Gjatë një qëndrimi të rastësishëm në stacionin e trenit në Shkup, Izet Krivanjevës nga Kaçaniku i lindi ideja për një formë arti më të veçantë. Tash e 30 vjet e praktikon këtë art në një kthinë të shtëpisë së tij.
Objektet që i sheh, i shndërron në figura artistike të punuara me tel e thumba, mbi një dërrasë të zezë.
Natyrisht që ka edhe shumë punime që janë tërësisht të bazuara në imagjinatën e tij.
Tregon për format që përdor dhe që motivohet më shumë nga objektet simetrike, raporton “Express” i KTV-së.
Pavarësisht që një punim i tillë kërkon shumë përkushtim, ai me një energji vazhdon të rrisë numrin e punimeve të tij.
Për ta përfunduar një punim ai nuk ngutet, sepse gjithçka varet nga forma dhe madhësia e punimit.
Interesimi për këto punime u rrit kur ai krijimet e tij i ekspozoi në shtëpinë e kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, ku ishte i ftuar edhe një delegacion nga Zvicra.
Ishte mësues për shumë vjet me radhë dhe thotë se gjithmonë është munduar që edhe nxënësve t’ua mësojë këtë lloj arti.
Me pasion ua jep miqve e të njohurve, por ka raste edhe kur i shet punimet që bën.