Gjeto Turmaj
Dita e 17 majit të vitit 1947, nuk ishte njësoj si të tjerat për infermieren Marije Ndoja. Në klinikën ku ajo u shërbente të sëmurëve, erdhi i larë me gjak, trupi i priftit fort të dashur për lezhianët, kosovari At Serafin Koda. Marija bëri ç’ishte e mundur që t’i mjekonte plagët e thella, por nuk mundi ta shpëtonte, sepse hetuesit e Sigurimit të Shtetit e kishin sakatuar priftin, vetëm se ai nuk po pranonte të fajësonte miqtë e tij priftërinj, nuk pranoi që të thoshte të pavërtetën për ta, dhe kështu, vdiq në tortura. Pasi Marija bëri sa mundi për ta shpëtuar bashkë me priftërinjtë e miq të At Serafinit, sfida tjetër ishte varrosja e trupit të klerikut në fshehtësi.
Arrestimi dhe burgosja
Serafin Koda ishte famullitar në Lezhë kur e arrestuan. Kjo ndodhi pasi ata sigurimsa më parë bënë një takim, për të diskutuar rreth problemeve ekonomike, me Fretnit e Kuvendit, por në fakt, aty oficerët e sigurimit u aktivizuan sikur ndonjëherë për t’i dhënë kuptim politik. Ashtu të lidhur, e veçojnë në një nga dhomat e Kuvendit, duke e torturuar me metodat më çnjerëzore, psikologjike dhe fizike, me alibi të sajuara, si një ndër kundërshtarët e regjimit komunist dhe për rrëzimin e pushtetit të tyre. I kërkonin bashkëpunim, për të dëshmuar kundër klerikëve të tjerë, që Sigurimi i Shtetit të arrestonte inteligjencën e klerikëve. Ishte maji i vitit 1947, sapo i kishte lënë të 54 vjetët e pikërisht, sa cituam më lart, më 25 prill. Ajo ditë u festua nga ai dhe vëllezërit e tjerë klerikë, dhe ai u shpreh mjaft entusiast, se ishte i lumtur që kishte lindur në atë datë, që për të ishte simbolike, se përkonte me Ditën e Ungjilltarit, Shën Markut. Kjo datë gjithashtu i ngjallte nostalgji për vendlindjen, se në Janjevë ishte hapë Shkolla e parë Shqipe në vitin 1671, një letër historike që mbante datën 10 Prill 1683 e vetë shënimi i Pjetër Bogdanit te libri “Çeta e Profetëve”, e cila është dërguar aso kohe prej Janjëve.
Hetuesia dhe torturat: Nuk vonoi shumë e meshtari trim ju nënshtrua pyetjeve nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit, dhe torturave nga më çnjerëzoret dhe huligane.
– Hë, po na thuaj o prift Serafin, çfarë komploti armik keni përgatitur kundra pushtetit tonë të pavdekshëm komunist?
– Kurrësesi, jo dhe jo, as unë, madje e asnjë prej shokëve të mi. As nuk kemi menduar, absolutisht, atë çka ju më thoni, shoku Hetues, Jo, Jo Në asnjë mënyrë !
– A e dëgjoni si më thotë ky mua?! Po unë nuk jam shoku yt, more armik i popullit, këlysh i Vatikanit.
– Ju lutem, jo nuk jam armik, unë jam vetëm një meshtar, nuk e njoh urrejtjen, ne jemi për paqe e dashuri. Vetë besimi te Zoti nuk na lejon t’i urrejmë e ofendojmë njerëzit.
– Eh, ja pra po të lëdhatojm me grushtë turinjëve tuaj, ja edhe një tjetër. Nga fytyra e Atë Serafinit po rridhte gjak, nga goja e hunda.
– Kthehu në ujdi me vehten tënde, o Serafin i poshtër, he, po të dëgjojmë, na trego, cili nga juve është prijësi i grupit në atë çerdhen tuaj?
– Personalisht nuk di asgjë, asnjë nga miqtë e shokët e mi, nuk i kam degjuar të shprehen, kunder pushtetit popullor.
– Pa na i trego ato kokat drejtuese aty në “Sapën tuaj”, hë përgjigju? Dhe furi grushtesh, shqelma e rrahje u derdhën mbi meshtarin.
– Ne s’kemi as hierarki as të parë të gjithë jemi vëllezër.
– Tani na thuaj ku i keni fshehur armët, se për ndryshe të mbytem në minutë?
– Pasha nderin, pasha të drejtat, ju betohem, për atë Zot nuk kemi armë.
– Ndëgjo mirë pra, keni 3 minuta kohë të tregoni gjithçka dhe në rast se jo, paç vehten në qafë!
– Për atë besë që ka burri, nuk kam asgjë për të thenë!
Të tre hetuesit që e kishin marrë në pyetje, u lëshuan mbi Atë Serafinin, duke e torturuar e rrahur barbarisht, derisa ai humbi ndjenjat. Ashtu i shtrirë në dysheme, i gjakosur, i dërmuar dhe i pavetdijshëm, njëri nga hetuesit i fut duart në fyt, për ta mbytur meshtarin trim. Nga fyti filloi të rridhte gjak. Por bisha komuniste nuk ngopej me kaq. Torturat vazhdojnë edhe për disa orë të tjera. Kur ata ikën Atë Serafini po jepte shpirt në çimenton e ftohtë të dhomës. Nga mesnata e datës 11 Maj 1947, Atë Serafini, i rënduar nga plagët, u përmend vetëm për disa minuta. Vëllezërit e tij klerikë e morën për ta çuar tek infermierja. Kur po kalonte para trupores se Zonjës, iu lut me zërin e çjerrë, përmes gjakut që i rridhte nga goja: “O Zoja Virgjër, vepro sa më shpejt me shpirtin tim”. Sapo e vendosën në shtrat, u lut për herë të fundit, pa mundur të bashkonte duart: “O Jezus, merre në duart tuaja shpirtin tim, që te jam kushtuar me gjithë zemër”. ‘Ati ynë që je në Qiell”! – e… dha shpirt… Ia dorëzoi Atit të gjithëpushtëtshem shpirtin e tij te bardhë, që t’i bashkohet korit të engjujve në qiell, ashtu qoftë!
Mbas vdekjes së Atë Serafinit
Besimtarët e Famullisë, bashkëkohasit e tij, e deshtën shumë meshtarin trim, që me qëndrimin e tij burrëror u shëndrrua në një martir. Ata humbën jo vetëm një njeri të përkushtuar ndaj fesë, por edhe njeriun e dashur, që kurrë nuk u pat munguar me ndihmën e fjalën e Zotit, në gëzime dhe hidhërime familjare. Ai u kishte shërbyer në të gjitha rastet, duke vizituar të sëmurët, rrëfime, bekime shtëpish, pagëzime, salikimin e të vdekurve. Njerëzit shpreheshin me fjalët më të mira të shpirtit, duke thënë se Atë Serafini ishte një misionar i zellshëm, i përkushtuar, me zemër të madhe dhe i dashur. Infermierja e atyre viteve Marie Ndoja, e cila mjekonte Atë Serafinin në momentet e agonisë së plotë, bëri të pamundurën ta shpëtonte, por plaga e madhe e dëmtimit të venave e rrjedhja e gjakut nga fyti ia shkurtuan jetën. Maria e varrosi me mjaft mundim e në fshehtësi të plotë meshtarin trim, poshtë një ulliri, që ishte në oborrin e Kuvendit te Fretërve, në kodrën që populli e thërriste “Kisha e Dom Lleshit”. Edhe sot e kësaj dite s’dihet pse u quajt me atë emër. Ndoshta ndonjë famullitar në atë Kishë ka lënë gjurmë me emrin e tij. Ndoshta, ndoshta, nga pushtuesit Osmanë, ishte ba therror edhe Dom LLeshi, e në kujtim të tij, u quajt Kisha në kodër. Por vitet kanë kaluar dhe asgjë nuk dihet me saktësi. Çmenduria më e madhe e sistemit komunist ka qenë ajo e vëllavrasjes, si edhe ndodhi me Atë Serafin Kodën, meshtarin martir, nga Janjeva e Kosovës, i cili u vra barbarisht nga sigurimi i shtetit komunist. Por përkushtimi, kontributi dhe vepra e Atë Serafinit kanë lënë gjurmë të pashlyera në Lezhë. Mbas 34 vjetësh u zbulua varri i Atë Serafin Kodës, i cili ishte ruajtur me fanatizëm dhe obligim shpirtëror nga infermierja, një grua humane në shpirt, Marie Ndoja, një besimtare katolike, me një shpirt e mirësi të madhe. Ajo dëshmoi për varrin e Fratit vetëm në vitet e demokracisë. Maria, gjatë kohës së rregjimit komunist, as që guxonte të tregonte veprën e saj të mirësisë, por e ruante peng në zemër. Ajo mendonte gjithmonë për Fratin, i cili të afërmit e tij i kishte në Janjevë, që nuk ia dinin as varrin. Në rast se Sigurimi i Shtetit e merrte vesh, Maria do të dënohej me burg dhe për këtë ajo tregohej e kujdesshme, për ta mbajtur sekret. Mbas rivendosjes së besimit fetar në Shqipëri në vitet e demokracisë, ajo do të tregonte gjithçka. Madje Infermjerja Marie pati pohuar se atë natë, që e varrosi meshtarin, i kujtohej se si shenjë i kishte veshur vetëm Zhgunin e Fratit, më Uratë në qafë dhe në këmbë një palë këpucë llastiku. Për çudi e të gjithëve, kur e nxorrën nga varri pas 34 vjetëve, këpucët e llastikut u gjetën të paprishura dhe te koka kryqi dhe disa kokrra të uratëve. Rivarrimi i eshtrave të bekueme të Atë Serafinit u bë mbas restaurimit të Kishës “Zoja Nunciatë”, në mauzoleun e saj. Në murin me një gjatësi 90 cm, që përkon me anën e majtë të Altarit, ku dikur celebrohej mesha nga vetë Atë Serafin Koda. Më 16 shtator 1994 populli i Lezhës dhe rrethinave, shprehen nderimin e respektin, dhembjen e kujtimin, duke marrë pjesë në meshën që u celebrua në nderim të rivarrimit të eshtrave të Fratit, nga ipeshkvinjë dhe meshtarë. Si për ironi, data 16 shtator, përkonte me datën e Konferencës së Pezës. Ajo histori u la nga pas, por kujtimi i Klerit të Kombit u përjetësua në histori. Pllaka e varrit të Atë Serafinit flet shumë – aq shumë sa ka se çfarë historia të shkruajë. Në mbyllje të këtij rrëfimi të dhembshëm e rrënqethës, të mos harrojmë e të mësojmë nga mesazhi që ai përcjell se “Koha i ka hangër bijtë e saj”! Është nder i madh e shembull fatlum për vendin tonë, që Kisha Katolike, në procedurën e shpalljes martirë, mes të dyzetëve, ka zgjedhur edhe meshtarin Atë Serafin Kodën.