Më mori malli,
Po vdes prej malli,
Paskësha kaq mall,
Në të gjitha zgjedhimet e foljeve shqipe,
Ti zgjedh të jesh gjallë.
Më kot të çoj në të kryerën e tejshkuar,
Ti ecën së prapthi,
Si të ecje me thembra,
Si gaforet mbi shkëmbin e çarë të detit
Ti kapur tek zemra.
O vafsh në djall, torturë e ëmbël
Që s’njihke harresë,
Se dija, që “hakmarrja” jote do ishte
Kaq e pabesë…
Folje më folje tani do luftojmë,
Deri në fund,
Më deshe, të dua, të paskësha dashur,
E Ardhmja askund…
S’ka kohë të ardhme, të ardhmen e fshimë,
Punë foljesh nuk qe,
Kundrinë e jetës, (si thika mbi zemër,)
Aty shkëlqe!
Se unë në zgjedhime foljesh kam rënë,
Të desha, s’më deshe!
Nuk di!
Tani shqipes për ty, nga malli do t’i nxjerr
Ujë të zi…
ObserverKult
Lexo edhe:
PETRIT RUKA: KADRI ROSHI, MOS BËJ SI I VDEKUR!
Ne jemi mbledhur të gjithë rreth teje dhe po presim. Mjeshtër, çfarë do të na luash sot? Je në mes të teatrit, me gjithë këtë publik të heshtur dhe të përpirë prej teje si në asnjë shfaqje tënden. Hajde, pra, mjaft ndenje shtrirë në atë arkë të vogël, të mbuluar me kaq shumë lule! Lëviz! Vepro, fol, interpreto! Mjaft e luajte të vdekurin! Asnjeri nuk të beson për këtë rol. Asnjeri nuk po ta pëlqen këtë shfaqje. Ngjan shumë e padurueshme kjo heshtje. Çohu, pra, se asnjeri nuk e beson dot që një burrë si ty mund të vdesë prej vërteti. Mos e tepro, Mjeshtër! Që të ta themi troç, vërtet na ke luajtur mendsh me të gjitha pjesët e tua, po sot,… sot, sikur nuk po na pëlqen fare ky rol, gjithë kjo heshtje kaq e gjatë.
Po Ti nuk po e çan fare kokën për ne, vazhdon të rrish shtrirë në arkën tënde dhe aq të bën që koha po kalon. Çfarë dreqi të ka shkrepur kështu sot?!
Mos vallë vërtet?!…
TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU