(Mbresa udhëtimi nga Qiprua)
Nga Prof. Nasho Jorgaqi
Në aeroportin e Athinës m’u desh të prisja pesë orë, pasi fluturimi i aeroplanit të linjës për në Qipro u shty disa herë. Po afrohej mesnata kur u nisëm. Ne ishim udhëtarët e fundit që zbrazëm sallën e “Olimpikut”. Vonesa e madhe nuk kish si shpjegohej, veçse me situatën tanimë të njohur të ishullit. E pra, për një të huaj, shqetësim fillonte që në nisje, por kur u gjenda në aeroplan dhe u përballa me atmosferën gazmore të udhëtarëve harrova gjithçka. Me sa kuptova më pas, unë isha i vetmi i huaj dhe s’kisha si të mos ndjehesha disi i tërhequr dhe i vetmuar. Por ndërkaq, kureshtja më rrinte zgjuar tek po shkoja në një vend krejt të panjohur, por jo të paditur. Sillja nëpër mend kohën e rinisë sime, kur për Qipron flitej aq shumë si një vend që luftonte kundër pushtuesve anglezë, kur shkruhej për EOK-ën e famshme, e cila qëndronte në ballë të rezistencës heroike, e pastaj, për kryepeshkopin Makarios, që, me shpalljen e pavarësisë më 1960, u vu në krye të Republikës së re. Kisha një adhurim për këtë personalitet të njohur botërisht për burrërinë, urtësinë dhe patriotizmin, të cilin ma bënte të afërt dhe një rrethanë krejt vetjake: sepse, ndërsa kryepeshkopi hynte në historinë e vendit të tij, në Tiranë kish një mik të rinisë, Niko Canin, me të cilin kishin studiuar së bashku në Athinë. Nikua ishte aso kohe një i njohuri im i nderuar, teolog në kryepeshkopatën e Kishës ortodokse shqiptare dhe prej tij do të dëgjoja të më fliste për vlerat morale e intelektuale të heroit të ditës. Madje, ai i kish dërguar dhe një letër përshëndetëse.
Shumë vite më vonë do të ndeshesha rishtas me emrin e Makariosit gjatë hulumtimeve të mia për Nolin në Boston. Atje hasa në gjurmë të lidhjeve të tyre. Ata kishin jetuar e punuar në të njëjtin qytet dhe ishin miqësuar nuk e di në çfarë rrethanash. Këto kishin qenë jo aq lidhje fetare, se sa personale. Ndoshta i kish afruar përkushtimi patriotik dhe aftësia e harmonizimit të pozitës fetare me luftën politike në dobi të atdheut, interesat intelektuale, temperamenti. Një gjë është e vërtetë që të dy u vunë në krye të proceseve historike të vendeve të tyre.
Po ç’dija unë për lidhjet e reja të Shqipërisë me këtë ishull të largët të Mesdheut? Pothuajse asgjë, veç disa fakteve të shkëputura. Kisha dëgjuar se në një fshat tonin të jugut, në Bodrisht, gjatë kohës së tranzicionit kishin ardhur 40 greko- qipriotë dhe kishin ndihmuar për ngritjen e shkollës dhe kishës, se fëmijët nga viset e minoritetit kishin shkuar për të mësuar muajve të verës në Qipro, se përpara se të botohej në Greqi ishte botuar këtu një antologji e poetëve tanë minoritarë. Pastaj, dashur pa dashur, më shkonte mendja te letërsia që kisha lexuar dhe s’mund të mos mendoja “Otellon” e Shekspirit, ku skena të kësaj tragjedie lidheshin me këtë ishull (bile, siç mora vesh më pas, njihej dhe kështjella mesjetare afwr Famagostës) apo historia romantike e tragjike e Kleopatrës me Mark Antonin që kishte ndodhur në tokën qipriote. Po mbi të gjitha më ndizte fantazinë fakti që Qiproja ishte, sipas mitologjisë, ishulli i Afwrditës, perëndeshës së dashurisë dhe bukurisë, i njohur për ritet e famshme mistike-erotike. “Edhe sot, – më thanë pastaj, – janë gjurmët e tempullit të Afwrditës diku mes Pathosit dhe Limosilit. Ashtu i tërhequr në mendime, pa dashur vura buzën në gaz, sepse m’u kujtua miku im, shkrimtari Spiro Xhai, që, tek më përcillte nga aeroporti i Athinës, më tha:
– Kur të arrish në Qipro kërko gjurmët e të parëve të tu. Sipas historianit J. Kondillaqis nga fillimi i shekullit të kaluar guvernator i ishullit ka qenë një pasha shqiptar me mbiemrin Jorgaqi. Ai paskësh lënë emër të mirë, duke fituar simpatinë e të krishterëve vendas si një sundues i butë dhe i kulturuar.
Sigurisht, ky pasha s’kish të bënte fare me fisin tim, por fakti që një shqiptar i krishterë (si rasti i Pashko Vasës) kish qenë sundimtar i Qipros tregon se sa i ngatërruar dhe i çuditshëm është fati i shqiptarëve në rrugët e botës dhe të historisë.
Ballafaqimi me Qipron e sotme nisi sapo zbrita. Në vend që aeroplani të ulej në Nikozia, u ul në Larnaka, pasi aeroporti i kryeqytetit gjendej në zonën turke të ishullit. Vija e gjelbër që e ndan padrejtësisht ishullin në mes ndihej menjëherë dhe kjo s’ka si të mos hedhë hije tek miqtë e Qipros. Mu në zemër të Mesdheut ngrihet një mur i ri Berlini! Një paradoks që të trondit me të vërtetë.
Me këtë realitet do të ndeshesha gjatë gjithë ditëve që qëndrova në Nikozia. Ishte një kohë e shkurtër, prej dy javësh, por e mbushur plot takime, vizita nëpër vende historike e institucione, biseda me intelektualë, madje mora pjesë dhe në një dasmë. Nuk e pata të vështirë të shquaj në vija të përgjithshme rrjedhat e jetës qipriote dhe psikologjinë e vendasve, që shpesh më kujtonte vendin tim. Padashur ngriheshin paralele që nisnin nga relievi, peizazhi mesdhetar, ngjashmëritë historike, diçka nga jeta zakonore e deri te pamja e njerëzve. Nga këto paralele bija në mendime, sepse s’i përballoja dot përfundimet e nga të mira, madje të trishtuara, që më dilnin tek vështroja dhe arsyetoja jetën përqark. Dy vende aq të ngjashëm, po dy realitete krejt të ndryshëm! Territori i Qipros është më pak se një e treta e Shqipërisë (9.251 km2) dhe me një të tretën e popullsisë tonë (714.231 banorë), dhe kjo nuk e ka penguar të jetë një nga vendet me standard më të lartë në botë. Nuk e pengoi as rrethana tjetër, përbërja me 77,1% grekë, 18,1% turq dhe 4,8% minoritete të ndryshme. Edhe Qiprua si Shqipëria është vend mesdhetar, kryqëzim rrugësh mes Lindjes dhe Perëndimit, gërshetim qytetërimesh dhe pikëtakimi epokash historike, të cilat ishulli i ka shfrytëzuar aq mirë në dobi të lartësimit të tij.
Mjafton të ngresh perden e të kaluarës së këtij vendi dhe ballafaqohesh me 9000 vjet histori. Vetëm të mendosh një ishull kaq të vogël, me një dendësi civilizimesh dhe ngjarjesh historike aq të pasura. Këtu, në Hirokitia, gjendet një nga vendbanimet më të lashta të jetës njerëzore në Evropë, për t’u shfaqur në agimin e qytetërimit si trevë e kulturave asiriane, egjiptiane dhe persiane. Në mijëvjeçarët e ardhshëm do të duken pikat e takimeve historike mes vendeve tona, sepse nga Iliria e lashtë do të niset Aleksandri i Madh për të çliruar ishullin, që do të merrte më pas përfundimisht fizionominë helene, fytyrën e fqinjit tonë të përjetshëm. Dhe pastaj edhe Qiprua, ashtu si trevat shqiptare, u takon vendeve të para nga ku Shën Pali nisi udhëtimet apostolike për të predikuar mësimet e Krishtit. Për shekuj me radhë më vonë do të ishin të dyja provinca të Perandorisë Bizantine, pa përmendur valët e përbashkëta veneciane apo franceze që ranë mbi vendet tona, deri në pushtimin e gjatë turk. Po, ndryshe nga Shqipëria, këtu u vendosën vullnetarisht ose me forcë masa turqish tok me familjet, të cilët sollën popullimin osman të ishullit. Sipas kronikave, me gjithë diversitetin etnik, ata jetuan bashkërisht me të krishterët në marrëdhënie fqinjësie, duke ruajtur secili gjuhën dhe fenë e vet. Kjo bashkëjetesë vijoi dhe pas traktatit të Shën Stefanit (1878), kur Qiprua u bë dalëngadalë koloni britanike. Duket e çuditshme që ky ishull në mes të Mesdheut i shkëputi zinxhirët e kolonializmit relativisht vonë. Për vite me radhë qipriotët patriotë i qëndruan heroikisht pushtuesve anglezë, ku faqen më të lavdishme e shkroi EOKA, organizata e njohur revolucionare për lirinë e Qipros. Ishte viti 1960 kur Qiprua u shpall shtet i pavarur, duke njohur ekzistencën e dy etnive, greke dhe turke. Pavarësia, edhe pse ishte një realitet i pamohueshëm, krijoi precedenca të rrezikshme me pasoja tragjike. Në 1974, politika aventuriere e regjimit të kolonelëve të Athinës tentoi të rrëzojë presidentin Makarios dhe t’ia aneksojë ishullin Greqisë. Ko rrethanë bëri që të zbarkojnë menjëherë trupat turke dhe solli ndarjen e Qipros në dy pjesë. Është Vija e gjelbër prej 180 km, që përshkon për së gjati ishullin, ajo që ka krijuar dramën e dhimbshme qipriote, të cilën e përjeton çdo njeri që shkel në këtë tokë mike. Copëtimi tragjik i ishullit cenoi ecurinë e mbarë vendit po të marrim parasysh që pjesa veriore, ajo më e zhvilluara, i mbeti popullsisë turke. Mjafton të themi se në këtë pjesë gjenden tokat më pjellore që japin 70% të prodhimit bujqësor, 80% e industrisë turistike, portet më të mëdhenj, pa përmendur që 40% e popullsisë greke u shpërngul nga trojet e veta. Mbi të gjitha, vija ndarëse preku sigurinë e ishullit, mirëkuptimin bashk-etnik, e ktheu vendin në një skenë ndeshjesh e reprezaljesh tronditëse.
Këtë atmosferë të hidhur e përjetova në një farë mënyre edhe unë gjatë ditëve të qëndrimit. Shkova në disa pika të Vijës së gjelbër. Ishte vërtetë një pamje e trishtuar. Në të dy anët e vijës neutrale shkretëtirë, rrugë të braktisura, dyqane e shtëpi të zbrazura, gardhe telash pafund e mbi to vende të fortifikuara, roje në gatishmëri të lartë. Në këtë zonë ndodhin herë pas here ngjarje të dhimbshme, provokacione, vrasje të pabesa.
Nikozia, kryeqyteti i ishullit nga shekulli XII, është një qytet tipik mesdhetar, i ngritur në të dy anët e lumit Pedias, me ndërtesa jo të larta, që feksin nga bardhësia nën qiellin e kaltër të zemrës së Mesdheut. Qyteti është një muze i hapur i historisë dhe qytetërimeve të lashta. Katedrale e xhami të panumërta, ngrehina arkitektonike të epokave e stileve të ndryshme, mure e fortesa veneciane, karakolle osmane. Të kaluarën e Qipros e sodita veçanërisht në muzetë aq të pasura, duke filluar nga Muzeu arkeologjik e ai bizantin, për të ardhur te Muzeu i luftës kombëtare. Kur del prej tyre ndjen dhe kupton gjithë madhështinë e qytetërimit qipriot plot shtresa epokash dhe variacione stilesh, me një begati të paimagjinueshme kulturash nga më të habitshmet.
Ditët që kalova në Nikozia më dhanë mundësinë që të hyja sadopak në proceset e jetesës qipriote. Sigurisht, është vështirë të njohësh mekanizmin e “çudisë ekonomike të Qiprios”, siç e quajnë specialistët, por diçka mund të mësosh nga takimet me njerëzit dhe kontakti me realitetin e ishullit. Një gjë është e vërtetë: Qiprua, duke qenë kyç i kryqëzimit të rrugëve mes Evropës, Lindjes së Afërme, Afrikës dhe Azisë Juglindore, është bërë një nga qendrat e rëndësishme ndërkombëtare të biznesit dhe financës. Kjo pozitë e privilegjuar, e lidhur me një strategji të qartë ekonomike të shtetit qipriot dhe me përkushtimin e popullit se vetëm me punë e nikoqirllëk mund të arrihet begatia e vërtetë, e ka ngritur këtë vend të vogël në një stad të tillë ekonomik, që e çmon bota. Sigurisht, në këtë mes ka rolin e saj edhe përvoja angleze, por çelësin e këtij prosperiteti e përbëjnë vlerat intelektuale dhe morale të vetë qipriotëve.
Në themel të begatisë qipriote qëndrojnë disa degë të ekonomisë: turizmi i kthyer në një industri të vërtetë, kur kjo vetë është e kufizuar; shndërrimi i ishullit në një nga bazat e mëdha detare, duke zënë vendin e pestë në botë, shndërrimi i vendit në një vatër të tregtisë ndërkombëtare si qendër e biznesit të huaj, ngritja e njërit nga sistemet më të fuqishëm të telekomunikacionit në tërë globin. Por, mbi të gjitha, Qiprua çmohet nga analistët seriozë për sistemin e fortë bankar, i njohur për shtrirjen e gjerë dhe mbështetjen efikase që u jep qytetarëve.
Duke shëtitur nëpër rrugët e Nikozisë, do të më bënte përshtypje prania e shumë bankave, nga më të voglat e deri ato të mëdhatë, nga ato të vendit e deri te bankat e njohura ndërkombëtare. Nëpërmjet bisedave me njerëz të ndryshëm do të merrja vesh se në Qipro bankat ndjekin traditën e sistemit bankar anglez dhe çka tërhiqte vëmendjen ishte fakti se banka kish hyrë në jetën e çdo familjeje. Banka bëhej nxitëse dhe mbështetëse e shumë ndërmarrjeve private në të gjitha sferat e jetës përmes kredive që jepeshin me interesa shumë të arsyeshme.
Shoqëria qipriote, me sa vura re, ishte interesante dhe mbresëlënëse edhe për veçoritë që paraqiste. Qiprioti e quan veten evropian, ndonëse vendi i tij gjendet pranë brigjeve të Lindjes së Afërt. Kultura qipriote mbahet si kulturë perëndimore edhe pse ekziston një traditë e fortë orientale. Banori i vërtetë i ishullit është njeriu tipik mesdhetar jo vetëm për nga pamja (flokëzi, profili helen, pak i zeshkët, jo fort i gjatë), por dhe nga mënyra e të menduarit e të jetuarit, për nga temperamenti i gjallë. Në dejet e tij zien gjaku grek e njëkohësisht ndihet natyra e shtruar. Është i dashur, mikpritës, i sjellshëm dhe veçanërisht njeri tepër nikoqir. Jo më kot thonë se qiprioti i vërtetë është ekonomist i lindur.
Në tërësinë e saj shoqëria qipriote, sipas sociologëve, dallohet për karakterin kozmopolit. Lidhjet e ishullit me botën janë të ngushta e të gjithanshme. Qipriotët lëvizin e udhëtojnë nëpër botë si rrallë kush. Ata kanë shumë njerëz të vetët jashtë dhe japin e marrin midis tyre. Gjysma e qipriotëve jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Kjo shpjegon ekzistencën e diasporës qipriote si në Angli, SHBA, Australi. Vetëm në Londër numërohen mbi 100.000 qipriotë.
Në karakterin kozmopolit të kësaj shoqërie ndikon fuqishëm dhe arsimimi i brezit të ri (sidomos atij të lartë) jashtë vendit. Megjithëse Qiprua ka shkollat e vetë të larta, prapë shumë nga të rinjtë ndjekin universitetet më të mira të Anglisë, Amerikës, Greqisë etj. Kjo e bën shoqërinë qipriote të hapur ndaj çdo gjëje të re dhe progresive dhe është në traditën e saj të rrokë çdo gjë të mirë nga bota dhe ta vejë në shërbim të interesave të veta. Por kjo s’do të thotë se mjedisi qipriot është i çliruar nga tradita. Përkundrazi, edhe pse njeriu i tij është i bredhur nëpër botë, ai është tradicional, veçanërisht në familje. Qiprioti është i lidhur fort pas saj. Në një farë mënyre familja qipriote ruan frymën patriarkale, mjafton të mendosh që lidhjet fisnore mbahen deri në brezin e tretë. Në këtë traditë dhe përgjithësisht në kultivimin e jetës zakonore ndikon dhe feja kristiane, e cila luan një rol parësor në njësinë dhe identitetin shpirtëror të popullit.
Qiprioti është njeri që e gëzon jetën, por në themel të saj vë punën. Sigurisht, jo si gjermani apo amerikani, të cilët, siç thuhet, jetojnë për të punuar, kurse qiprioti punon për të jetuar, sepse do të iki i kënaqur nga kjo botë. Do të përpiqesha të vëreja këtë veçori të psikologjisë qipriote dhe më bënte përshtypje synimi që pa i bërë hile punës, të nxjerrë prej saj fitime të llogaritura për t’ i administruar ato pastaj me nikoqirllëk.
Pavarësia ekonomike i ka krijuar qipriotit pavarësi nga politika dhe kjo i ka forcuar dinjitetin dhe pozitën shoqërore. Që të gjykosh në këtë gjë, mjafton të shohësh shtëpinë e tij. Ajo është bota për Qipriotin. Më shumë se sa në apartamente ai jeton në vila, në shtëpi komode, të bukura, që zbardhin nga larg, rrethuar me kangjella, brenda të cilave rrjedh një jetë e qetë mes bardhësisë së mureve, kaltërsisë së qiellit dhe blerimit të kopshteve. Në këto kushte hallet e përditshme sikur amortizohen. Ishulli ngrohet mesatarisht nga 300 ditë me diell në vit dhe këtë të mirë të natyrës qiprioti e shfrytëzon.
Jeta e ekuilibruar ekonomike-sociale reflekton në një mënyrë a në një tjetër dhe në jetën politike qipriote greke. Duke u përpjekur të ndjek nga afër këto të fundit, më tërhoqi vëmendjen jo vetëm ekzistenca e një jete të gjallë pluraliste, po dhe një baraspeshë mes forcave të majta e të djathta në drejtimin dhe administrimin e shtetit. Paraprakisht mendoja, jo pa një farë naiviteti, se në një vend si këto me standard të lartë, e djathta do të ishte absolute, por realiteti tregonte ndryshe. Në pushtet qëndronte Partia e djathë liberale me 20 vende në Parlament, kurse vendin e dytë e kishin komunistët e AKEL-it me 19 vende. Dukej e çuditshme në vështrim të parë, sepse nga bisedat me njerëzit çdo gjë bëhej e qartë. AKEL-i ishte partia më e vjetër (1926), me një biografi të pasur politike, me heronj e personalitete të sprovuara në kohë të vështira, sidomos në luftën për pavarësi. Në programin e saj ajo vërtetë udhëhiqej nga teoria marksiste, por ishte për një zhvillim demokratik dhe socialist të vendit përmes procesit të evoluimit ekonomik dhe ndiqte politikën e mbrojtjes së interesave të popullit punonjës. Nga ana tjetër, luftonte për një Qipro të pavarur, të demilitarizuar, për sovranitet dhe integritet të plotë territorial. Në radhët e saj kishte njerëz të kamur, që, pavarësisht nga pozita ekonomike, kishin përqafuar idealin socialist.
Forca e dytë e majtë, që gëzonte simpati të gjerë popullore, ishte dhe Partia Socialiste. M’u dha rasti e më priti në një takim të veçantë kryetari i saj Vasos Liseridhis. Megjithëse afër të 80-ave, nuk të jepte përshtypjen, ishte tepër vital e me pamje intelektuali. Ai është nga poetët më të njohur të Qipros dhe u gëzua që disa poezi të tij janë përkthyer edhe në shqip. Më erdhi mirë që kishte dijeni të sakta për gjendjen e ndërlikuar në Shqipëri. Lisaridhis, duke qenë nga liderët politikë më popullorë, ka kandiduar dy herë për president republike. Ai tregoi interesim se si mund të zgjerohen e forcohen lidhjet mes dy vendeve.
Në Qipro ka pak shqiptarë të mërguar. Kjo shpjegohet jo vetëm nga ligjet e shtrënguara, por edhe se punët e rëndomta këtu i kryejnë emigrantë të ardhur nga vendet e Azisë Juglindore.
Megjithatë, ndesha edhe në shqiptarë. U gëzova që u takova me poetin gjirokastrit Petro Çekrezin. Nxorëm mallin e Shqipërisë. Ai punonte në një nga libraritë më në zë të Nikozisë. Kish botuar dhe një vëllim me vjersha dhe mendonte e punonte për të lidhur ura mes kulturave tona. Ditën që do të kthehesha ishte një mëngjes i kthjellët, me një kaltërsi, që rrallë herë e kam ndeshur. Një kaltërsi të tillë ndoshta mund ta gjesh vetëm në Qipro. Mendoja se s’ka qenë e rastit që Afërdita, perëndesha e dashurisë dhe e bukurisë, ka lindur këtu. Por ndërkaq, mendimeve të mia u bënte hije vija ndarëse që përshkon ishullin e Afërditës, topat e ngritur në të dy anët e saj. Mendoja këto dhe më shtrëngonte zemra./dita