“Posterët e së kaluarës!”, ‘udhëtim’ nëpër historinë 65-vjeçare të kinemasë së Pejës

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë ka hapur të hënën virtualisht dyert e saj. Përmes turit virtual “Posterët e së kaluarës!” ofron një ‘udhëtim’ nëpër historinë 65-vjeçare të kinemasë së parë dhe të vetme në Pejë. Këtë e bën nëpërmjet posterëve të filmave që ndezën projektorët në të kaluarën.

Një kujtim nostalgjik për ata që kanë pritur në radhë për të parë filmat, posterët shumëngjyrësh të të cilëve bëhen tok në ekspozitë. “Ju ftojmë po ashtu që të riktheni në kujtesën tuaj dhe të më të dashurve tuaj, por edhe brezave të rinj, atë që është pjesë e një historie të tërë, identitetin tonë unik e të përbashkët kulturor”, është shkruar në njoftimin e kinemasë për këtë turne virtual që është realizuar me teknologjinë 360 shkallë.

Mirëpo, vrojtuesit përmes këtij turi virtual po ashtu mund shohin edhe materiale të tjera të ekspozuara në hapësirën e kinemasë. Në mesin e tyre janë disa posterë të edicioneve të kaluara të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, pastaj dy projektorë me të cilët në të kaluarën filmat shfaqeshin edhe nëpër fshatra, si dhe një animacion i shkurtër që ndez projektorin e kinemasë. Animacioni, 23 sekondash “Kino ‘Jusuf Gërvalla’” nga Manri Kim nga “FAMU” ishte realizuar për edicionin e vitit të kaluar të “Anibarit”. Përmes tij tregohet se si komuniteti bëhet bashkë për t’i dalë në ndihmë kinemasë dhe për të ndaluar privatizimin e saj. Pikërisht ndalimi i këtij procesi, para katër vjetësh ka bërë që organizata “Anibar”, e cila ka marrë nën administrim kinemanë dhe të gjitha asetet e saj, të kthejë vëmendjen nga arkivi që posedon. Qe katër vjet ata janë duke bërë ruajtjen dhe arkivimin e materialeve të cilat gjenden në objekt, përfshirë këtu edhe posterët. Ani pse në këtë ekspozitë virtuale mund të vrojtohen vetëm 20 prej tyre, nga kinemaja është bërë e ditur se ka edhe më shumë.

Arlinda Kastrati, menaxhere e projektit, ka thënë se qëllimi i ekspozitës ishte që përmes disa posterëve të përzgjedhur të promovohet memoria kolektive, si dhe rëndësia e kinemasë si qendër e kulturës dhe objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.

“Në kinema gjenden me mijëra posterë të filmave të zhanreve të ndryshme e të periudhave të ndryshme. Posterët e përzgjedhur për ekspozitë janë vetëm disa nga shumë posterë të tjerë që i kanë mbijetuar kohës e të cilët janë arkivuar gjatë muajve të fundit”, ka thënë ajo. Ka treguar se përmes kësaj ekspozite vetëm sa është nisur ekspozimi i materialit brenda arkivit të kinemasë, transmeton ‘koha.net’.

“Vendimet e fundit të institucioneve relevante e pamundësojnë aktualisht frekuentimin e kinemasë, rrjedhimisht edhe frekuentimin e ekspozitës. Ekspozita nuk do të jetë e përhershme, sepse në të ardhmen e afërt planifikojmë të kemi ekspozita të tjera të tematizuara, bazuar në materialin e shumtë të kinemasë”, ka thënë ajo.

Vizitorët virtualë përmes disa klikimeve mund të shohin posterët, por edhe të mësojnë më shumë për ta. Në mesin e posterëve të ekspozuar është ai i filmit “The Clash” (1980) nën regji të Jack Hazan dhe David Mingay që sjell historinë e grupit të njohur anglez me të njëjtin emër. Filmi ishte shfaqur në kinema në vitet ‘80. Aty janë edhe posteri i filmit “Dick Tracy” (1990), “Night games” (1980) me regji të Roger Vadim, “James Bond 007 – Licence to Kill” (1989), sikurse edhe ai i filmit jugosllav “Život sa stricem” (1988) me regji të Krsto Papiq, një komedi e zezë që kritikonte shoqërinë jugosllave.