Manifesti i fundit i PEN-it Ndërkombëtar të Shkrimtarëve, i stisur si preokupim dramatik për lirinë e imagjinatës, në fakt është një qëndrim dekadent dhe thjesht i pamoralshëm, përballë lëvizjeve tektonike që po e rrënojnë jo vetëm lirinë e shprehjes, po edhe të drejtën për jetë, në shumë anë të botës.
Nga Milazim KRASNIQI
I miratuar në Kongresin 85 në Manila të Filipineve, me sugjerimin që të botohet në mbi të njëqind gjuhët që aderojnë në këtë organizim ndërkombëtar të shkrimtarëve, manifesti i fundit i PEN-it është zhgënjyes. Duke qenë anëtar i PEN-it, e ndiej edhe më shumë këtë, si brengë intelektuale dhe morale. Pse? Sepse Manifesti e stërthekson të drejtën për ta mbrojtur imagjinatën, ndërsa nuk mirret me realitetin. Fjala vjen, nuk mirret me gjenocidin që po zbaton Mianmari kundër popullit rohinja. Nuk mirret as me terrorin që po ushtron Kina kundër ujgurëve, po të përmendim vetëm dy shembuj skajshmërisht tragjik. PEN me siguri ka informacion se në mesin e këtyre popujve, ka edhe shkrimtarë, që vuajnë pasojat e gjenocidit e të terrorit. Ne ne nuk ua dimë as emrat, sepse organizata më e madhe ndërkombëtare e shkrimtarëve, ka vendosur të mos mirret me realitetin e tyre tragjik, po të mirret me imagjinatën, duke thënë se “e mbrojmë imagjinatën dhe besojmë se ajo duhet të jetë e lirë ngjashëm me ëndrrat.” Manifesti i fundit i PEN-it Ndërkombëtar të Shkrimtarëve, i stisur si preokupim dramatik për lirinë e imagjinatës, në fakt është një qëndrim dekadent dhe thjesht i pamoralshëm, përballë lëvizjeve tektonike që po e rrënojnë jo vetëm lirinë e shprehjes, po edhe të drejtën për jetë, në shumë anë të botës.
PEN-i në Manifest ka mundur t’i referohej edhe aktualitetit të shkrimtarisë, në të cilin Peter Handke, ka fituar çmimin Nobel, por ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin lidhur me gjenocidin në Srebrenicë. Si u mbroka imagjinata, nga dikush që e përdhos realitetin?! Në rastin e Peter Handkes vërtet nuk vlen postulati i Manifestit që thotë se “letërsia kalon të gjithë kufijtë real e imagjinar dhe gjithnjë është në mbretërinë e universales.” Përkrahja e Handkes për Millosheviqin dhe gjenocidin nuk është në “mbretërinë e universales” po është më shumë në mbretërinë e ferrit të Dantes.
Po pyes kot: çka ka ndodhë me PEN-in, në kongresin e 85 në Manila? Në dy kongrese, në të cilat kam pasur nderin të marr pjesë, (Tokio e Rejkjavik) PEN-i ka qenë aktiv në mbrojtjen e shkrimtarëve e gazetarëve të përndjekur në disa vende jodemokratike të botës. Bile në Tokio ishte mysafir nderi një shkrimtar nobelist kinez, që jetonte në ekzil dhe ishte disident politik. Në kongrese zhvilloheshin edhe diskutime lidhur me realitetin në të cilin jetonin e vepronin shkrimtarët. Ka vite që nuk kam pasur mundësi t’i ndjek nga afër kongreset e PEN-it, por ky Manifest, nëse ky që e lexova unë është sagllam, është kulmi i dekadencës intelektuale dhe dështimit moral të PEN-it.
Më duket se ky është edhe një rast ta kujtoj mikun tim të shtrenjtë, Basti Çapriqin, i cili ishte kryetar i PEN-it tonë nga fillimi e deri sa ndërroi, para dy vitesh. Basriu ishte aktiv në kongreset e PEN-it që nga Kongresi në Tromso, ku Kosova u pranua anëtare me të drejta të plota. Basriu gëzonte një respekt te të gjithë shkrimtarët, për sharmin e komunikimit dhe kulturën e gjerë që e posedonte. Zbraztësia që la në PEN-in tonë nuk është mbushur ende. Si edhe në fushat e tjera të jetës sonë artistike e intelektuale, thjesht jemi në kollaps. Na ka mbetur vetëm të vajtojmë. Dhe të shohim se si po zhbëhet edhe ajo vlerë, të cilën e patëm krijuar me shumë zell e me shumë mund.
(13 janar 2020)
ObserverKult