Mos bini pre e mashtrimeve, por dëgjoni rininë që kërkon të bëjë teatër dinjitoz e përmes tyre të çojë teatrin shqiptar në Europë. Është ky apeli i regjisorit të njohur Gëzim Kame, i cili në një intervistë për ATSH tregon përpjeket e shumta në vite për një Teatër të ri Kombëtar, pasi godina e vjetër ishte tejet e papërshtatshme.
Kame apelon artistët që shprehën bindjen për ruajtjen e godinës së vjetër t’i hapin rrugë zhvillimit e ta shohin me gjakftohtësi situatën.
“Unë jam rritur nën pushtetin e gjigandëve të teatrit . Pjesa e rëndësishme e teatrit janë ata. Teatri në Shqipëri për herë të parë filloi në vitin 45’ me këta njerëz, Kadri Roshi, Mihal Popi, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka e shumë të tjerë, Margarita Xhepa, Drita Pelinku… Unë mbaj mend vitet 90’ dhe mbaj mend që me këta artistë kam punuar dhe në skenë dhe kemi qenë miq jashtë skene”,- tha Kame.
“Me Kadriun flisnim me orë të tëra për gjendjen ku ishte Teatri Kombëtar dhe kishim njëlloj mllefi me atë që kishte ndodhur përpara viteve 90’. Kur në 45’ u fut në këtë godinë teatri profesionist, teatri popullor, më pas ai sistem bëri Pallatin e Kulturës, Televizionin, Kinonostudion “Shqipëria e Re”, Galerinë e Arteve, çoi studentë të Akademisë së Arteve në një godinë fantastike. I vetmi institucion që u fut në një godinë jo dinjitoze ishte teatri kombëtar dhe ishte një godinë provizore, pasi ai u krijua nga italianët për një periudhë 15-vjeçare, pra për vitet 38’-53’ . Kaq e kishte destinacionin dhe ishte një dopolavoro. Pra, ushtarakët italianët me gratë e tyre, familjarët e tyre dhe miqtë e tyre të shikonin një koncert, të bënin plazh në pishinën e teatrit, pasi teatri kombëtar ishte me pishinë, mbante mbrëmje vallëzimi prandaj dhe quhej pas pune”,- tregon Kame.
“Kur u ngrit problemi i madh i Teatrit Kombëtar në vitin 98’, të gjithë artistët thonin kur do të ikim nga kjo godinë se është turp, pasi na vinte dhe turp të thërritnim trupa të huaja, kolegët tanë nga jashtë. Anësoret e skenës janë 1.60 të larta dhe çdo aktor që kalon aty duhet të përkulet për të dalë jashtë skenës, ose kur se ka mendjen godet kokën dhe trulloset në ato ambiente. Kjo histori kishte arritur në këtë gjendje, pse duhet të qëndronim ne në atë barakë. Unë kam qenë dhe drejtori i Teatrit Kombëtar dhe një numri të madh artistësh për të qenë iniciator për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar”,- tha Kame.
“Një grup prej 5 vetësh, asokohe, Yllka Mujo, Gëzim Kame, Kadri Roshi, Agim Qiriaqi, Ndriçim Xhepa kërkuam takim me presidentin Rexhep Meidani, ndërmjetës u bë këshilltari Preç Zogaj. Në takim u diskutua nga Kadriu, i cili sqaroi se atje në teatër pra nuk mund të qëndrohet. Meidani tha se nuk kishte lidhje me këtë situatë pasi ishte president”,- bëri të ditur regjisori Kame.
“Ne i thamë se presidenca duhet të ketë në konsideratë Teatrin Kombëtar, pasi presidenca është gjithëpërfshirëse dhe nuk duhet të politizohet. Ne ndërtuam një plan pune dhe u ulëm në tryezë me kryeministrin e asaj kohe Fatos Nano, Kryebashkiakun Albert Brojka, si dhe ministren e Kulturës Dade. E gjithë ideja ishte që ne të lëviznim në të gjithë diasporën për të gjetur para, pasi shteti thoshte që nuk kishin para. Unë si drejtues i teatrit organizova një pasdite në Teatrin Kombëtar me të gjithë biznesin shqiptar, duke ftuar qeverinë dhe presidencën. Atë mbrëmje u mblodhën 410 000 dollarë, dhuratë nga biznesi shqiptar për Teatrin Kombëtarë. Në oborrin e teatrit vura re që presidenti me kryeministrin e asaj periudhe nuk komunikonin mes tyre dhe ne ishim palë e presidentit dhe thashë kjo punë mori fund, pasi kuptova që në hapin e parë ishte kundërshtarë”,- vijoi ai.
Kame tha se përpjekjet kanë vijuar edhe me liderë të tjerë të 30 viteve të fundit, por gjithnjë pa sukses. Regjisori Kame shtoi se duhet t’i hapet rrugë zhvillimit.
“Aleanca për mbrojtjen e teatrit ka vetëm një vlerë për mua që është vlerë e madhe që nuk e lejuan ta bënte privati këtë punë. Aty do ndihesha dhe unë i fyer, pavarësisht se jeta ime profesionale është mbyllur e nuk kam kohë unë të pres të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar. Por, ndërkohë që hyn shteti dhe thotë se do ta bëj unë teatrin, duke mos marrë asnjë centimetër nga teatri kombëtar, këtu nuk e kuptoj më rezistencën. A mund të ruhet muze? Të gjitha variantet janë, ka sheshe ndërtimi, 2-3 mund t’i përcaktojë unë, që jam jashtë urbanistikës, po me dëshirën time, zona te “Vëllezërit Frashëri” është vend fantastike, në qendër të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Muze? Çfarë muzeu, për ta shembur atë teatër dhe për ta rindërtuar ashtu siç ishte donte mbi 90% të parave që do harxhoheshin për ta bërë siç ishte. Për mua s’ka asnjë lloj problem, nëse kanë para, por mos mashtrohet e të thuhet që ne i kemi paratë nga Europa Nostra që na ka dhënë 8 milionë euro për ta rikosntruktuar teatrin kombëtar. Pardje e dëgjova shefen e Europa Nostras, ne nuk japim para, ne sugjerojmë bankat europiane përmes BE të ndihmojnë… pra të merrej kredi dhe këtë nuk e duroj dot, si duroj dot mashtrimet”, tha Kame.
“Unë them që këto janë qëndrime politike dhe kur futet politika në mes tek shqiptarët është më e rëndësishme se në çdo vend tjetër, se ne jemi diametralisht të kundërt me ide me njëri tjetrin dhe të qëndrosh në llogore dhe jashtë logjikës është anormale. Ne jemi specifikë në këtë drejtim”,- shtoi ai.
“Kam parë projektin e këtij danezit, një nga më të mirët në botë. Nuk më pëlqeu që u bë një parashtrim i anës së jashtme dhe funksionale të projektit dhe asgjë tjetër, pra as gjerësia dhe madhësia e skenës dhe asgjë tjetër. Po të më pyesin mua dhe një grup kolegësh do doja një teatër me klasik. Ministria që është përballë dhe kompleksi i ministrive janë klasike, hotel Dajti…etj. Ajo qëndron si një trëndafil i mrekullueshëm por që nuk lidhet me këto të tjerat. Por rëndësi për ne artistët ka skena, komoditeti i spektatorit dhe teknika që do futet atje. Nëse do futet teknikë bashkëkohore siç pretendohet do jetë një ëndërr e jashtëzakonshme e teatrit shqiptar”,- tha Kame.
“Teatri shqiptar s’ka çarë në Europë, e nuk shkon si teatër dinjitoz, se ku të venë me atë teknikë dhe dekor që kanë… Duke u futur teknika, do zhvillohet imagjinata e regjisë, skenografisë, aktrimi…etj. Mos e pengoni zhvillimin kaq dua të them. U bëj thrirje miqve të mi, që janë kundërshtarë të kësaj ideje, ta shohin me gjakftohtësi. Nuk është puna të qëndrojmë në llogore. Mos pranoni juristë që flasin sikur kanë hipur në kala dhe do shembin gjithçka e do bëhet hataja. Dëgjoni rininë që pret të bëjë teatër dhe këta do ta çojnë teatrin në Europë. Jepuni mundësi atyre”,- nënvizoi Kame./atsh