Si e vogël mendoja se njerëzit ndahen në të mirë dhe të këqinj…Por jeta s’është kaq e thjeshtë!

Nga Silvana Begaj

Ju flet një fëmijë, ju flas Unë!

Kur isha e vogël mendoja se njerëzit ndahen në të mirë dhe të këqinj. Shumë e thjeshtë! Por jeta nuk është dhe aq e thjeshtë. Sot e di. Çdo gjë është relative. Të mirët dhe të këqinjtë nuk ekzistojnë. Ne jemi thjesht qënie njerëzore që veprojmë keq nga rastësia, injoranca, situata etj.

Është bukur të jesh i vogël. Shumë gjëra nuk i shikon, shumë vështirësi i injoron dhe kjo të jep guxim. Guxim që të mëdhenjtë nuk e kanë. Ata janë të mërzitshëm. Më shumë shikojnë problemet se zgjidhjet.

U rrita, por jo se doja. Jeta ka disa stade dhe më duhet patjetër të rritesha. Një pjesë e imja ka ngelur fëmijë dhe në fakt e ruaj me fanatizëm. Ndoshta atje e gjej guximin për hapat e mëdha që hedh. Kur je fëmijë mendon se çdo kush e ka fajin përveç teje. Në fillim prindërit e ekzagjerojnë me këshilla dhe kujdes të tepruar. Skandaloze! Ja sa të rritesh dhe do kesh çdo gjë në dorë. Pavarësisht se janë të mërzitshëm, i shikon dhe si zgjidhës problemesh. Mjafton t’iu spiunosh prindërve për çdo problem dhe ata si me magji zgjidhin. Natën, nëse ke frikë, mjafton të shkosh të flesh tek dhoma e tyre dhe t’iu kapësh dorën dhe makthet e kuçedra me 7 kokë zhduket. Prindërit janë heronj dhe nga heronjtë dhe kuçedrat kanë frikë!

Zakonisht lojërat e fëmijërisë të ngelen thellë në kujtesë. Unë, në kujtesën time, mbaj mend që isha një fëmijë me ëndrra të mëdha, me ideale të mëdha… shumë më të mëdha se gjatësia ime. Zakonisht luftërat bëhen që të sjellin paqen, por luftërat në kokën time sillnin luftëra më të mëdha. Kisha ëndrra mbretërish. Doja të pushtoja botën. Doja o të gjitha o asgjë nga kjo botë! Dhe e vetmja pengesë që kisha ishte mosha. Sa të rritesha dhe pak… Vetëm sa të rritesha dhe pak.

Frika kur je i vogël nuk ekziston. Pse të kesh tek e fundit? Je kaq larg vdekjes… Pastaj në fund të fundit: Kush mund t’i bëj keq një fëmije?

Eh po ja që e paskam pasur gabim. Më duhet të pranoj me dhimbje ulëritësë qe abuzimet seksuale ndaj të miturve janë një problem serioz në Shqipëri dhe kudo në botë. Por të ngelemi në Shqipëri atje ku kam zemrën dhe fëmijërinë. Buda thoshte që ne kurrë s’do mund të jemi tërësisht të drejtë. Në fakt dhe dielli që është diell lë hije.

Kur dëgjova lajmet, u ula mbi heshtje dhe mendova me britma ulëritëse. Unë sot, si e rritur, duke mos menduar për fëmijën brenda meje, e di që çdo krim edhe pse është krim dhe nuk e justifikoj, ka një arsye.

Askush nuk vret për qejf, askush nuk vjedh pa arsye, askush nuk bën diçka të keqe kot. Përjashtoj rastet kur flasim për të paaftët mendërisht. Por të jesh abuzues seksual mbi të gjitha ndaj një minoreni/minorene është tmerruese, drithëruese. As drejtësia dhe vunerabeliteti i Budës nuk do gjente arsye të vlefshme për këtë veprim. Pra përbindëshat e ëndrrave të fëmijërësie si kuçedra me 7 koka ekziston.

Ato kuçedra dinë të vrasin çdo lloj fëmije, çdo lloj pafajësie. Kjo është vdekja e brezit. Nuk preket vetëm i/ e dëmtuara, por kushdo që e degjon dhe e përjeton këtë ndodhi. Padashje ata rriten më shpejt dhe të vjedhësh fëmijërinë ky është krim.

E vetmja gjë që të ngelet nga fëmijëria, nëse je e abuzuar seksualisht, është se pasi fiket drita të gjithë djajtë dhe makthet janë në dhomën tënde. Asnjëherë më ti nuk mund të flesh e qetë.

Më e keqja është se pasi fiket drita, as prindërit nuk kanë forcë të të ndihmojnë! Ndoshta kjo është më e dhimbshme sepse ti nuk ke më heronj. Ekzistojnë vetëm të këqijtë. Jeta ka rregulla, lufta ka rregulla, e keqja ka rregulla, por në rastet e abuzimeve “të këqijtë nuk luajnë sipas rregullave dhe kjo i bën përbindësha”.

Për të gjitha rastet që dimë dhe për ata që nuk flasin, fëmijëria është e vetmja gjë e pastër që na ngelet nga kjo jetë mekatare. Ne si shoqëri duhet të luftojmë ligësinë! Fëmija brenda nesh duhet të jetë gjithmonë aty!

ObserverKult


Lexo edhe:https://www.facebook.com/silvana.beu

SILVANA BEGAJ: SA ZGJAT KJO E MALLKUAR VARFËRI, BABA?

SILVANA BEGAJ: A KENI RËNË NDONJËHERË NË DASHURI JU?

SILVANA BEGAJ: BABA UNË IKA, E TI SAKRIFIKOVE ÇDO GJË PËR MUA