Një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të librit në Gjermani është anuluar për shkak të frikës nga përhapja e koronavirusit. Panairi i Librit në Leipzig, që konsiderohet i dyti për nga madhësia në Gjermani, është shtyrë për një datë tjetër. Ky vendim vjen pasi, siç ka raportuar “Frankfurter Allgemeine”, “qyteti i Leipzigut dhe Panairi i Leipzigut kanë vendosur bashkërisht për të anuluar Panairin e Librit”.
Ky hap është përshkruar si “masë parandaluese”, ashtu që virusi të mos përhapet më tej në Gjermani, ku tashmë janë evidencuar 188 raste, përfshirë edhe një në Saksoni, shtet ku ndodhet qyteti i Leipzigut. Anulimin e kanë konfirmuar edhe vetë organizatorët e Panairit, që ishte planifikuar të mbahej nga data 12 deri më 15 mars.
“Zyra Publike e Shëndetësisë në Leipzig ka vendosur për të ndjekur udhëzimin e Ministrisë Federale të Shëndetit dhe të Ministrisë së Ekonomisë, që thotë se duhet të garantohet qarkullimi i njerëzve në ngjarje të mëdha. Udhëzimi kërkon që secili pjesëmarrës në Panair duhet të japë prova të shkruara se ai ose ajo nuk është nga lokacionet e identifikuara si të rrezikshme dhe se nuk kanë pasur kontakte me njerëzit që vijnë nga lokacione të tilla”, thuhet në njoftimin e drejtorit të Panairit të Librit, Oliver Zille. “Duke pasur parasysh 2500 botuesit dhe 280 mijë vizitorët e pritur, kjo nuk ishte detyrë e arsyeshme. Shëndeti i botuesve, vizitorëve, mysafirëve, panaireve dhe i punëtorëve tanë është prioriteti ynë kryesor”.
Në këtë ngjarje ishin paraparë të merrnin pjesë edhe botuesit nga Kosova. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” kishte nisur përgatitjet për pjesëmarrje.
“Duke qenë se BKK-së nuk i takon të marrë përsipër vlerësimin e botimeve, ne iu kemi bërë thirrje të gjithë botuesve të Kosovës që t’i ofrojnë nga tre tituj për autorë shqip të përkthyer në gjuhë të huaja apo anasjelltas”, ka thënë për gazetën drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku.
Ndërsa ka theksuar se janë në pritje të njoftimeve më të detajizuara nga organizatorët e Panairit në Leipzig, ai ka bëre me dije se po përgatitej edhe një katalog me adresën e të gjithë botuesve në Kosovë.
“Katalogu do të shpërndahej me qëllim që botuesit e atjeshëm të kishin mundësi të vinin kontakte me kolegët e tyre nga Kosova. Edhe mjetet e realizuara nga shitjet do t’iu ktheheshin botuesve me t’u kthyer nga Leipzigu”, ka theksuar Gajraku.
Ndërkaq, në këtë panair ishin paraparë edhe promovime të autorëve të letërsive të ndryshme nga Evropa Juglindore. Kështu, rrjeti evropian për letërsi dhe libra “Traduki” kishte paraparë që Jeton Neziraj dhe Blerina Gaxha-Rugova të mbanin një debat mbi letërsinë dhe kulturën e Kosovës.
Në Panairin e Leipzigut edhe Shqipëria kishte këtë vit një program bashkëkohor duke u bërë pjesë e diskutimeve globale të botës së librit nën kujdesin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Rreziku nga përhapja e koronavirusit ka bërë që të anulohet edhe më i madhi panair i librit në Francë, “Salon du Livre”, që mbahet çdo vit në Paris. Kjo, pas vendimit të Qeverisë franceze për të ndaluar grumbullimin e më shumë se 5 mijë njerëzve në hapësira të mbyllura. Ngjarja pritej të mbahej prej 20 deri më 23 mars. Edhe në këtë event, botuesit nga Kosova kishin bërë përgatitjet për të marrë pjesë. “Në Paris ka qenë i planifikuar prezantimi i 25 botuesve dhe 5 shkrimtarëve”, ka thënë për gazetën Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës./ koha