Dita e parë e gushtit të vitit të kaluar nuk kishte qenë asfare e zakonshme. Vajbi i Prishtinës nuk ishte vetëm zallamahia e pafundme e mërgimtarëve, kafeneve të stërmbushura dhe jetës së natës. Koncerti i hapur “Ramë Lahaj dhe miqtë”, që u mbajt në sheshin “Skënderbeu”, do të bëhej ngjarja e paharruar që iu dha zë arieve të përbotshme të Giuseppe Verdit, Luigi Illicas dhe Giuseppe Giacosas.
E diçka e bukur për sivjet sikur është paralajmëruar të hënën gjatë takimit mes drejtoreshës së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli dhe tenorit Ramë Lahaj, i cili prej ditësh po qëndron në Kosovë.
“Është shumë interesant dhe i bukur fakti që artistët kosovarë shkojnë kah të shkojnë, por përsëri kthehen në Kosovë të bëjnë projekte dhe kam përshtypjen se ndihen shumë më mirë se kudo”, ka shkruar Basholli në profilin e saj në “Facebook”.
Për drejtoreshën e Kulturës, projekte të tilla i ofrojnë mundësi audiencës për të parë punën e jashtëzakonshme që bëjnë jashtë vendit, kurse në të njëjtën kohë vendit i ofron mundësi për t’u promovuar në mënyrën më të bukur të mundshme.
“E siç e kemi thënë shumë herë, kush mund ta promovojë më mirë vendin sesa artistët? Një tenor i talentuar që ka perfomuar në skenat më të mëdha botërore e me artistët më të mëdhenj të operës, Ramë Lahaj përsëri kthehet me ide të reja në Kosovë”, ka shkruar Basholli.
Tutje, ajo ka përkujtuar se koncerti i vitit të kaluar “Ramë Lahaj & Friends”, përveç shikueshmërisë së lartë, ishte përcjellë edhe me kërkesa për t’u bërë tradicional.
“Kënaqësi gjithmonë me u taku e me bisedu për mundësitë që të bëjmë bashkëpunime të reja, e ato të vjetrat t’i kthejmë në tradicionale me Ramë Lahajn”, ka përfunduar Basholli.
Duke vijuar suksesin e koncertit të qershorit të Filarmonisë së Kosovës, edhe për koncertin e Lahajt 1.300 ulëset e vëna kishin qenë të pamjaftueshme për të akomoduar qytetarët e interesuar. Të përzgjedhur me një simbolikë të veçantë si një “orkestër mbarëkombëtare”, dyzet instrumentistë nga Shqipëria dhe Filarmonia e Kosovës, nën dirigjentin italian David Crescenzi, kishin shoqëruar për gati dy orë tenorin Ramë Lahaj, sopranon Besa Llugiqi dhe baritonët Kiril Manolov dhe Adhurim Grezda.
Po kështu, edhe në vitin 2018, i ftuar nga përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tenori i lindur në Istog kishte mbajtur një koncert në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në kryeqytet, transmeton ‘koha.net’.
Në një prononcim për ‘Kohën’, drejtoresha e Kulturës, Blerta Basholli, ka thënë se koncerti vetëm është duke u biseduar në nivel të idesë.
“Sapo të kemi marrëveshje e dimë konkretisht se çka do të ndodhë”, ka thënë Basholli.