…dhe kështu perpiqemi
të mos harrohemi
për sa kohë që s’mund të bëjmë
diçka më të mirë…
deri herës tjetër pimë verë
të mos harrojmë tiparet
sytë
harkun e vetullave
ku në funerale triumfesh
parakalojnë zemërimet dhe mëritë
krahët që përqafojnë planetin
oqeanet që mbushin gjinjtë me qumësht perëndimesh
titanikë shtatanikë
që mbyten në një pikë lot
duar kukulle të këputura nga fëmijëria
që ia kemi ngrënë edhe hundën
të qeshurën kur u jepet buzëve
si xixëllonja muzgjeve
sqetullen ku gjejnë strehim
piratët e përtesës sime
dhe prehja anatomike absolute
supet ku arkeologët e dhimbjes kërkojnë
gjurmët e dhëmbëve…
kafshimet…
dhe pastaj sjell ndërmend kërthizën
e këtu unë ndaloj
e nuk shkruaj…
pi pak Chardonnay
“Çar don, ë?”, më pyet gota…
kurs frëngjishteje falas
për konsumatorë besnikë vetmish
dhe orkestër ciganësh…
trullosem edhe më
dhe kujtohem
se kërthiza jote është syri i barkut
foleja ku fluturat flenë
dhe unë nga larg ta mbyll me një puthje
verbohesh
verbohesh
rrëzohesh
rrëzohesh
dhe fluturat zgjohen
pluhur në krahët e tyre bëhemi
ngjyrë pritjeje
aromë prekjesh
mbyllim sytë
dhe verbohemi nga diejt e shpirtit
dalldisemi
fluturojmë deri kur fëmija brenda nesh
na kap
dhe me një gjilpërë na ngjit
në muret e klasës ku të dashuruarit
mësojnë si mbrohet jeta e fluturave
nga flaka e tepërt
dhe
largësitë…