Nga Salajdin Salihu
Viti 1941. Katërvjeçari Momo strehohej në një familje boshnjakësh, por një granatë e shkrepur prej nazistëve ia vrau gjyshen dhe të ëmën. Ai shpëtoi pasi në çastin e fundit e ëma u hodh sipër tij.
Përvoja jetësore duhej që ta rendiste përkrah viktimave dhe atyre që e strehuan në kohë lufte.
Vitet 90-të. Momo tani ishte përkrah kriminelëve, që gjuanin me granata kundër popullatës civile, kundër fëmijëve, kundër familjeve boshnjake.
Emri i tij i plotë është Momo Kapor (1937 – 2010), shkrimtar, gazetar, piktor dhe skenarist i filmit jugosllav “Valteri e mbron Sarajevën”.
I linduri në Sarajevë dhe i shkolluari për pikturë në Beograd, ndryshe nga Valteri, e sulmoi qytetin e lindjes.
“Urrejtësi patologjik i Sarajevës” besonte se miti mbi Millosheviqin, Karaxhiqin dhe Mlladiqin, do të jetonte në popull sikurse miti i heronjve të eposit serb.
Përderisa eskadronët e vdekjes bënin krime, i deklaruari si çetnik shkruante për “serbët e pamposhtur, të rrethuar me armiq dhe tradhtarë të neveritshëm” dhe kërkonte luftimin e “tradhtarëve, ngatërrestarëve, qyqarëve dhe ithtarëve të taborit armik”. Armiq të tij tani ishin bërë edhe shumë kolegë që e kishin refuzuar politikën e luftës.
“Nacionalisti me profesion dhe detyrim” e me “certifikatë patriotizmi”, siç thoshte për veten, nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për viktimat e pafajshme nga qyteti i lindjes. Ai, siç ka thënë një poet, e shikonte Sarajevën “me shënjestër të snajperistit”. Ai ishte përkrah vrasësve nga Pale, qendra e shovinizmit serb në Bosnjë. Ai i përligji granatimet kundër fëmijëve dhe popullatës civile, sepse, sipas tij, bëheshin në “mbrojtje të serbëve”. Ai i mbrojti kriminelët e luftës edhe si dëshmitar vullnetar në Tribunalin e Hagës. Ai përdori diskurs të fëlliqtë kundër kombeve tjerë. Ai nuk shprehu keqardhje kur shkatërrohej qyteti i tij i lindjes, kurse shkatërrimi i Vukovarit për të ishte “praktikisht asgjë”.
“Thjesht nuk kemi asnjë shkak keqardhjeje ndaj atij qyteti (Vukovarit). Është naive të mendosh se ai ishte, si të them, ndonjë barok, më kupton! Praktikisht – asgjë!”, kështu i kishte thënë një shkrimtari.
Në atë qytet jetonin njerëz, aty vriteshin njerëz, por Kapori ishte në anën e atyre që kishin bërë krime kundër njerëzimit.
Predrag Matvejeviqi, në shkrimin “Talibanët tanë”, kërkoi që Kapori me shokë të gjykoheshin prej Tribunalit të Hagës si frymëzues dhe përgjegjës për krimet e luftës. Së paku t’u bëhej një gjyq moral. Për ironi: u dënua Predrag Matvejeviqi, i cili i shpëtoi burgut falë përkrahjes së intelektualëve të shquar, përfshirë edhe Umberto Ekon.
Momo Kapori vdiq në Beograd dhe u varros me nderimet më të larta shtetërore. Shkrimtarët si ai, kuptohet me certifikatë patriotizmi, vazhdojnë që të çmohen si “baballarë të kombit”./ ObserverKult