E dashur, erdhi çasti i ndarjes: mos lejo që
Të jetë dërmues dhe i hidhur. Në të shkuarën
Ka pasur tepër keqardhje e dritë hëne:
Tani le t’ia vëmë gurin: tani
Si kurrë më parë dielli s’ia ka hedhur qiellit më me guxim
Si kurrë më parë zemrat s’qenë më të etura për liri,
Për të shqelmuar botën, fshikulluar pyjet, ti dhe unë
S’i mbajmë dot më, ne jemi lëvore, që shohim
Farën tek shkon drejt përdorimeve tjera.
Ka pendim. Gjithmonë ka pendim.
Por është më mirë që jetët tona të zgjidhen,
Si dy anije të larta, të zotëruara nga era, lagur me dritë,
Tek shkëputen nga gotulla me kurse të përcaktuara,
Duke u tundur nga pak, duke u tundur larg nga sytë.
—
Përktheu: Vig Shpuza