Mirazh dashurie-Kur trualli bëhet qiell

Dy fjalë për librin « Dashuria nuk eshtë truall po qiell » të Irena Ngucaj Scirè

Nga Fulvia Dollmeni

Ah, dashuria !!! Njeriu, pa dashuri, është pa  jetë, pa krahë…   William Shakespeare thotë: Dashuria është ajo kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa kërkuar asgjë.

E çka është më e përjetshme sesa dashuria? Dashuria është edhe më e lartë se ekzistenca, është kurorëzim i ekzistencës, e si është e mundur që ekzistenca të mos i nënshtrohet?”(F. Dostojevski)

Edhe optika e ketij vëllimi poetik i nënshtrohet asaj.

Jo pa qëllim për të shkruar për dashurinë Irena ka zgjedhur poezinë, pasi ashtu si edhe dashuria, para të qënurit « një akt », ajo është «një gjendje». Si poezia edhe dashuria, kanë një përkufizim të papërcaktuar, të dyja ngjallin një ndjesi mistike, dhe kur kombinohen së bashku, lidhja e tyre na çon drejt majave më të epërme ndjesore ku shpirti human mund të ngjitet. Dashuria dhe poezia janë aq të ndërlidhura njëra me tjetrën, saqë pa e kuptuar mund të arrijmë tek poezia nga dashuria, dhe anasjelltas. Relacioni ndërmjet erotizmit dhe poezisë është i tillë sa na lejon të afirmojmë që i pari eshte nje poetikë trupore, ndërsa i dyti një erotikë verbale.  Erotizmi dhe poezia animohen nga i njëjti faktor i përbashkët, imagjinata. Poezia eshtë  një lidhje e pashkatërrueshme dhe e pareduktueshme,  ndërmjet dashurisë së fjalës dhe fjalës së dashurisë. Poezia e dashurisë në kulmin e vivacitetit të saj është një  lëvrim i përkorë i gjuhës.

Ky koktel eliksir, poezi –dashuri, na bën që si lexues, të mos t’i shpëtojmë dot masës së vargut. Mundemi  vetëm ta ndjekim apo ta zotërojmë energjinë e tij, siç do të bënte një surfer i pasionuar duke  sfiduar rrezikun, me një dallgë spektakolare  e të shumëpritur. Po a  mund ta kuptojmë poezinë nga një konstelacion fjalësh që derdhin dritë mbi facetat e saj, fjalë që bëjnë  pjesë në vetë trupin e poezisë? Kur lexojmë vargjet e një poezie ndjejmë eksperiencën dhe emocionet e një jete që dalin nga kuadri i faqes, pasi roli i vërtetë i poezisë, është më tepër të na ndihmojë të përmirësojmë jetesën, sesa të vendoset në faqet e një libri të bukur. Sipas Yves Bonnefoy, poezia eshte më tepër një akt sesa nje shkrim, është një moment ekzistence në lëvizje, më tepër sesa krijim verbal ku vetë autori është një dimension ndër të tjera. Në të njëjtën optikë vendoset edhe Philippe Jaccottet kur shprehet se në vend që poezia të përmbledhi botën në një libër, duhet që libri i saj  të na udhëheq drejt botës, të na hapi rrugën drejt saj. Këtë autorja e ka kuptuar më së miri.  Ajo që nga titulli na ofron  korrelimin me qiellin, objekt që mbart ngarkesa të veçanta simbolike, ngre një sërë pikëpyetjesh ngarkuar me ndjesi të thella e të lidhura vetiu me përzgjedhjen e duhur normative. Qielli  ka vlerën e « një më shumë se gjithshkaje », ai simbolizon frymëmarrjen, ëndrrën, ndjesinë divine e bukurinë ëngjëllore. Të gjitha këto,  së bashku me përdorimin plot shqimë të shenjave ndjesore në formimin e kodeve të veçanta poetike, dhe raportet e këndvështrimet e caktuara funksionale midis tyre, konturojnë në mënyrë të dukshme  tharmin e individualitetit  krijues të Irenës. Vargu  i Irenës dominohet nga fjalë me reminishenca romantike e erotike, duke e legjitimuar atë si varg në ngarkesën e tij psikologjike e të introvertuar.

Ajo ka një qasje specifike strukturale gjatë krijimit. Fillimisht evidencon një dukuri, në nivelin  e reagimit psikologjik që ajo prodhon ( Kur më qëlloi / një shigjetë e Kupidit/e gjeti zemrën time lakuriq/pa armature/ tek bënte dashuri me thembrën e Akilit), pastaj e kombinon me elementë të ndryshëm, dhe pas tundimit të reagimit emocional për ngjarjen (a dukurinë), e mbush atë me asociacione, me referenca nga burimet e saja  personale, duke ndertuar mbi to, pikat e vlerësimit moral  apo të mesazhit poetik që ajo do të përcjell.

Irena  funksionon brenda disa parametrave autentikë  e poetikë diskret, duke transformuar raportin ndërmjet informimit dhe përjetimit, në avantazhin e këtij të fundit.

Poezitë e këtij vellimi shfaqen përmes një transparence kristalore emocionesh që flatron nga thellësitë shpirtërore dhe intuita e saj estetike, duke ekspozuar para nesh afreskun e saj artistik.

 Ne poezinë e saj gjejmë, ndër të tjera, një sistem korelacioni të dyfishtë,  figurativ dhe strukturor, që shërben për të emetuar impulse të rëndësishme konotative.

Në këtë vëllim me poezi shfaqen tiparet më esenciale të poezisë së saj, spontaniteti i gjendjes dhe emocionit, freskia e figurës dhe fryma lirike, që sjell trazime të paprovuara  dashurie, idile e raporte të reja vetjake e ndërvetjake, gjendje psikologjike dhe emocionale, që mishërohen  në kurba të forta, e kumtojnë një realitet të dyzuar e të tallazitur të unit poetik. 

Irena ka një zë  sa të ngrohtë e kumbues, aq dhe antikonformist. Përjetimi dhe kujtimi i dashurisë, idili, pritja e të dashurit (të dashurës), ardhshmëria apo preludi i ndjenjes, trupëzohet në ndjesi të forta malli dhe emocionesh duke na sjellur një përvojë të re befasuese dhe impresionuese.

Njohja  e vetes në libër del  në pah përmes  formash të ndryshme: nëpërmjet inteligjencës, intuitës, entuziazmit, mëshirës dhe së fundi dashurisë. Sigurisht të gjitha njohjet kanë rëndësinë e tyre. Po për autoren, për të arritur në njohjen e skajshme, duhen flakur kufijtë e arsyes, pasi sipas saj, funksioni i reflektimit është që ta dërgojë njeriun deri në kufirin e dashurisë. Inteligjenca  nganjëherë na bën rob të dashurisë, dhe është  vetëm dashuria ajo që na bën të lumtur. Trajtesa sistemike e fijeve ndërtekstore, aluzioneve, simboleve, imazheve dhe detajeve të tjera poetike sjell natyrshëm dashurinë në çdo fjalë. Mjafton të përmendim këtu poezitë : « Kur », « Të plazmuar », « Ne », « Dy meridiane », »Pa Strehë », « E Pabanueshme », « Në Parajsë », »Zgjedhim », « Parrënjë », « Jam »…

Në poezinë e Irenës gjejmë një sistem kodimi  të dyfishtë figurativ dhe strukturor, që shërben për të emetuar impulse të rëndësishme konotative.  Nganjëherë ky kodim  bëhet pikë referimi e gjithë poezisë, duke u shndërruar në linjë strukturore apo bërthamë sintetike të saj,  për të mbajtur mbi vete gjithë peshën e poezisë.

 Emocionet, mesazhet  dhe përjetimet e botës së saj të pasur estetike, kërkimet në burimet e  vetëdijes dhe pavetëdijes, e shtyjnë atë drejt “Pegazit” poetik.

Në këtë vëllimi poetik, autorja është përqendruar që kryefjala të mbetet dashuria, e cila përcillet në forma të ndryshme, herë si një fustan puthjesh, si festë shqisash, e pastër si kristali,  herë  enigmatike e mbushur më ngjyra magjike për t’u shndërruar në një dashuri që mund të plagosë rëndë shpirtin, apo në çaste lumturore të papërsëritshme.  Poetja e sheh dashurinë gati si një funksion fiziologjik  po aq të natyrshëm sa frymëmarrja. Ajo mban të gjallë urinë për të, varros nën lëkurë epshin martir, mbetet lakuriq për të ngrohur ndjenja et dikuj.  Njeriu, pa dashuri, është pa  jetë, pa krahë… 

Autorja i sheh fjalët si një ndër bashkëshoqërueset e poezisë së arrirë. Madje ajo shkon edhe  më larg duke menduar se fjalët duhet të njihen në dinamikën e tyre  për të arritur të shfrytëzohen megjithë  fuqinë që mbartin brenda vetes. Ato  transformohen  në planin diakronik dhe atë sinkronik, limitet  e tyre ndryshojnë e ripërcaktohen sa herë që vihen në përdorim. Fjalët mundohen, deformohen dhe thyhen nga pesha e emocionit dhe  nga sforcimi. Ata  pengohen, shkasin, lumturohen, jetojnë, duke hedhur dritë në skajet e pashkelura të botës së brendshme të autores e dëshmuar ndjeshmërinë   e  saj të  veçantë, për të kombinuar perceptime që formojne tërësi të reja.

Interesante ne këtë vëllim me poezi është përcjellja e  diferencuar e  emocioneve dhe ndjenjave, që jo çdokush arrin ta bëj me një natyrshmëri të tillë.

Ajo e sheh emocionin si diçka vetjake, si shprehje të nevojave individuale (« Pse nuk dalloj asnjë ëngjëll /nuk ju gënjej/ jam në parajsë.. ?! »), kurse ndjenjën si diçka më universale, jovetjake, që ngrihet mbi nivelin e individit (« Nuk është e lehtë/po as e pamundur/ dua të jap dashurinë time,/ edhe për ato që ke humbur.. »). Ndjenjat janë të prera, më pak intensive se emocioni dhe mbi të gjitha përfaqësuese. Ato janë « jovetjake », në kuptimin që i japin informacion lexuesit në mënyrë të saktë.  Por mënyra sesi  ato konceptohen i bën më të ndërlikuara se emocionet. Emocioni i brendashkruhet ndjenjës si një përbërës impulsiv, më i thjeshtë dhe i papërpunuar i saj. Përparësia e ndjenjës qëndron te universaliteti i saj, por nga ana tjetër, ajo varet nga një sërë stimujsh për të dalë në sipërfaqe dhe për t’u kuptuar.

Ekzistenca e poezisë për të është si një urë mes shkrimtares  dhe lexuesit; ajo ka një realitet që nuk është thjesht realiteti i asaj që shkrimtarja përpiqet të “shprehë”, ose i përjetimit të saj duke e shkruar atë, apo i përjetimit të lexuesit. Do dëshëroja të përdorja për shkrimet  e saj disa nga fjalët e René Char apo te Paul Eluard,  « poezia e Irenës  eshte « një akt i virgjër, që  ka një vlerë inaugurale,  fuqi shpikëse et energji mëngjezore », ajo « më tepër sesa një tekst, ajo është një impuls, një aspiratë e dëshirë dashurie në gjuhë ». Irena është koshiente që sa më larg të shkohet me kombinime të tilla gjuhësore, aq më shumë zgjerohen hapësirat funksionale poetike dhe aq më tepër rritet intensiteti emocional i komunikimit artistik.  Ajo  është një poete mendimtare. Sa më shumë informohemi përnjohuritë e saj në art, filozofi, fe, antropologji, gjuhë, psikologji e një sërë fushash të tjera të mendimit, aq më shumë na krijohet ideja, se në poezitë e saj gjithçka është e llogaritur me kujdes dhe pasqyron konceptet e saj teorike e sigurisht, në një masë më të vogël, edhe ndjenjat e saj. Fragmentet e librit shpjegojnë mjaft qartë që  përkorësia shihet prej saj, si një ndër ato cilësi, që duhet ta përshkojnë poezinë moderne, pasi ajo i përshtatet frymës së lexuesit duke e nxitur atë të përdorë gjithë kapacitetin e vet, përfshirë intelektin dhe emocionet.

Karakteristike në këtë vëllim poetik  është përpjekja e autores për përdorimin e të gjitha burimeve të brëndshme e të jashtme, për të gjetur  një raport të ri krahasimor të mendimit dhe ndjenjës, deri në venitjen e kufijve mes tyre. Për t’u bërë pjesë e poezisë, ato duhet të ritrupëzohen e ta humbasin identitetin fillestar. Vetëm në këtë mënyrë, poezia përfton të gjitha elementet për të ekzistuar e shkëputur nga kufizimet, për të qënë e  vetëmjaftueshme.

Poetja nuk e lejon emocionin të e saj njerëzor që të pushtojë shprehjen artistike, pasi elementet e tjera të veprës do të zhvendoseshin  nga presioni që krijon një gjë e tillë dhe nuk do të mund të zhvillohen në mënyrë të harmonishme. Braktisja  e personalitetit, për rrjedhim, të emocioneve vetjake, nuk  është  diçka që vjen natyrshëm, po  një sakrificë. Zhveshja e personalitetit është si përgatitja e një mjeshtri për të filluar punën me objektin e mjeshtërisë së tij.

 Në librin e Irenes  lidhja që ekziston mes titullit simbolik të veprës dhe veprës në tërësi,merr formën e një bashkëlidhësi  të ndërlikuar objektiv, i cili qëndron në baraspeshë me gjithë veprën. Atë mund ta shohim  si  një tërësi emocionale logjike, që për lexuesit vetëm mund të përjetohet, jo të shpjegohet, pasi përcaktimi i një kuptimi të ngushtë e gjymton atë, duke ia kufizuar mjaft fushën e veprimit. Autorja përzgjedh me shume elegance detajet për të paraqitur gjendjet e caktuara shpirtërore dhe mendore, tejçimin  e  emocionit, jo  vetëm duke folur vazhdimisht për të, por mbit ë gjitha, duke krijuar mbështjellën e përshtatshme për ta bërë atë të lexueshëm pa pasur nevojë të përmendet, ose në rast se përmendet, pesha shpjeguese të mos bjerë mbi të, po të shpërndahet në të gjitha detajet e përdorura. Kjo i jep mundësinë autores të tërhiqet  nga pozicioni i « të gjithëditurit », duke krijuar terren të përshtatshëm për impersonalitetin poetik. Për sa u përket lidhjeve objektive të botës së brendshme dhe asaj të jashtme, vlen të përmendet poezia me titullin  « Nuk mjafton » e cila më kujton poezinë “Përkitje” të Sharl Bodlerit, ku  mund të dallojmë një amalgame  perceptimesh  shqisore të të gjitha llojeve për të dhënë një efekt të vetëm, si një lidhje të ndërsjellë mes botës së jashtme dhe të brendshme, e cila përbën dhe një ndër vëzhgimet më thelbësore simboliste.  Ky kombinim, na jep ndjenjën e çlirimit të menjëhershëm, ndjenjën e lirisë prej kufizimeve të kohës dhe hapësirës, atë ndjesi rritjeje të papritur që përjetojmë në prani të veprave artistike me vlerë.

 Poezia e  Irenës gëzon një harmoni, pasi  emocioni është i mëvetësishëm, i pavarur nga autorja dhe lexuesi, ajo ngërthen një mendim, po nuk varet prej tij, ka një formë, po nuk krijohet për ta ndërtuar atë. Vargjet e saj  fluturojnë në hapsirën përtej poezisë, atë që na ngjan më shumë me “pikën më të qetë të botës që mbulohet nga nje qiell”, që ngrohet nga nje diell,  ai i moslargimit.

Dashuria në vargun e Irenes shfaqet përmes një ekspresionizmi të drejtpërdrejt, gjuhe të thjeshtë pa komplikime, por me një emocionalitet të veçantë. Irena arrin te bej  elementin e dashurisë bosht të poezisë së tij. Dashuria është nevojë e pakontestueshme, ajo është universale, që e bën njeriun të vuajë, të sakrifikojë dhe të bëj çmendurira të shumta për hir të saj. Irena e bën dashurinë që të shkrihet në vargun e saj duke i dhënë imazhin  e një eroticiteti të theksuar që provokon imagjinatën e thellë të lexuesit (poezija Pushtomë). Permes një gradacioni, « ijet et përkulura », « kërthiza »,  « toka e origjinës », « ngrohësi njomëse », « udha e qumështit ». Ajo rendit pjesë të ndryshme të trupit të femrës duke bërë që  thjesht një prekje dashurore mund të shkaktojë një moment hyjnor. « Mbi puthjet », Eci me majat e shpirtit mbi puthjet…të mos zhgjoj shijimin..

Dashurinë poetja e sheh si një burim për jetë, aty  ajo gjen  vetë kuptimin e jetës. Këtë mund ta shohim edhe në vargjet e poezisë « Dy meridiane », « Në parkun e gojës », « Pasqyra e vargut ».. Forca e dashurisë së saj në varg shkon shumë larg, deri në një pasion të thellë, duke u bërë pikë kyçe në lirikën e saj të dashurisë. »Sot », « Difektet », « E mrekulluar », « Fustan me puthje ».

Poetja përgjërohet për dashurinë. Ajo nuk e do as pritjen, « unë nuk ndalem kur dashuroj », as pengesat   «Jeta abetaren e pengesave e grisi », ajo nuk e njeh frikën « Si shtrigë do të digjem për herezitë dashurore », dhe shprehet «Trup shërbëtor i shpirtit…endesh e luhatesh të gjesh ngopje në atë greminëtë embël e të ngrohtë ku lind marrëzia dhe perëndon arsyeja .. »

Bota nuk mund te ekzistoje pa kete ndjenje te vecante pasi pa të, nuk do te ekzistonte asnje ndjesi tjetër. Dashuria është nje ndjenjë aq e fuqishme saqë mund të të ndryshoj rrënjësisht, të kthen në një tjetër person.
Në poezitë e Irenës koha ka rrjedhje subjektive, është ajo  « e shpirtrave në kaos », pasi  ajo shihet  si mundësi e jashtëzakonshme e të shprehurit dhe e komunikimit me dukuritë ose me përbërësit e saj, për të nuk vlejnë rregullat e kohës konkrete pasi « ndjenjat nuk kanë ligje ». Në poezitë e këtij vëllimi  koha gëzon  cilësitë e realitetit të ëndrrës dhe të kohës hyjnore : « shkruaj për ty se kthehem aty ku nuk kam arritur akoma », « vdesim pa e kuptuar kur nuk hedhim rrënjë në ndjenjën e dikujt ».

Siç thekson shkrimtari Visar Zhiti, “Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme. Ajo është qendra përmbledhëse e të gjitha prirjeve, dhe barazohet me vetë qenësinë e jetës. Për të ilustruar më së miri këtë, vlen të përmendim poezinë “Takohemi», ku  tjetri përbën mundësinë e vetme jetësore,  pasi marrëdhënia jonë me botën është e ndërsjellë. Tjetri është fytyra e botës, logosi i secilës qenësi objektive,  si tek  poezia « E si mund ».

E si mund të harrosh atë/ Në sytë e të cilit ke lënë një bukuri / Që s’ka më sy të tjerë /Ta shohin ashtu…

Në poezitë e Irenës dashuria shprehet si  gjallim jetësor  e poetik, si pasuri shpirtërore, po edhe si dramë dhe tundim. Tek poezija « Në zemrën tënde » autorja thotë « …hakmarrës, kot e ke/ Ti brënda zemrës time mbetesh

 Dashuria, siç thekson Petrarka, “djeg me zjarr, po me ç’ëmbëlsi na deh?”

 Gjuha e përdorur nga poetja për dashurinë shpesh është befasuese, e  papritur, pushtuese dhe ndikuese. Tek poezia « Mosha ime » autorja shprehet « Llogaris moshën/ me largësite që kam shkurtuar / për t’u mbushur me dashuri.. », apo tek poezija « Deri në verbim » ku ajo  thotë : « Në qofte se do të mundja / do të puthja në sy / deri në verbim…atëhere ti / do të gjeje në errësirë /  atë që të nevojitej. ».

Poezia e Irenës  mund të receptohet edhe si realitet i dashurisë,  po edhe si ëndërr e saj.

Ndodh kështu për arsye se njeriu ka aftësinë që të mund të përfytyrojë, të endërroj  dhe të mund t’i realizoj ato, qoftë dhe vetëm në botën e brendshme (kur konkretësia e jetës nuk i mundëson), ashtu siç shprehet autorja tek  poezia « Shkruaj », Të shkruaj poezi / Kjo bën të mundur / Ardhjen time /Në çdo takim të pamundur.. »

Megjithatë, dashuria ngadhnjen mbi vuajtjet, pengesat dhe dhembjet sado të mëdha qofshin ato. Ajo është mbretëresha e lumturisë, apo e « gjithmbretërueshmja ».

 « Në parajsë »

I hap sytë në errësirë / Ti je në krah pranë meje

Pse nuk dalloj asnjë engjëll, / nuk gënjej / jam në parajsë… ?!

Në këtë mënyrë poezia shndërrohet në një himn lavdërues të dashurisë dhe bëhet realizim dhe projektim i saj në pambarim që « tretet në gotën e fatit » («  Kur dashurojmë »). Ka vetëm dy kohë në jetë : Tani dhe tepër vonë !

Muzikaliteti  në vepër ofron një shëmbull të asaj, që duhet të fitojë vargu me çfarëdolloj organizmi metrik, për të qenë harmonik. Tek «  Ballkoni i syve » pa përjashtuar vlerën e rimes, apo te asaj  që do ta  quaja  “imagjinatë dëgjimore”, ndjesia e rrokjes dhe ritmit, depërton thellë në nivelet e pavetëdijshme të mendimit dhe ndjenjës, duke fuqizuar çdo fjalë, ata  zhyten deri te më primitivja dhe e harruara,  kthehen te origjina dhe sjellin diçka me vete, në kërkim të fillimit dhe fundit..

Në aspektin përgjithësues, puna e hollë më fjalën, zgjerimi i fjalorit poetik, rritja e nivelit të abstragimit, dendësimi ekstrem i gjuhës, figuracioni i përdorur dhe  kujdesi për harmoninë, na bëjnë të kuptojmë që poezitë e vëllimit poetik “Dashuria nuk eshte truall po qiell ” janë dëshmi e mirëfilltë e pasurisë dhe e pjekurisë poetike të kësaj  poeteje, duke na përforcuar bindjen se kemi të bëjmë me një krijuese të rafinuar  dhe serioze./ ObserverKult