Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shkruan për humbjen e të ndjerit Maks Velo se bota e artit dhe kulturës shqiptare ka humbur arkitektin, artistin, intelektualin anti-konformist dhe rojtarin e pashoq të trashëgimise kulturore.
AMT, tok me ngushëllimin për Velon bashkëngjit edhe një histori të përgatitur nga publicistja dhe gazetarja Elsa Demo për jetën dhe veprën e të ndjerit.
Maks Velo (l.1935 në Paris) është artisti eksentrik, me profil polemik në skenën e artit bashkëkohor shqiptar. Ai hyn e del letësisht nga arkitektura tek artet figurative dhe letërsia. Aktivist në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, interlokutor mediatik dhe nxitësh i mprehtë i debateve mbi rolin e artistit nën diktaturë dhe mbi rolin e politikës në deformimin arkitekturor të qyteteve shqiptare. Qëndrimet e tij nuk mund të kuptohen pa ndjenjën e revoltës, e zemërimit, e dëshirës për të folur sinqerisht për atë që ka ndodhur në Shqipërinë komuniste dhe si e kontaminon të sotmen ajo trashëgimi.
Emri i Maks Velos shënohet në listën e artistëve që do të goditeshin në vititn 1973, pas Pleniumit IV të Partisë së Punës. Një “dasmë gjaku” që filloi me “të ngremë lart frymën revolucionare në art” dhe u mbyll me internime, burgime në tunele minerale, me pushkatime dhe varje, me trauma të forta, me humbje përgjithmonë të gjumit.
Arkitekt në profesion, në të njëjtën kohë piktor dhe artist, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Velo arrestohet dhe dënohet në vitin 1978 me akuzën për “agjitacion e propagandë”. Akuzohet se vepra e tij “inspirohet nga Modigliani, Braque-u dhe Picasso-ja, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”. Pra i burgosur politik për 6 vjet, sepse nuk bënte art politik, nuk mendonte politikisht siç bëhej në Shqipërinë Komuniste. Policia sekrete i sekuestron dhe i djeg rreth 264 vepra. Ai arrin të shpëtojë një cikël vizatimesh abstrakte që kishte filluar të realizonte në vitin 1964. “Tri shenjëza dhe një figurë e shtrirë” e punuar në lavi është një pikënisje të cilës Velo do t’i kthehet më vonë gjatë krijimtarisë së tij. Mund të thuhet se janë veprat e para të artit abstrakt e surreal në Shqipëri.
Gjatë jetës si artist ai ka kërkuar forma të lakmueshme për të shprehur një esencë që del prej shenjës së ‘64-ës, si në rastin e serisë së litografive për burgun, cikël që u prezantua në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë vetëm në vitin 1991.
“Në burg pyesja veten, përse diktaturat janë sisteme shoqërore kaq të ashpra. Dhe arsyetimi më çoi në atë se janë sisteme shoqërore pa të ardhme. Ato duan t’i arrijnë qëllimet gjatë kohës që ekzistojnë, sepse e dinë që çdo ndryshim, çdo lëkundje, çdo transformim, zhduk bazën e tyre të vetme të ekzistencës: dominimin me dhunë”, shkruan Velo në librin “Esse për diktaturën komuniste” (2005).
Sekuestrimit dhe zhdukjes i shpëtuan edhe 35 vizatime të asaj kohe, të cilat Velo i kishte nisur drejt Francës tek njerëz të afërt dhe i mori në vitin 1992.
Ai përpiqet të rindërtojë sipas fotografive dhe sipas kujtesës tablo si “Selvitë”, për shembull, e kritikuar si vepër moderniste në Lidhjen e Shkrimtarëve në vitin 1973; ose “Dy muzikantët” e ‘69-ës, e vetmja që i shpëtoi djegies së veprave.
Portretet e realizuara në akuarel mes viteve 1960-1978, i ka mbledhur në një album. “Disidenca është në raport të drejtëpërdrejtë me diktaturën”, shkruan ai në “Esse për diktaturën komuniste”. “Sipas meje është një krijimtari që duhet të tejkalojë kufizimet e diktaturës dhe organizmave të tij, dhe të aspirojë demokracinë. Veprat e mia në atë kohë në arkitekturë dhe pikturë ishin të tilla. Racionaliteti i shkollës Emin Duraku, kubizmi i Pallatit në Rrugën e Dibrës, pastërtija e ish ATSH-së, zgjidhja e kinema Laprakës dhe Drinit, organiciteti i Teatrit Pionieri (tani Kino Millenium 2), ishin vepra që patën një efekt në publik. Këto u dënun në konferencën e arkitekturës më 1975 dhe në dokumentat juridike të dënimit tim me burg.” “Esse për diktaturën komuniste” mbyllet me një listë që Veloja ka hartuar e ku përfshin 146 artistë, krijues, shkrimtarë, gazetarë që janë dënuar apo ekzekutuar nga regjimi.
Këto ngjarje, këto personazhe ai i ka bërë subjekte të letërsisë së tij të burgut. Tek skica ai shfaq dhuntinë për ta fotografuar realitetin në esencën e vet. Ja një përshkrim nga tregimi “Autoburgu ose kali i balladës”, nga vëllimi “Palltoja e burgut” (1995): “Diku, nga fundi i kaushit dëgjova një pëshpërimë, si tradhëti. Ishin dëshmitarët që çuan shokët në plumb. Më vonë në kamp i njoha mirë. Ishin njerëz pa dashuri njerëzore, pa mëshirë, me një egoizëm injorant dhe imoral.
Në mëngjes aty nga ora 11, pamë nga dritaret e prapme, që binin nga kopështi, se ordinerët e shërbimit morën plaçkat e të treve që u ekzekutuan, i grumbulluan, i lagën me benzinë dhe i vunë zjarrin. Më dukej sikur po i digjnin të gjallë. Ky gjyq filloi me fishekzjarre dhe mbaroi me flakën e benzinës.”
Maks Velo është autor i librave “Kokëqethja” (1995), “Thesi i burgut” (1996), “Paralele me arkitekturën” (1998), i tekstit autobiografik “Kohë antishejë” (2000). Së fundi është botuar dosja sekrete e përndjekjes, hetimit dhe dënimit të artistit në librin me “Maks Velo. Jetë paralele”.