Një shekull pas Kongresit të Lushnjës pos ekspozitës së Arkivit të Shtetit dhe agjendës zyrtare të mbajtur nga bashkia e qytetit apo institucionet shqiptare, një rol të veçantë në këtë shenjim luajnë koleksionistët që në raste si ky nxjerrin nga sëndukët e tyre artefakte të rralla mbi ngjarjet historike.
“Në këtë 100-vjetor të shënuar për shtetin shqiptar, po publikoj disa artefakte unike, pjesë e koleksionit tim privat, lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme. Për t’i dhënë jehonë në arenën diplomatike vendimeve të Kongresit të Lushnjës, delegatët u kujdesën që vendimet e tyre t’i shkruanin edhe në gjuhën frënge”,-thotë koleksionisti Olti Muzaka. Ai sqaron se në foton nr. 1 dhe nr. 2, publikuar për herë të parë, gjenden vendimet e datës 28 janar 1920 të Kongresit ku pasqyrohen disa nga vendimmarrjet më të rëndësishme të atyre ditëve si zgjedhja e kryesisë së Kongresit me kryetar Aqif Pashë Elbasanin. “Miratimin e ligjit kushtetues për sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar; zgjedhjen e qeverisë me kryeministër, Sulejman Delvinën; zgjedhjen e këshillit të lartë të përbërë nga katër vetë që do luante rolin e kryetarit të shtetit, etj. Në fotot nr. 3, 4, 5 dhe 6 gjenden modelet e flamujve të vegjël të përdorur ato ditë si dhe prodhimet përkujtimorë të këtyre flamurëve”, saktëson koleksionisti Muzaka, i cili e mbyll postimin e tij me foton ku “gjendet një poster propagandistik kombëtar, i prodhuar më 1920 nga patrioti Vani Burda në Bukuresht”.
Nga 100 vjet parlamentarizëm që kremtohen në një moment reflektimi për Shqipërinë, kujtojmë se gati gjysmë shekulli e kësaj historie është jetuar në komunizëm, në një Kuvend monist, ku nuk sanksionoheshin zgjedhje të lira. Shumë prej kryeparlamentarëve apo anëtarëve të Kuvendit u përndoqën politikisht dhe dënuan nga sistemi, mes të cilëve firmëtarë të aktit të Pavarësisë dhe anëtarë të Këshillit të Naltë, të zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës. Që me krijimin e tij, AIDSSH publikoi 2 vëllime mbi gjyqin e deputetëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, të dënuar me varje, pushkatim, që humbën jetën në hetuesi dhe vuajtën burgime të gjata. Dosjet përkatëse mund të kërkohen për studim, në përputhje me ligjin 45/2015 dhe informacioni i botuar, mund të ndiqet në faqet online të Autoritetit. Drejtues të tjerë të Kuvendit në vite u survejuan, përndoqën dhe dënuan.
Pas rikthimit të jetës parlamentare në vitet ‘90, ish-të dënuar të ndërgjegjes zunë vend në Kuvend dhe u bënë pjesë e proceseve të ndryshimeve në vend./gazetashqiptare