Kam dalë me mbledhë yje
po na zë frymën terri në tokë
njerëzia kanë nevojë për ma shumë dritë.
Hëna ma ndritë udhën
që të mos shkel mbi folë rrufesh
kur eci mbi kreshta malesh që zbardhojnë.
Yjet që mbledh i vë
lehtshëm n’nji krozhën
Si të ishin vezë shqiponjash.
Druaj që veç hënës
dhe ndonjë zane të vetmuar
askush s’po e ndjek ritin tim të vjeljes së yjeve.
Ata, pronarët e errësirës
jetojnë në qytete të ndotura
dhe nuk shohin aq larg, aq më pak aq qartë.
Një re katran e zezë
bash si lëkurë hijene ja ka msy qiellit
don që hanën e yjet me m”i mshefë.
Po unë s’ndalem, veç ngjitem
ndër ma të naltat kreshta malesh
dua t’ja vjelë yjet nji nga nji arushës së vogël.
Kur ta mbushë krozhnen plot yje
druaj se do t’jetë mshefë hana
do t’ketë zbardh drita
do t’jetë fshi reja
do m’dalë gjumi
dhe yjeandrra
do m’digjet.
20 Maj 2019.