Hafiz Ali Kraja ishte një ndër personalitetet e larta që mori pjesë në atë ceremoni, dhe aty, mbajti një fjalim brilant për mikun e tij të çmuar, At Gjergj Fishtën.
Nga Luljeta Progni
“31 dhjetor 1940. Ajo natë nuk kje natë gzimi: nji ndër bijt ma në za të Shqipnisë mbulohej në dhe të zi. Nuk pati andrra lirije, pse dy pushtues të huej luftojshin mes vedit mbi këtë truell. Qielli kje i ngrysun, i ftoftë, i merdhitun si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës. Vonë në natën e 31 dhjetorit, nji grup i vogël françeskanësh hapëm atë vorr me zemër të thyeme e me lot ndër sy. Te kryet nji kryq dullije për me çue në vend dishirin që pat lanë amanet: Nji kryq druni, t’kojsha true /nxierre e venma përmbi krye… Qindra kurora lulesh, që e mbuluen vorrin, nuk e zbukuruen atë vdekje”.
Kështu e kujtonte At Zef Pllumi atë ditë të 31 dhjetorit 1940, kur Shkodra po përcillte në banesën e fundit, At’ Gjergj Fishtën. Një prej personaliteteve më të larta të kombit tonë në shekullin e shkuar. Ishte frat françeskan, por ishte arsimtar, shkrimtar, përkthyes e publicist. Ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme, si intelektual e politikan në gjysmën e parë të shekullit XX. Por mbi të gjitha, ishte figura përbashkuese e qytetit të Shkodrës, bashkë me mikun e tij të shtrenjtë, Hafiz Ali Krajën.
Është e njohur në Shkodër, historia e miqësisë së tyre. Është e njohur gjtihashtu edhe historia e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, kur At’ Gjergj Fishta i shtrinte dritat e festave nga kisha, për t’i lidhur me Xhaminë.
Kur ndërroi jetë, At’ Gjergj Fishta, në varrimin e tij, morën pjesë personalitete të Shkodrës, e gjithë Shqipërisë. Patër Gjergj Fishta u varros me nderime të mëdha, më 31 dhjetor të vitit 1940. Hafiz Ali Kraja ishte një ndër personalitetet e larta që mori pjesë në atë ceremoni, dhe aty, mbajti një fjalim brilant për mikun e tij të çmuar, at Gjergj Fishtën. Hafiz Ali Kraja ishte një ndër intelektualët e famshëm mysliman nga qyteti i Shkodrës.
Fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të klerikut të shquar, at Gjergj Fishta, është një ndër fjalimet më të bukura të mbajtura në raste të tilla.
Ajo çfarë e bën më të veçantë, është fakti se si një hoxhë i thurr një tekst të tillë të lartë një prifti. Ata ishin intelektualë të shquar dhe ajo ishte me të vërtetë bashkëjetese fetare.
Fjalimi
“Poet kombëtar, Pater Gjergj!
Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…
Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.
Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…
Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme…”
Jo shumë vite më vonë, regjimi komunist do të lëshohej pa mëshirë, për të asgjësuar mendjet e ndritura të kombit tonë. Fishta kishte ndërruar jetë e ishte në varr në fundin e kishës së françeskanëve, por për regjimin komunist, emri dhe vepra e tij ishin shqetësim i madh për regjimin.
At Zef Pllumi e ka përshkruar dhunën e pashembullt të komunistëve mbi varrin e At’ Gjergj Fishtës, në revistën “Hylli i dritës” në vitin 1996.
“Nji vorr për Atë Gjergj Fishtën”
Dukej sikur në luftën e madhe të popujve mëndje çoroditun Fishta po binte fli. Vorri ishte aty, në fund të kishës. Heshtje e mallëngjim. A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-trës me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin “botën e re”: “Internacionale do të jetë bota e re!”.
Para tyne u duk sikur kombit tonë iu përvdorën të gjithë hyjt e diejt e vet. Nga vorri në fund të kishës u hoqën në fillim kunorat me lule. Kryeqi dullije u zhgul. Mbet vetëm nji rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emen e pa kombsi. “Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë , pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron.
Në vitin 1967, kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen.
Simbas nji dishmitari okuar, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin. Partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino-teatër, ndoshta nga friga se nga fundi i Kishës mund të ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem. Por ai çast i turpshëm për mbarë kombin dhe racën shqiptare ishte pregatitë kaherë: fillonte që te programet e para shkollore të pushtetit të ri. Vazhdonte me urdhën partiak, në fillim në surdinë te mbledhjet e plenumet e shkrimtarëve e gjuhëtarëve ndër rrethe të mbyllura, deri që shpërthente haptë me korin e neveritshëm të shkrimtarëve, kritikëve e historianëve të realizmit socialist, që u vunë në garë mes vedit se cili po hjedh gurë e baltë më shumë mbi poetin.
I mbetun pa vorr, Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me herojt e epopesë së tij. Me gjasë lexuesit e tij nuk dinin kurrgja mbi fatin e trupit e t’eshtnave , dinin se kishte dikund një vorr, ku Poeti pushonte në paqe , ndoshta as nuk u jepnin randësi të mbetunave të tij. Ndërkaq në heshtje nën za, recitonin me ngulm kangët e “Lahutës së Malcis”, ky ishte një veprim konspirativ antishtetnor, antisocialit, antitiranik, antiservil që dënohej së paku me 10 vjet burg.
(Marrë nga “Hylli i Dritës”)
ObserverKult
Lexo edhe: