Katër shfaqje premierë janë planifikuar nga menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës që të inskenohen në skenën e vogël, gjatë vitit 2020.
Këshilli drejtues i TKK-së, ditë më parë, ka shpallur një konkurs publik ku do të përzgjidhen regjisorët për gjashtë tekste që pritet të realizohen në hapësirën kur kërkohen forma atraktive skenike, raporton KTV.
“Skena e Vogël, si një laborator për kultivimin e shprehjeve eksperimentale teatrore, është krijuar për të mbështetur dhe nxitur idetë dhe format e reja kërkimore teatrore, duke synuar të jetë strehë e të gjithë atyre që teatrin e shohin si mjet të shprehjes”, shkruhet në shpalljen e konkursit e TKK-së për regjisor.
Aktori resident i Teatrit Kombëtar, Adrian Morina, i cili që dy muaj ushtron detyrën e drejtorit artistik në institucionin më të lartë teatror të vendit, thotë se skena e vogël ka për qëllim të sjellë gjuhë të re kreative në artin skenik.
Morina tregoi për përmbajtjen e teksteve të përzgjedhura në këtë garë skenike.
Konkursi do të mbyllet zyrtarisht më 18 janar, ndërsa Morina inkurajon regjisorët që të bëhen pjesë e kësaj gare.
Pas çdo viti kalendarik, TKK-ja shpall konkurs për regjisor, pasi menaxhmenti i këtij institucioni miraton tekstet e repertorit të Skenës së Vogël.