“Princi i Vogël”, libri i dashur për fëmijë e të rritur ku autori projekton idealin për një botë humaniste

I cilësuar si një libër për fëmijë dhe të rritur, ky tregim filozofik për botën moderne mund të jetë libri më i dashur në botë.

“Princi i vogël” i Antoine de Saint-Exupery-së e shikon botën përmes syve të një fëmije, por  konkluzionet e tij i formulon me fjalët e një të urti.

“Është fare e thjeshtë: vetëm zemra sheh mirë. Thelbi për sytë është i padukshëm” ose: “Është koha që ti ke humbur për trëndafilin tënd, ajo që e bën atë kaq të rëndësishëm”, Janë vetëm dy nga thëniet e famshme të djaloshit të vogël leshverdhë, që vinte nga Asteroidi B612.

Në tregimin e tij përrallor “Princi i vogël”, i cili u botua për herë të parë më 6 prill 1943 në Nju Jork në anglisht dhe frëngjisht, Antoine de Saint-Exupery ka trajtuar temat thelbësore të kohës kur jetonte, por ato duket se mbeten gjer më sot aktuale.

Ato janë: rënia e vlerave në shoqërinë moderne, me përparimin e teknologjisë, me konsumin dhe pronësinë dhe para së gjithash miqësia dhe dashuria.

“Princi i vogël” konsiderohet si vepra ku Saint-Exupery projekton idealin e tij për një botë humaniste dhe me të cilin, autori i librit, i cili për nga profesioni ishte pilot, e çimentoi përfundimisht famën e tij botërore.

Në listën e librave më të shitur, hartuar nga “Goodreads’, ai renditet i treti, pas “Tregimi i dy qyteteve” me 200 milionë kopje dhe “Zoti i unazave” me 150 milionë kopje të shitura.

“Princi i vogël është një nga librat më të përkthyer në botë. Ai është përkthyer në 250 gjuhë, madje edhe në dialekte.

Në novelë ka shumë nga jeta private e autorit, duke filluar që nga bashkëshortja, Consuelo Suncin, shkrimtare dhe artiste surrealiste nga Salvadori. Një grua me shpirt bohem, vaniteti dhe guximi i të cilës mund të jenë bërë frymëzim për Lulen.

“Princ i vogël” në fakt ishte një lloj nofke me të cilën e thërriste autorin e dashura e tij e fundit, një algjeriane që ai e quante “vajza e vogël”. Ata u njohën në një tren në Algjeri, në vitin 1943, dhe shkëmbyen letra deri në vdekjen e shkrimtarit. Letrat më pas u botuan në një vëllim me titullin “Letra një të panjohure”.

Libri nis me një fluturim. Saktësisht një fluturim ku piloti i sapozbritur në tokë takon një fëmijë në shkretëtirën e Saharasë. Ky detaj ka lidhje me një histori të vërtetë. Në vitin 1935, në pjesën libiane të Saharasë, shkrimtari për pak do të kishte vdekur nga etja.

Ndërsa fundi i librit ka të bëjë me një zhdukje. Ashtu siç vetë Antoine de Saint-Exupéry u zhduk, pasi aeroplani i tij humbi gjatë një misioni më 31 korrik 1944.

64 vjet më vonë, në vitin 2008, Hors Rippert, ish-pilot gjerman, deklaroi se kishte qëlluar dhe rrëzuar një aeroplan në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë kur u zhduk aeroplani me të cilin fluturonte Saint-Exupéry./ ObserverKult