Pse ka kaq shumë urrejtje në botë?

Nga Sheila Kohler

Fraza ndoshta më e famshme e hapjes së një libri, është në romanin “Anna Karenina” të Leon Tolstoit:”Të gjitha familjet e lumtura janë njësoj, çdo familje e palumtur, është e tillë në mënyrën e vet”. Kjo është një fjali hapëse e shkëlqyer, sepse lexojmë për një familje të palumtur, dhe arsyeja se përse ajo është e tillë, i takon Tolstoit ta thotë.

Sepse në fakt, a është e vërtetë kjo? A janë familjet e lumtura gjithmonë të njëjta? Sigurisht, është më e lehtë të shkruash një roman mbi një familje të palumtur, ku ka grindje të një lloji, ku ndarjet dhe konfliktet janë me bollëk. Dhe sigurisht që sot ndjejmë në shoqërinë tonë, se mund të biem dakord mbi shumë pak gjëra.

A ka qenë gjithmonë kështu, apo gjërat po shkojnë nga keq në më shumë keq, se sa media do të donte që ne ta besonim? Po çfarë ka ndodhur me idealizmin të “Brezit të Madh” të pas Luftës së Dytë Botërore, që dukej se kishte qëllime dhe një kauzë të përbashkët, rreth së cilës ishin tubuar që të gjithë, duke mbjellë perime në kopshtin e fitores, dhe punuar bashkë për të mposhtur një armik të përbashkët? A është zhdukur ai vërtetë?

Ndoshta gjurma është ende aty. Në fakt, ne nuk kemi një armik të përbashkët. Armiku ynë është bërë “tjetri”, pavarësisht se çfarë mund të jetë “tjetri” për ne. Ne kemi të gjithë një agression të madh brenda vetes; kemi një anë të errët, dhe politikanët, gazetarët, shkrimtarët, duhet ta nxisin këtë urrejtje, dhe ta projektojnë atë mbi të tjerët, në mënyrë që të na nxisin të votojmë për ta, apo të lexojmë tekstet e tyre.

Pse jemi kaq të interesuar për një histori misterioze, apo për një roman me një krim në qendër e tij? Pse ndjekim shfrytëzimet e një vrasësi serial, apo ose në rastin e Tolstoit, tregimin e një gruaje që në fund shkon drejt vetëvrasjes? Në një farë kuptimi, politikanët dhe shkrimtarët, përdorin mjete shumë të ngjashme.

Ata duhet të fitojnë vëmendjen e bazës së tyre elektorale, apo lexuesve të tyre, dhe ata e dinë se dhuna e një lloji, është shpesh një burim i mirë interesi, dhe se që të gjithë ne kemi disa agresione brenda nesh, ndaj është i dobishëm portretizimi i dhunës, i njerëzve të ligj, i dikujt që rreh qenin e tij.

Politikanët duhet të nxisin emocionet tona kundër një armiku, ashtu si shkrimtarët duhet të angazhojnë interesin e lexuesve të tyre, duke portretizuar emocione të larta, rreziqe të mëdha. Ne duhet të besojmë se kemi shumë për të humbur: vendin, paratë tona, gratë apo njerëzit tanë. Politikanët apelojnë për ”urrejtje” të një lloji, për të tjerët që janë të portretizuar ndryshe nga ne, dhe që vështirë se mund të cilësohen kriminelë, ose thjesht si njerëz që do të garantojnë mbështetje elektrorale.

Përmes këtij mekanizmi, ata na japin mundësi të projektojmë mbi të tjerët dëshirat tona të errëta. Është më e lehtë të tërheqësh interesin e publikut mbi një njeri të lig, një vrasës serial, apo një shtrigë të çuditshme, sesa mbi dikë që bën jetën e zakonshme të një qytetari të respektuar.  Ndoshta, ne duhet të kujtojmë humanizmin tonë të përbashkët, faktin se në fund, ne jemi të gjithë më shumë të ngjashëm se sa të ndryshëm. Dhe se njerëzit e ligj, janë po aq të rrallë sa edhe heronjtë e vërtetë.

Shënim: Sheila Kohler, është shkrimtare jug-afrikane që jeton në SHBA, autore e 15 librave. Romani i saj më i fundit titullohet “Duke ëndërruar Frojdin”.

“Psychology Today”

ObserverKult