Nga: Stieg Larsson
Përktheu: Elona Caslli
Gazetari dhe shkrimtari i njohur suedez, Stieg Larsson, e shkroi këtë letër në vitin 1977, para se të nisej për një udhëtim në Afrikë, për të dashurën e tij Eva Gabrielsson. Mbi zarf shkruhej “Të hapet pas vdekjes sime”. Ai u kthye shëndoshë e mirë nga udhëtimi në Afrikë. Kjo letër ra në duart e Evës 27 vite më pas, në vitin 2004, kur Larsson vdiq.
Eva, Dashuria Ime.
Erdhi fundi. Fundi vjen për gjithçka, herët a vonë. Vjen një ditë që gjithçka mbaron.
Dhe ndoshta kjo është një nga të vërtetat më magjepëse që dimë për Universin.
Yjet vdesin, galaksitë vdesin, planetet vdesin. Edhe njerëzit vdesin.
Kurrë nuk kam qenë besimtar, por ditën që fillova të lexoja për astronominë, më iku edhe ajo pak frikë që kisha nga vdekja.
Kuptova se krahasuar me Universin, një qenie njerëzore, një qenie e vetme njerëzore si unë, është shumë e vogël.
Nuk po e shkruaj këtë letër për të të dhënë një leksion të plotë për filozofinë apo për fenë.
Të shkruaj sepse dua të të them “ Lamtumirë”.
Sapo e mbylla telefonin me ty. Ende e dëgjoj tingullin e zërit tënd.
Të përfytyroj pranë meje, një imazh i bukur, një kujtim i shtrenjtë që do ta ruaj deri në fund.
Në këto çaste, teksa po e lexon këtë letër, ti e di se unë kam vdekur.
Dua që t’i dish ca gjëra. Unë e di se ç’më pret në Afrikë. E ndiej se ky udhëtim mund të më vrasë, por megjithatë duhet të nisem.
Nuk kam lindur për të ndenjur duarkryq .
Nuk jam i tillë. Duhet të bëj një korrigjim- Nuk isha i tillë.
Në Afrikë nuk shkoj vetëm si gazetar. Shkoj me një qëllim politik dhe për këtë arsye mendoj se udhëtimi mund të më vrasë.
Është hera e parë që të shkruaj dhe e di se ç’dua të them: të dua.. të dua… të dua…
Dua që ta dish. Dua që ti ta dish se të dua, siç nuk kam dashur kurrë njeri më parë.
Dhe dua që ta dish se jam shumë serioz kur ta them këtë.
Dua që të më kujtosh, por nuk dua që të qash.
Nëse jam i shtrenjtë për ty dhe e di që jam, do vuash kur ta mësosh që kam vdekur.
Por, nëse jam me të vërtetë i shtrenjtë për ty, mos vuaj. Nuk dua që të vuash.
Mos më harro, por vazhdo të jetosh. Jetoje jetën.
Koha do të ta lehtësojë dhimbjen edhe pse tani e ke të vështirë ta besosh.
Jeto me paqen dashuria ime; jeto; dashuro; urre dhe vazhdo luftën.
Kisha shumë të meta, e di, por shpresoj të kem patur edhe ca gjëra të mira.
Por, ti Eva, më frymëzon me një dashuri të tillë, që kurrë nuk kam qenë në gjendje të ta shpreh.
Vishu, mbaji drejt shpatullat dhe kokën mbaje lart. Kujdesu për veten, Eva.
Shko të pish një kafe.
Fundi erdhi.
Të falenderoj për çastet e mrekullueshme që kemi kaluar bashkë. Më ke bërë të lumtur.
Lamtumirë
Të përqafoj.
Me dashuri
Stieg
/ObserverKult