Nga Ilir Sefaj
Një krijues që u vlerësua shumë, qysh në paraqitjen e tij të parë, është pa mëdyshje poeti tiranas Ervin Hatibi, i cili ende pa i mbushur të pesëmbëdhjetat boton librin e parë me poezi Përditë shoh qiellin (1989). Talenti i tij fillimisht u vlerësua nga shkrimtari Besnik Mustafaj, pastaj edhe nga shkrimtari i shquar Ismail Kadare, i cili kur flet për poezinë e Hatibit, ndër të tjera shton: “Hatibi është një nga poetët më të talentuar të brezit të ri”.
I formuar në klimën e kapërcimit nga shoqëria totalitare në atë liberale, Ervin Hatibi është përfaqësues tipik i brezit të vet, brezit të poetëve të viteve ’90, tek të cilët ironia dhe persiflazhi janë mjete mbizotëruese të shprehjes poetike.
Poezia e Ervin Hatibit ironizon fenomenet negative të jetës dhe resemantizon vlerat e fetishizuara universale: lirinë individuale, lirinë e të gjykuarit, lirinë e ndjenjës, dhe këto shpërfaqje idesh e motivesh poeti i realizon me pasionin e një talenti të vërtetë, vargu i të cilit shquhet për; frymëzim, nerv, pasion, kreativitet, gjallëri:
Këtë të shtunë
Dashuria hapi këmishën e saj prej nape
Krisën kopsat përdhe
Ne u derdhëm të kafshonim gjinjtë e saj prej smalti
Ne dihatnim, nuk dihet a vërtet deshëm këtë:
Ca puthje me jehonë alkooli.
Këto vargje të Ervin Hatibit mëtojnë t’i shpërfaqin ndjenjat, emocionet e poetit karshi recipientit, duke e konsideruar lexuesin real si objekt që vrojtohet jo drejtpërdrejt, andaj idetë e poetit sikur bashkëdyzohen me ato të recipientit.
Faktikisht, poeti ka dy role që funksionalizohen në tekstin letrar, në njërën anë na shfaqet Ervini poet, dhe nga një këndvështrim tjetër sikur takojmë Ervinin lexues!
“Poeti zbulon në jetën e përditshme emocione me të cilat dëshiron të identifikohet, por pasi t’u ketë bërë një ‘diagnozë’ filozofike. Shumë herë në vargjet e tij vihet re struktura ironike, sarkastike, fshikulluese, madje në ndonjë rast, poeti ndërton edhe polemika në distancë, për fenomene e dukuri me të cilat nuk është aprovues”, konstaton studiuesi Raland Zisi.
Poezia e Ervin Hatibit jep imazhin e një bote në lëvizje, e cila në optikën e poetit i ngjan një kaosi tipik, kaos ky të cilin njerëzit e rëndomtë nuk e vërejnë ose bëhen sikur nuk e vërejnë, ata kanë hallet e tyre! Megjithatë, ka të tillë që ironizojnë këtë mospërfillje të individit, indiferencën e këtij të fundit karshi faktit se njeriu duhet t’ju përshtatet rregullave që i janë “imponuar”, andaj poeti rri zgjuar dhe mediton, ai pikturon tablo të një bote sa reale aq abstrakte e paradoksale:
qyteti nuk pret më vizita
e ju mos pritni vizione të reja
këto orë janë dritaret e fundit të qytetit
nuk e di nga i di gjithë këto gjëra natën
po prapë dëshmoj se e ndjej
fundin harmonik; e kanë ndjerë edhe baballarët
të papërgjegjshëm
fill pasi lageshin nëpër mishin e dyshimtë që më polli
e ndaluar
Subjekti lirik ndien dihatjen që ka kapluar individin në këtë botë pa kornizë, në këtë botë ku gjithçka duket sikur lëviz pa ndonjë vizion të caktuar, ose pa pasur ndonjë qëllim final, andaj sipas Zisit: “Në vargjet e tij zbulohet metafizika e sjelljeve dhe e gjendjeve jetësore të njeriut dhe të shoqërisë ku bën pjesë”.
Shprehja poetike e Ervin Hatibit shumë lehtë do të mund të vendosej edhe brenda kornizave të një pikture, ku do të kishim pasur mundësinë që ta vrojtojmë edhe vizualisht botën e pasur e imagjinative të poetit, përpjekjen e tij për ta dhënë ekuivalentin ekzakt të gjendjes së tij shpirtërore, mënyrën e të perceptuarit të botës.
Vargje të metafizikës urbane
Poezia e Ervin Hatibit mbart forcën e një meditacioni dhe rebelimi të thellë të mbushur me imazhe lëvizëse, të cilat poeti mëton t’i shpërfaqë nëpërmjet një tipologjie letrare e cila është krejtësisht unikale dhe e panjohur më parë në letrat shqipe, madje kjo mënyrë përqasjeje karshi aktit krijues është krejtësisht e huaj dhe e paidentifikuar deri në dekadën e fundshekullit pararendës.
Kjo poezi ç’rëndomtëson të rëndomtën, e fut në lëvizje statikën, dhe u jep shpirt gjërave të ‘vdekura’, pra ky varg është i mbushur me ironi, sarkazëm, humor absurd, protestë, dëshpërim, dhe kur poezia ka këto atribute doemos se ngacmon emocionet e lexuesit.
Në fakt, kur lexojmë krijimet poetike të këtij poeti, shumë lehtë e kuptojmë intencën e këtij të fundit që lexuesit t’i ofrohet diçka ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta lexojmë. Pra, një qasje metafizike e lirikës urbane e liruar krejtësisht nga metarrëfimet është produkt i brezit të krijuesve avangardë si: Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Rudian Zekthi, Mimoza Ahmeti, Gentian Çoçoli, Ilir Belliu, e disa të tjerë.
Nëse e bëjmë një digresion këtu, themi se të kësaj ndjeshmërie poetike janë edhe poezitë e librit “Përkryerja e shiut”, të poetit Basri Çapriqi, arti poetik i të cilit për shumëçka ngjason me atë të Ervin Hatibit. Gjuha e depatetizuar, figura e ironisë, stili autentik etj., janë vetëm disa nga karakteristikat që këtë autor, pra B. Çapriqin, e bëjnë poet të shquar të ironisë, sikurse edhe E. Hatibin.
Sidoqoftë, arkitektura e vargut të Ervin Hatibit është tejet komplekse në thelbin e saj, ngase ky varg ka aftësinë e të fotografuarit të pamjeve ashtu në lëvizje që herë-herë të duken Dẻjả vu, pra pamje që të krijohet përshtypja sikur i ke takuar njëherë e dikur.
Poeti me vargun e tij ironizon mendësinë e shoqërisë shqiptare të periudhës së tranzicionit. Në veçanti objekt përqeshjeje bëhen vajzat e reja të cilat parapëlqenin të ‘përvetësonin’ çdo gjë që vinte nga jashtë, gjëra që mbase në periudhën e kapërcimit nga njëri në sistemin tjetër, duken disi ‘normale’:
Goca të buk’ra të rinisë sime të parë
Për ju më hapen e më bien përduarsh
Freskoret kineze të enumeracionit
Me ju hapen e mbyllen afresket
Përgjithësisht bardhezi
Të arkivave të tranzicionit
“…Sonila Sopi u gjet e therur
Në Milano, në plehra e hedhur’
Gocat e buk’ra të rinisë sime të parë
Ju ishit pa e ditur dhe pa faj
Bija të luleve të San Françiskos oqeanike
Por shampot ju vinin nga Bullgaria
Fallco dhe ballkanike
Ju vetëm liri, liri kërkonit…
Janë këto vargjet e poezisë Vajzat e tranzicionit, të cilat me një ton sarkastik e fshikullues ironizojnë ngarendjen e këtyre vajzave pas së panjohurës, e cila, megjithatë jo rrallë shpie në absurditet.
Nëpërmjet vargut të tij, jo më pak, poeti ironizon dhe shprehë revoltë kundër trafikantëve të ndryshëm, të cilët i ‘mashtronin’ vajzat e reja, duke iu premtuar atyre një jetë më të mirë, mirëpo këto vajza faktikisht shumë shpejt e gjenin veten duke ushtruar profesionin e prostitutës.
Gjithsesi, kujtoj se arti poetik i Ervin Hatibit, merr statusin e posmodernes jo se vepra e tij është e mbrujtur me figurën e ironisë, e cila konsiderohet si figurë kryesore e postmodernizmit, por veprës së tij i atribuohet kjo vlerë, për faktin se në të, zë vend të rëndësishëm elementi fantastik e misterioz, pra arti poetik i këtij autori është një ars combinatoria, ku vihet në pah gërshetimi i reales (faction) me fantastiken (fiction) dhe kjo ndërliksje e këtyre elementeve rëndom vjen si rezultat i kombinimit të formës dhe stilit unik të të rrëfyerit.
Stilistika, ligjërimi poetik i Hatibit rëndom është bisedor, por parodizues dhe ky diskurs vihet në shërbim të motivit, në shërbim të idesë, pra kjo qasje jokonvencionale e të shprehurit e vë në pah qëndrimin, pikëpamjen e poetit për jetën, për botën në përgjithësi, dhe kjo mënyrë e të perceptuarit të gjërave, realizohet nëpërmjet një procedeu unik të të rrëfyerit:
E vjedhim botën nga ky cep i vogël fare ne
Aq sa mundim, kurrë sa ç’mundohemi
Shesim qumësht të freskët për banja si dhe shalqi
Na blejnë edhe kapela të thurura me duar
që rriten aty nëpër ligatat pas shtëpisë prej eterniti.
Hapen në rërë çadrat e plazhit, tej xhadesë…
Këto vargje dëshmojnë artistikisht se jeta tokësore e individit kapërthehet mes vorbullës për të përvetësuar sa më shumë nga ajo, dhe ndeshjes së po këtij individi me realitetin objektiv, realitet ky i cili i ofron këtij të fundit vetëm diçka nga ajo që ai synon ta përvetësojë.
Ervin Hatibi më parë se zë i cili kërkon thyerjet e traditës për t’i hapur rrugë individualitetit krijues, nëpërmjet verbit të tij poetik, shtron kërkesën imanente e cila mëton njohjen e njeriut bashkëkohës, botën shpirtërore e imagjinative të këtij njeriu, dhe këtë njohje poeti e realizon “për së brendshmi” psikologjikisht.
Poezia e Hatibit në tërësinë e saj u takon temave të metafizikës urbane, dhe lëndë e këtij poeti për kultivimin e këtyre temave është detaji, ndërkaq konstantë poetike, vlerë e kësaj vepre është figura e ironisë, diskursi autentik (zhargoni), dhe gjuha e depatetizuar e cila reflekton emocionin autorial.
Poeti dhe studiuesi S. Bejko kur flet për platformën poetike të Ervin Hatibit ndër të tjera jep edhe këtë vlerësim: “Ervin Hatibi, poet dhe publicist i njohur, me poezinë e tij të një sarkastike që proteston e dhemb njëherësh, është një zë i një nxehtësie therëse e plot nerv. Hatibi ngjan se është dhe në dashuri, por më shumë në mëri, me një botë të tillë. Në fërkime të tilla shpirtërore prodhohet një ironi e mllefët, që nuk kursen askënd, as vetveten”.
Së këndejmi, përkundër asaj që u shtrua këtu, kujtoj se vepra poetike e Ervin Hatibit nuk është e studiuar sa duhet, ani pse kjo vepër është e hapur dhe pret vlerësimin e kritikës letrare. Megjithatë, kam përshtypjen se kushdo që tenton të merret me krijimtarinë poetike të këtij autori, duhet ta ketë parasysh vetëdijen e cila e ka shoqëruar përherë këtë krijues, Hatibi e sheh artin letrar si: differentia specifica (aktivitet krijues i veçantë)./ ObserverKult