetër…!!?

O mos ndoshta e keni ndeshë
ndër kopshtie, ndër lojna fëmijësh,
tuj mbjellë buzqeshje të rishta,
o ndër libra të lexuem netve të pagjuma,
tretun ndër kujtime lulesh a lulemollësh
që ende biskojnë prej shtatit të saj?

S’di se ç’dritë ka lanë ndër ju
ajo kohë andrrash
kur terrorit i baheshim dashni…
Di, se ajo andërr shpesh netve të trazueme,
pa trokitë vjen e na futet n’gjumë…
me buzqeshjen e pavrame prej kohnave
përdore na merr… e na tret diku…
s’di ku…

O mos ndoshta jena shterrë
e askush s’ka ma kohë me ia kthye ftyrën asaj kohe
kur ajo ishte andërr,
andërr e trazueme shpirtnash të ndrydhun…
Pse t’jesh andërr asht t’jesh bukë
në ditët ma t’zeza të skamjes,
t’jesh blerim – në ditët ma bisha t’dimnit
të jesh liri – në terrin ma t’thellë të qelive…

Veçse me mbetë andërr
asht ma e randsishme se me qenë andërr…

Gjithçka tjetër e ksaj bote në ngut
kuptim tjetër s’ka…

Kajherë trishtimi ka emën t’përveçëm

Me shikimin tand
zhgarravita krejt ditët e hikuna,
krejt mbramjeve idilike
ua derdha n’ftyrë
bojën e letrave të dashnisë,
krejt fjalve ku thyhej magjia e kangës
jua humba kuptimin!

Tash m’duhet me i numrue
lindjet e diellit nga e para
m’duhen fjalë të reja
lule t’marra borxh vedit
me i rimbjellë buzëve të mia,
m’duhet me i kurdisë orët me hecë mbrapsht
stinve me ua ndrrue rrotën e ricikleve
m’duhet nji tjetër shi i ambël
ndër vjeshtat e mia të përjetshme.
M’duhet nji ecje majëgishtash
ndër zajet e lmueta të lumit tem,
m’duhen mija vogëlsi t’pakuptimta
me i dhanë kah njatij shikimi zhgarravitës
që ende end kohë t’përbashkët.
.
Ajo…

Ajo ka mbetë diku
n’nji skaj t’harruem bote
tuj qindisë lulet e dashnisë s’humbun,
e tuj arrnue andrra të hikuna
si zogj të trembun.

Dhe mbet njashtu e vogël
n’at skaj t’harruem bote
sa frikesh n’kujtime mos ta pijnë hyjtë,
dhe mbet njashtu e qelqtë, e brishtë
thue se andrrimi ta thyen ndër gishta,
Dhe asht aq e vogël e përplot me vetvedi
sa frikesh me i folë për flakën
njatij zjarri të vocërr.

Dhe asht mbetë njatje
n’at skaj t’harruem bote
ku shinat derdhen si vajtim
e dielli priton me ngrofë,
njatje, ku lumi rrjedh si tallje
e dashnia s’gjen as sqep
me e thye lvozhgën e me dalë,
njatje, ku edhe kujtimi i puthjeve
sos me stinën e borës…

Mall për diçka të vdekun

Nji puthje t’braktisun e bana kopësht
e shëtita n’qiellin e dy syve t’humbun.
Asnji fytyrë s’m’u shfaq nga çilja e gonxhes,
asnji emën s’përmendën zogjtë n’fluturim.
Bari i butë kërkonte nji kambë ta shkelte,
kantilena e mbramjes si shi i ambël u derdhte.
Krejt lodrat e hanës n’qiell i qendisa
me penelin e lodhun të trishtimeve të mia.
Akrepat e ndryshkun t’nji ore të ndalun
i mësova me hecë mbrapsht si gaforre,
veç me m’kthye te ajo mbramj’e humbun,
te ajo mbramja, ku gjethet rrzoheshin të dehuna
nën tinguj të largtë kambanash t’plagueme…

Nji puthje t’braktisun e bana pyll
dhe humba shtigjesh me gjetë emnin tand…

Në t’gjitha gjuhët e botës të paskam dashtë

Gjithçka ndjej
e vuej
n’nji gjuhë të vetmueme
të shkrueme tejet vonë,
n’nji gjuhë pa sivllazën pa simotra
n’nji gjuhë shpirtnash rrebelë
e të panënshtruem
deri n’marri…

Nji dashni e madhe
mundet me jetue n’lumni t’kthjellë
edhe n’nji gjuhë sa grima
e me u zgaqë krejt nën drit’n e saj…

Ne dolëm prej nji gjuhe t’vogël
dhe hymë të trembun
ndër gjuhtë e mëdha të k’saj bote
pa përbuzë
pa shpërfillë asgja,
Dhe fjaltë e dashnisë
na u banë ma t’ambla
edhe ndër gjuhët e gjetuna…

Në t’gjitha gjuhët e botës
të paskam dashtë,
tash m’duhet me t’përçmue n’heshtje
n’dialektin ma t’ashpër
të maleve të mia…?

Jeta ime prej hebreu

Jeta ime prej hebreu
kurrë s’ka m’u ra n’sy hebrejve
pse me të drejtë, atyne
u del e u tepron kujtesa e tyne…

Jeta ime prej hebreu
e njef si ata vuejtjen… si ata e njef vdekjen
ato tmerre prej t’cilave edhe kur je larg
s’ke me qenë kurrë aq larg…!

Jeta ime prej hebreu
i ka tana Triblinkat, Buckenvaldet, Mat’hauzenet
pse i ulërijnë n’vesh Tepelenat, Spaçet, Myzeqeja
po s’di kush dreqin ia e ka shtuposë fytin
për t’vërtetat e veta,
që në t’vërtetat e të tjerëve
bahemi aq të pavërtetë, aq të pshtirë…

Jeta ime prej hebreu
asht e rrethueme gjithkah
me monumentet e dhimbës pakufi
edhe pse shumica s’shef asgjà… askund…

Jetës sime prej hebreu
s’i ka mbetë tjetër veç me iu bà hije
vuejtjes s’atyne që e mësuen krejt botën
m’e lexue e respektue mallkimin e tyne ndër shekuj

Jeta ime prej hebreu
i ka trenat e vdekjes, kampet e tmerrit,
qiejt e mbetun ndër dhambë të hekurt telash
dhomat e gazit mos me gzue kurrë,
dhe fëmijët që shifnin n’andrra veç me bukë e shkollë
e nji atdhe t’humbun për çdo brez
e ku pështymat e përbuzjes si shi mallkimi
vazhdojnë me rà ndër gjelbërime të rreme…

Jeta ime prej hebreu
i ka me vedi tana tmerret e hebrejve
edhe pse ka qëllue e pagojë
për të vërtetën e tmerreve të veta…

Shakallarja e teposhtës

S’asht
tragjedi
me u shue
mbrenda teje
kuptimi i zjarrit
ruejtun edhe n’kohnat
ma të vshtira të ngricës,
as me i shlye çastet e ditve
dhe netve t’përpjestueme bashkë,
as krejt rrugët e shetituna të botës
që s’fundi na mbrritën te e njejta portë.
S’asht tragjedi, as me i vra fjal’t e thana,
fjal’t e pathana, fjal’t e stërthana e t’çmenduna…
tragjedi asht me fjetë ndër stola të rrugës ku je dashtë
e me andrrue diçka që as grimën e dhimbës s’e lshon n’ty…

Na jena njerëz

Na jena njerëz
për aq sa dijmë me dashtë
për aq sa ndjejmë me heshtë
e për aq sa n’heshtje lejojmë me u dashtë

Na jena njerëz
për aq sa dijmë me ndry tjerë njerëz
jo ndër burgje cmirash e urrejtjesh
po ndër lutje të përbashkta dashnie e humbje

Na jena njerëz
për aq sa dijmë me e tërhjekë derën
kadalë n’per mesnatën ma të thellë
e me ikë t’përlotun drejt nji bote të panjoftun

Na jena njerëz
për aq sa dijmë me ecë ndër gastare pa u ndje
nëpër terret që na lanë tjerët pa e dijtë
e ndër mjegullat që i kena lshue vetë

Na jena njerëz
pse dijmë gjithnji me e kthye kryet mbas
kur ndjejmë hapat e ndokujt që ngutet
e ndalemi me pritë, edhe kur s’asht askush!

Na jena njerëz
pse gjithçka të bukur, e bajmë me jetue
përtej fjalëve, përtej zhurmave, atje ku heshtjet
i kqyrin dashnitë e kryqzueme ndër shpirtna…

Ju s’kishit, Ju keni, Ju s’keni

Ju zbritët prej asgjasë
e kambkryq ratë me dyfek mbas shpine
ndër sheshe që i quejtët tuejat.
E prej asaj dite krejt ajo bot’e vogël
sillet e përsillet në t’kundërt të Botës së Madhe

Dhe morët gjithçka deshët
e tjerve s’u latë asgja, as vedin,
me forcë u batë Gjithkushi Gjithçkaja
e pamëshirë zhytët cilindo n’Askush e n’Asgja,
E megjithatë fitimtarë kurrë…

Në të kundërt të rrjedhës së botës
ju morët prangat, burgjet dhe gjyqet
ne pranuem veç dënimet, vorret dhe përvujtninë,
Ju u zgjatë me ushtrinë, armët, plotonet
ne mbetëm t’pushkatuem pa varre, e ushtarë nën armë druni,
Ju vodhët ndërtesat, zhgrryet muret me bajoneta
ne ndër stanet tueja futëm frymë e dhimbë njeriu,
Ju morët në dorzim fushat, qiejt, detet
ne ruejtëm ndër shpirtna andrrën e fluturimit,
Ju vratë tempujt e Zotit e u rrekët me u ngjitë maje tyne
ne besimin n’Zot e mbrojtëm nën grykat e zjarrta të pushkëve tueja,
Ju sunduet me shkolla, me mësues, me libra,
ne i shkundnim librat prej plumbit e shkollë bamë aq sa ju deshët,
Ju folët për popullin që e batë vegël, e vratë gjithkend n’emën të tij
ne dëshmuem edhe pa varr, se Njeriu jeton përtej lavdive t’rreme,
Ju mobilizuet shkrimtarë, poetë, kangtarë, piktorë
ne ju dëshmuem n’heshtje se ishit pa libra, pa art, pa poezi, pa kangë,
atëherë n’tërbim ju naltuet monumentin e Vdekjes
dhe s’e ndjenit se vdekja ishit ju vetë!
Dhe u kapët ma fort mbas bustesh, mbas krimesh n’përjetsim tiranie
po kurrë s’e kuptuet se as liria, as Zoti
kurrnji lidhje s’kishin me frymën tuej t’kalbun,
E kur e patë se gjithçka mbaroi
shkelët si hije nëpër teh të territ dhe të frikës suej
i kurdisët orët e kohës që t’ringjallej humbja juej fitimtare
dhe gjithçkaje t’keqe kishit mbjellë,
i ndejtët në pritë stinës së t’vjelave

Dhe ja ku jemi sot,
ja ku i keni tokat dhe ndërtesat e grabituna
ja ku i keni shkollat dhe ngrehinat e trushplamjes
ja ku i keni ligjet, gjykatat dhe krimin duke fjetë bashkë
ja ku i keni tuejat ujnat, detin, erën, malet
ja ku e keni palë mykun e krejt nji kohe të vdekun
që e bojatisni pa pra netëve të dimnit që sollët
Ja ku e keni edhe at talljen e madhe me kët popull
që e bani përditë e ma të vogël
përditë e ma turmë,
trumhasun n’harenë tuej mashtruese…
Ja ku jeni edhe ju vetë, mbramjeve pa hanë tek vidhni yjtë
e i rrasni n’shportat e karavidheve,
ja ku e keni begati – gjithçka grabitët… Veç mos harroni,
se n’fund të fundit gjithçkaja jueja s’asht pos asgjaja
ajo ka me e grrye përditë boshllëkun tuej,
ajo nji ditë ka me ju kthye në gur katapulte
e ka me ju përplasë ndër do mure t’lashta e t’lëmakshta
që asnji zezonë s’mujti me i rrëzue
e asnji Djall s’ka me mujtë me ju pshtue…

Jozef Radi, poeti i lirisë së munguar

Poezia e Jozef Radit dëshmon si rrallë herë lirinë e munguar në kohë tragjike. Me një frymë moderne dhe pozitive, e me dashurinë si forcë mbijetese, poezia e Radit mbetet mrekullisht e lirë nga mllefi e urrejtja. Nuk ka si të jetë ndryshe në vargjet e lirisë së pranguar, e anti-socrealizmit. Se përmendorja madhështore e diktatorit një ditë shëmbet, dhe ja tek ngrihen vargjet e të vërtetës, dhe nis e tjerret filozofia e humanes. Për nga ndërgjegjësimi e fuqia shprehëse ai imponohet ndër më seriozët e periudhës post-totalitare. Madje duke eksperimentuar në dialekt të gegnishtes arrin të japë hollë thelbin e tij. Si Migjeni është poeti i mjerimit, Jozef Radi bëhet poeti i lirisë së munguar!“, shkruan Klara Kodra për poezinë e Radit.

Biografia e Jozef Radit:

16 janar 1957 – lind në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu jetonin te internuar në Kampin e Kuçit të Kurveleshit… Ishte i vetmi fëmijë në t’ashtuquajturin “Kampi i 100 Intelektualëve”…
1957 – pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij, me të njejtin emër, e regjistron si Jozef…
1957-1961 – ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe së fundi ’atë të Savrës…
1963-1971 – kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira…
1971-1976 – ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si… i biri i Lazër Radit!
1974 – 1976 – janë në të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë autorë të njohur librash brenda dhe jashtë Shqipërie…
1976 – fillon si puntor bujqësie në fermën e Savrës
1977-1979 – kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Tepelenë dhe Dropull të Gjirokastrës…
1981 – mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera… As bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë…
1984 – bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet biografike… e pengojnë edhe pse Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”e kishte vlerësuar si… “të botueshëm…”
1984-1990 – krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit…
1989 – së bashku me Lazër Radin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit malazes Bërkoviqit, e cila kalon nën dorë si vepër antidiktaturë…
1990 – së bashku me Familjen, vendosen në Tiranë, dhe nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi… duke kontribuuar me besim se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës…
dhjetor 1990-31 mars 1991 – ndjek nga afër lëvizjen studentore dhe ndryshimet demokratike… mars 1991 – boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca.
maj 1991 – regjistrohet në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik.
1993 – botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” Shtëpia Botuese “Lilo”
1993 – drejton botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra (9-10-11)…
1993- maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës.
qershor 1994 – mbaron Fakultetin Juridik
26 maj 1997 – ngjarjet tragjike të vitit ’97, ishin për të dëshmi e vrasjes së demokracisë… Detyrohet të emigrojë familjarisht në Itali.
23 Shtator 1998 – humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës.
korrik 2000 – boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” shtëpia Botuese Liria
2004-2005 – mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën kulturore “ars”
prill 2006 – botohet libri poetik dygjuhësh: “Orizzonti Impazziti” (Horizonte të çmendura) nga Besa Editrice, i Amoa Fatuiwa, përkthyer nga Jozef Radi.
2007 – boton me bashkautorë albumin fotografik “Ancona nascosta”
2000-2014 – bashkëpunon me mikun e tij, poetin Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali.
prill 2011 – boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” nga Shtëpia Botuese – Pakti
2000-2013 – bashkëpunon dhe boton arrtikuj të shumtë në shtypin shqiptar për probleme të shumta kulturore dhe intelektuale.
14 mars 2013 – fillon përhapja e shkrimeve dhe botimeve të Lazër dhe Jozef Radit përmes portalit www.radiandradi.com
tetor 2014 – qershor 2015 – jeton një eksperiencë të shkurtë amerikane.
shkurt 2017 – është autor i dokumentarit “Golgota e Lazër Radit”, i cili u shfaq në harkun e një muaji: në Tiranë, Paris dhe Ancona
maj 2017 – botohet në Itali antologjia e tij poetike “Poesie scelte” nga Casa Editrice “Besa” me përkthim të Gëzim Hajdarit
nëntor 2017 – botohet në Tiranë libri me tregime dhe novela Lazër dhe Jozef Radit “Të gjallë edhe të vdekur”
2000-2017 – përkthen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Pessoa, De Moraes, Hikmet, Prevert, Wilde, etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes”
2018 – Antologji poetike “Veç mundem me të dashtë kështu siç je” – 20 poetë nga bota
2018 – Nis botimin e Veprës së Plotë të Lazër Radit – 7 vëllimet e para jane botuar 23 vëllimet në fjalë…
2019 – Botohet vëllimi poetik “Tempo Negato” (Kohe e Mohueme) i Denata Ndrecës me përkthim të Jozef Radit
2020 – Përfundon vepra e plotë e Përkthimeve të Lazër Radin me 9 vepra.
2020 – Boton përkthimin e veprës së plotë të Giuseppe Ungarettit – “Jeta e nji Njeriu”
Prej vitit 1998 jeton midis Anconës (Itali) – Tiranës dhe Nju Jorkut (SHBA)…

ObserverKult