Nga Albert Camus
Po që se mjaftonte të dashuroje, gjërat do të ishin shumë të thjeshta. Sa më shumë që dashuron, aq më tepër përforcohet absurdi.
Don Zhuani nuk shkon nga një grua te tjera, sepse nuk ndien dashuri, do të ishte qesharake ta përfytyroje një vegimtar në kërkim të dashurisë ideale. Por sepse i dashuron me të njëjtin pasion dhe çdo herë me gjithë qënien e tij, atij i duhet ta përsëris dhe ta thellojë këtë dhunti.
Nga secila shpreson t’i japë atë që askush tjetër më parë nuk ka dhënë. Çdo herë ato gabohen rëndë dhe arrijnë vetëm t’i zgjojnë dëshirën për këtë përsëritje. “Në fund të fundit, thotë me zemërim njëra prej tyre, unë të dhashë dashurinë”.
Nuk ka pse të habitemi kur Don Zhuani me të qeshur përgjigjet”. “Në fund të fundit? Jo, jo por një herë më shumë”. Përse u dashka të dashurojmë rrallë që të duam shumë?
A është i trishtuar Don Zhuani? Nuk besoj. Le të kujtojmë subjektin. E qeshura, paturpësia ngadhënjyese, gjallëria dhe dhënia pas aventurave, të gjitha këto janë të qarta e të gëzueshme. Çdo qenie e shëndetshme synon të shumëfishohet.
Kështu ndodh me Don Zhuanin. Për më tepër, njerëzit e trishtuar kanë dy arsye të jenë të tillë, nga padija ose nga shpresa. Don Zhuani di dhe nuk shpreson. Ai të sjell në mendje ata artistë që i njohin kufijtë e tyre, nuk i kalojnë kurrë, dhe gjatë këtij intervali të brishtë ku gjendet mendja e tyre, krijojnë me një lehtësi të mrekullueshme prej mjeshtri të madh. Pikërisht aty gjendet gjenialiteti: inteligjenca që njeh kufijtë e saj. Deri në kufijtë e vdekjes fizike, Don Zhuani nuk e njeh trishtimin.
Që nga çasti kur e njeh, e qeshura e tij shpërthen dhe ai fal gjithçka. Ai qe i trishtuar gjatë kohës që shpresoi.
Sot, në buzët e kësaj gruaje ai gjen shijen e hidhur dhe ngushëlluese të shkencës së vetme. Të hidhur? Paksa: Këtë papërkryerje të nevojshme që e bën të ndjeshme lumturinë.
Do të ishte mashtrim i madh po të përpiqeshin të shihnim te Don Zhuani njeriun që është frymëzuar nga Bibla. Sepse për atë nuk ka gjë më të kotë sesa shpresa në një jetë tjetër. Kjo gjë vërtetohet kur ai e vë jetën e tij në lojë kundër vetë qiellit. Keqardhja për dëshirën e shuar brenda kënaqësisë, kjo shprehje e rëndomtë e impotencës nuk egziston te ai. Kjo i shkon mirë Faustit, i cili besonte te zoti aq sa për t’i shitur djallit. Për Don Zhuanin gjërat janë më të thjeshta.
“Burladori”, i Molinës kërcënimeve të ferrit, u përgjigjet gjithmonë: “Më ler një afat të gjatë!” Çfarë ndodh pas vdekjes është e pavlerë dhe sa e gjatë është jeta për atë që do të jetojë! Fausti kërkonte të mirat e kësaj bote fatkeqit i mjaftonte të zgjaste dorën.
Të mos dish ta gëzosh shpirtin, do të thotë të shesësh. Don Zhuani, përkundrazi e komandon kënaqësinë. Nëse ai braktis një grua, këtu nuk e bën sepse nuk e dëshiron më. Një grua e bukur është gjithmonë e dëshirueshme. Por sepse, ai dëshiron një tjetër dhe kjo nuk është e njëjta gjë.
Kjo jetë e kënaq dhe i vjen shumë keq ta humbë. Ky i çmendur është vetë urtësia. Por njerëzit që jetojnë me shpresë i përshtaten me vështirësi këtij universi ku mirësia ia lëshon vendin zemërgjerësisë, dhembshuria heshtjes burrërore, mirëkuptimi guximit vetmitar. Dhe të gjithë thonë:”Ishte i dobët, idealist ose shenjtor”. Duhet dalluar madhështia fyese.
Njerëzit shprehin zemërimin e tyre (ose ajo e qeshura bashkëfajtore që zvetënon atë që ai admiron) për fjalimet e Don Zhuanit dhe për atë fjali të vetme që përdor me të gjitha gratë. Por për atë që kërkon sasi gëzimesh, vetëm efikasiteti ka rëndësi. Fjalët hyrëse që kanë dhënë prova, përse u dashka t’i ndërlikojmë? Askush as gruaja, as burri që i thotë, nuk i dëgjon, por i dëgjon zëri që i shqipton. Ato fjalë janë formula ose rregulla konvencionale të mirësjelljes.
Më e rëndësishmja për t’u thënë mbetet pasi mbarojnë këto formula. Don Zhuani përgatitet për këtë. Përse do të krijonte një problem moral. Ai nuk është si Manjara e Miloszit që, nga dëshira për t’u bërë i shenjtë, dënon veten. Ferri për të është një gjë, që e krijojmë vetë.
Ndaj zemërimit hyjnor ai ka vetëm një përgjigje dhe kjo është nderi njerëzor: “Unë kam nder, i thotë ai statujës, dhe e mbaj fjalën, sepse jam kalorës”.
Por do të ishte po aq gabim ta merrnim për imoralist. Në këtë pikëpamje, ai është si të gjithë njerëzit, ai ka moralin që bazohet në simpatitë ose antipatitë e tij.
Don Zhuanin e kupton mirë vetëm po ta mbash gjithmonë parasysh atë çfarë ai simbolizon në mënyrë të rëndomtë: një mashtrues të zakonshëm dhe burrin me shumë gra. Ai është një mashtrues i zakonshëm.
Me të vetmin dallim se ai është i ndërgjegjshëm për këtë dhe kështu bëhet absurd. Megjithatë, një mashtrues që bëhet i ndërgjegjshëm nuk ndryshon.
Të mashtrojë është zanati i tij. Vetëm në romane njerëzit ndryshojnë gjendjet e tyre ose bëhen më të mirë. Por në të njëjtën kohë, mund të themi se asgjë nuk ka ndryshuar dhe gjithçka është transformuar. Don Zhuani vë në veprim një etikë të sasisë, në kundërshtim me shenjtorin që synon drejtë cilësisë.
Karakteristikë e njeriut absurd është të mos besojë në kuptimin e thellë të gjërave. Këto fytyra të dashura ose të mrekulluara ai i përshkon, i magazinon, i djeg.
Koha ecën bashkë me të. Njeriu absurd është ai që nuk shkëputet nga koha. Don Zhuani nuk mendon të koleksionojë gratë. Ai do të kalojë sa më shumë dhe bashkë me to, ai shteron edhe shanset e jetës së tij. Të koleksionosh do të thotë të jesh në gjendje të jetosh me të kaluarën. Por ai nuk e pranon keqardhjen, këtë formë tjetër të shpresës. Ai nuk di të shikojë portretet.
Po egoist a është? Sipas mënyrës së vet, pa dyshim. Por edhe këtu duhet të merremi vesh. Kemi nga ata që janë bërë për të jetuar dhe ata që janë bërë për të dashuruar. Të paktën, kështu do të thoshte me qejf Don Zhuani.
Kështu do të ishte po t’i binim shkurt siç mund të bëjë Don Zhuani. Sepse dashuria, për të cilën po flasim këtu, është zbukuruar me iluzionet e përjetësisë. Të gjithë specialistët e pasioneve na mësojnë se dashuri të përjetshme ka vetëm kur ajo pengohet.
Nuk ka kurrë pasion pa luftë. Një dashuri e tillë merr fund vetëm në kontradiktën e fundme që është vdekja.
Duhet të jesh vërtet ose hiç. Edhe këtu ka shumë mënyra për të vrarë veten, një nga të cilat është dhënia e plotë e vetvetes ose harrimi i vetvetes. Don Zhuani, ashtu si dhe të tjerët, e di që kjo mund të jetë prekëse.
Por ai është nga të vetmit që e di se rëndësia nuk qëndron aty. Ai di, gjithashtu, shumë mirë se ata që një dashuri e madhe i shkëput nga e gjithë jeta vetjake pasurojnë ndoshta vetveten, por me siguri varfërojnë jetën e atyre që dashurojnë.
Një nënë, një grua e pasionuar e kanë detyrimisht zemrën e tharë, sepse janë larguar nga bota. Një ndjenjë e vetme, një qënie e vetme, një fytyrë e vetme, gjithçka gllabërohet. Don Zhuanin e vë në lëvizje një dashuri tjetër dhe kjo është çliruese.
Ajo sjell me vete të gjitha fytyrat e botës dhe drithërima e saj buron ngaqë e di veten të përkoshme. Don Zhuani ka vendosur të jetë hiç.
Për të shtrohet problem të shohë qartë. Ne quajme dashuri atë ndjenjë që na lidh me qënie të tjera duke iu referuar një mënyrë kolektive të të parit, për të cilën librat e legjendat janë përgjegjës. Por nga dashuria unë njoh vetëm atë përzierje dëshire, dhembshurie e mirëkuptimi që më lidh me një qënie.
Kjo përzierje nuk është e njëjta për një qënie tjetër. Nuk kam të drejtë t’i quaj të gjitha këto përvoja me të njëjtin emër. Kjo më detyron të mos i kryej më të njëjtat gjeste. Njeriu absurd përsëri shumëfishon atë çfarë ai nuk mund ta unifikojë.
Kështu, ai zbulon një mënyrë të re të të qënit që e çliron, të paktën po aq sa çliron ata që i afrohen.
Dashuria është bujare vetëm atëherë kur e di që është kalimtare dhe e veçantë. Të gjitha vdekjet e të gjitha rilindjet krijojnë për Don Zhuanin gjelbërimin e jetës së tij. Kjo është mënyra e tij për të dhënë idetë dhe për të bërë të jetosh.
Po ju lë të gjykoni vetë në mund të flitet për egoizëm.
Këtu kam parasysh të gjithë ata , të cilët duan patjetër që Don Zhuani të ndëshkohet. Jo vetëm në jetën tjetër, por edhe në këtë jetë. Më vijnë në mendje gjithë ato përralla, legjenda dhe ato përpjekje për Don Zhuanin e plakur.
Por Don Zhuani është i gatshëm. Për një njeri të ndërgjegjshëm pleqëria dhe gjithçka që ajo sjell me vete, nuk e venë në befasi. Ai është i ndërgjegjshëm vetëm në atë masë që ai nuk ia fsheh vetes tmerrin.
Në Athinë gjendej një tempull kushtuar pleqërisë. Aty çonin fëmijët. Për Don Zhuanin, sa më shumë e përqeshin, aq më shumë ai akuzon veten. Në këtë mënyrë, ai kundërshton imazhin që krijuan për të romantikët.
Ky Don Zhuani i cfilitur dhe për të ardhur keq nuk bën asnjë për të qeshur. U vjen keq dhe vetë qielli do ta falë?
Por jo, nuk është kështu. Në universin e Don Zhuanit përfshihet gjithashtu edhe qesharakja.
Do t’i dukej normale që ta ndëshkonin. Kjo është rregulla e lojës. Po ai e di se ka të drejtë dhe se nuk mund të bëhet fjalë për ndëshkim. Një fat nuk është i barabartë me një dënim.
Ky është krimi i tij dhe tani kuptohet përse njerëzit, që synojnë përjetësinë, kërkojnë të ndëshkohet. Ai arrin me një shkencë pa iluzione që mohon gjithçka që ata predikojnë.
Të dashurosh dhe të zotërosh, të fitosh dhe të shterosh, ja kjo është mënyra e tij e njohjes. (Ka shumë kuptim në këtë fjalë të zgjedhur të shkrimeve të shenjta, ku ‘të njohësh’’ quhet akti i dashurisë).
Ai është armiku i tyre më i madh në atë masë që injoron. Një kronikan thotë se ‘’Burladori i vërtetë vdiq i vrarë nga françeskanët, të cilët donin t’i jepnin fund teprimeve dhe mëkateve të Don Zhuanit, të cilin origjina e shpëtonte nga ndëshkimi”.
Më pas, ata shpallën se e kishte dënuar qielli. Askush nuk ka dhënë prova për këtë në fund të çuditshëm. Askush nuk ka provuar gjithashtu të kundërtën. Por pa qënë i sigurtë se ka ndodhur kështu, mund të them që kjo gjë është logjike.
Këtu dua të ndalem posaçërisht te fjala ‘’origjinë’’, dhe të luaj me fjalët: nga jeta, ai siguronte pafajësinë. Nga vdekja, atij i erdhi fajësia që tani është bërë legjendë.
Çfarë kuptim tjetër do të kishte guri, kjo statujë e ftohtë e vënë në lëvizje për të ndëshkuar gjakun, trimërinë që guxuan të mendonin? Të gjitha pushtetet e Arsyes së amshuar të rendit, të moralit të përbotshëm, e gjithë madhështia e huaj e një Zoti që zemërohet përmblidhen tek ai.
Ky gur gjigand dhe pa shpirt simbolizon vetëm ato forca që Don Zhuan i ka mohuar përgjithmonë. Por misioni i statujës mbabron këtu.
Rrufeja dhe bubullima mund të ngjiten përsëri në qiellin e rremë nga ku i zbritën. Tragjedia e vërtetë luhet jashtë tyre. Jo. Don Zhuani nuk vdiq nën një dorë të gurtë.
Pa dashje, më vete mendja në sfidën legjendare, në atë qeshjen e paarsyeshme të njeriut të ndershëm që ngacmonte një perendi që nuk egzistonte.
Por më shumë besoj se atë mbrëmje që Don Zhuani priste tek Ana, statuja nuk erdhi dhe se i pafeu ka ndier, pas kalimit të mesnatës, hidhërimin e tmerrshëm të atyre që kanë pasur të drejtë.
Më lehtë pranoj rrëfimin, sipas të cilit, për t’i dhënë fund jetës u varros në një manastir. Nuk them se ana moralizuese e kësaj historie është më bindëse.
Çfarë strehëze t’i kërkosh Zotit? Por kjo pasqyron më shumë përfundimin logjik të një jete të tërë të përshkuar nga absurdi, zgjidhjen e egër të një jete me fytyrë të kthyer nga gëzimet pa të nesërme. Këtu kënaqësia përfundon në ankesë.
Duhet të kuptohet se ato mund të jenë si dy pamje të së njëjtës varfëri. Çfarë pamje më e frikshme mund të pritet: ajo e një njeriu që tradhëtohet nga trupi i vet dhe që, meqë nuk ka vdekur në kohën e duhur, bëhet qesharak duke pritur fundin e tij, ballë për ballë me një zot që nuk e adhuron, që i shëron ashtu si i ka shërbyer jetës, i gjynjëzuar para boshllëkut dhe me krahët nderur drejt një qielli të pashprehshëm, dhe të cekët.
E përfytyroj Don Zhuanin në një birucë të atyre manastireve spanjolle të shpërndara nëpër kodra.
Dhe nëse sheh ndonjë gjë, këto nuk janë fantazmat e dashurive të shkuara, po, ndoshta nëpërmjet një frëngjie përvëluese, ndonjë kodër të heshtur të Spanjës, toke mrekullueshme dhe pa shpirt ku ai gjen vetveten.
Fundi i fundmë, i pritur, por jo i dëshiruar, fundi i fundmë është i neveritshëm.
*Titulli origjinal: “Donzhuanizmi”,
Shkëputur nga libri Albert Kamy, “Miti i Sizifit ” , Shtëpia Botuese “Fan Noli”, Tiranë,
Përktheu: Petrit Sinani
ObserverKult
Lexo edhe:
CAMUS: NJERIU ËSHTË E VETMJA KRIJESË QË REFUZON TË JETË ÇFARË ËSHTË
ObserverKult ua sjell disa thënie nga autorë të ndryshëm:
Shndërrohu në një person më të mirë dhe sigurohu të dish mirë kush je, përpara se të njohësh dikë tjetër e të presësh që ky person të dijë se kush je./ Gabriel García Márquez
Cilado qoftë gjëja që ne duam, është ajo që jemi./David Leavitt
Njeriu është e vetmja krijesë që refuzon të jetë çfarë është./ Albert Camus
Ti je ai që e di se je, e jo çfarë të tjerët thonë për ty./ Paulo Coelho
Thëniet tjera mund ti lexoni KËTU:
ObserverKult