Letër e hapur,
Drejtuar Ministres së Arsimit, Besa Shahini
Zonja Ministre,
Po ju drejtohem, përmes kësaj letre të hapur, në adresën time të Facebook-ut, në përgjigje të komentit tuaj të një dite më parë në adresën tuaj.
Unë quhem Eljon Doçe dhe jam pedagog në Departamentin e Letërsisë, Universiteti i Tiranës.
Me siguri që ju nuk më njihni; as unë nuk kam ndonjë pretendim për të kundërtën, sepse nuk është puna juaj të më njihni mua, po aq sa nuk është puna ime t’ju njoh juve.
Nga ana tjetër nuk mëtoj t’ju tregoj se cila është (apo më mirë se cila do të duhej të kishte pasë qenë) puna juaj, por meqë dje ju u morët me punën time, sot më keni dhënë të drejtën të merrem unë me tuajën- jo se e drejta ime për t’u shprehur buron prej vullnetit tuaj, të jemi të qartë.
Duke qenë se nuk më njihni, para se të mendoni që edhe unë jam ndonjë anëtar partie, militant, i shitur apo i blerë ndokund në tregun e shumicës së politikës shqiptare dhe të trafikut të interesave, po ju vë në dijeni që nuk aderoj në asnjë parti politike, nuk jam pjesë e asnjë forumi partiak, nuk kam asnjë teserë partie që ta mbaj në xhepin e këmishës dhe ta nxjerr sa herë të më hyjë në punë për të mbyllur punë (siç mbyllen shumica e punëve në një vend si Shqipëria) dhe as nuk më kanë interesuar ndonjëherë spaletat dhe statusi që, të qenët pjesë e një formacioni politik, të japin.
Unë jam ndër ata pedagogë që, prej 10 vitesh, statusin e mësimdhënësit e shohin çdo ditë si një detyrë, përgjegjësi dhe sakrificë dhe jo si privilegj.
Pikërisht, për të gjitha këto arsye ju, sigurisht që nuk keni si të më njihni.
Por në postimin tuaj të djeshëm ju jeni marrë me mua, pikërisht me mua!
Unë bëj pjesë ndër ata pedagogë që nuk jam shprehur lidhur me çështjen e tezës së Maturës Shtetërore për provimin e Gjuhës dhe të Letërsisë, jo se nuk kisha ndjeshmëri për çfarë po ndodhte, as për komoditetin që të jep kurdoherë qëndrimi për të mos u bërë palë, por sepse nuk kisha mundësi të reagoja, zonja ministre.
Nuk kisha mundësi, sepse kam kaluar mbi tre muaj mësim online dhe gjithë kohës u jam përgjigjur studentë e të mi, me sa kam mundur: interesimit, kërkesave, paqartësive, nevojave, shqetësimeve dhe gjithë situatës së krijuar nga COVID-19, në punën time.
Shpesh u jam përgjigjur përmes email-it, në “Google Classroom”, ne “Meet”, në Messenger, në Whatsaap, në telefon, gjatë javëve të fundit edhe fizikisht në auditor dhe më katedër.
Ndërkohë, kam vijuar mësimin online, përmes njëmijë vështirësish, bashkë me studentët e mi; kam korrigjuar dhe konsultuar detyrat e kursit, kam udhëhequr diploma; kam admistruar situatën e vështirë të provimeve në auditore, mes studentësh të stresuar e të lodhur nga situata e pandemisë, me maska në fytyrë dhe locione dezinfektuese nëpër duar, ku një pjesë që kanë udhëtuar mes njëmijë peripecish vetëm për të qenë në provim, duke vënë, ata shëndetin e tyre në rrezik dhe unë timin, vetëm për t’iu përgjigjur nevojës së studentëve.
Në fund të të gjithë kësaj rrëmuje, edhe më ka tepruar pak energji dhe kohë të vijoj me projektet e mia që, po i quajmë “personale” sepse më duhet t’i mbyll vetë dhe pa asnjë asistencë, por që në fund i shërbejnë institucionit ku unë punoj dhe studentëve, me të cilët bëj rrugën e përditshme.
Pra, me sa duket, i jam përgjigjur punës sime.
Ndërkohë që po ju vë në dijeni se situata e rrëmujshme e pademisë dhe mësimit online edhe pse një realitet i ri i këtyre muajve, nuk është diçka dhe aq e re, sa i takon vëllimit të punës dhe vështirësive me të cilat unë dhe kolegët e mi përballemi çdo ditë të punës sonë, sidomos pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Arsimin e Lartë.
Zonja ministre, jua them me përgjegjësi që Arsimi i Lartë në Shqipëri është në KOLAPS dhe nëse jeta universitare po vijon, kjo ka vetëm një arsye: sepse në këtë vend ka ende njerëz që kanë përgjegjësi ndaj punës që bëjnë dhe ata njerëz janë pedagogët dhe studentët e tyre, të dyja palë që me gjithë vështirësitë e skajshme me të cilat përballen gjatë punës dhe rrugës së tyre të përbashkët, ia kanë dalë ta mbajnë në këmbë, dhe me dinjitet, jetën universitare.
E dini ju, zonja ministre, që kapacitetet në auditoret tona janë sa një e dyta e numrit të pranimeve, e thënë në vlera absolute, në një auditor leksioni me kapacitet 90 studentë duhet të bëjnë mësim 180?
E dini ju, zonja ministre, që studentët duhet të ngjishen 4-5 veta në një bankë dhe që pas rreshtit të katërt apo të pestë zëri i pedagogut nuk mbërrin sepse nuk kemi qendra zëri?
Mos duhet të jemi të gjithë me zë që të ketë parametrat e një tenori, që të mund të mbajmë një ligjëratë normale?
E dini ju, zonja ministre, që në dimër auditoret shndërrohen në frigoriferë dhe në verë në furra dhe që në të dyja rastet unë duhet t’u kërkoj ndjesë studentëve, si pedagogu i tyre, për kushtet e mësimit, sepse dikush duhet të mësohet të kërkojë ndjesë në këtë vend, edhe pse nuk është përgjegjësia e tij direkte?
E dini ju, zonja ministre, që ka pedagogë në universitetet tona që kur hyjnë në auditorë nuk hyjnë atyre vetëm sepse janë rrogëtarë (sepse ju duhet ta dini, zonja ministre, që në këtë vend ka edhe pedagogë që jetojnë me rroga, edhe pse me rrogat më të ulëta në rajon), por hyjnë aty me bindjen që janë duke kryer një mision?
E dini ju, zonja ministre, që shpesh na duhet të blejmë edhe letra për provimet, kur ato mungojnë dhe që na është dashur të presim një vit e gjysmë për një fotokopje në departamemt?
E dini ju, zonja ministre, që shpesh kemi përplasje oraresh sepse ka mungesë të auditoreve për seminaret?
E dini ju, zonja ministre, që pavarësisht këtyre situatave dhe të tjera si këto, mësimi bëhet dhe bëhet me përkushtim maksimal, si nga pedagogët ashtu edhe nga studentët, duke përfshirë edhe metodat për të cilat ju po flisni?
Por a doni t’ia dini ju, zonja ministre, për të gjitha këto që ju shkrova më sipër?
Nëse do të doni t’ia dini, ju lutem mos më fyeni më, ashtu siç bëtë dje, sepse sot në mësim dhe përballë studentëve do dal unë dhe jo ju!
Unë jam ndër ata qytetarë dhe pedagogë të këtij vendi që ardhjen tuaj në Ministrinë e Arsiminit e kam parë me shpresë dhe një besim paraprak (përtej çdo argumenti partiak, gjinor, edukimi apo përvoje adimistrative) për një arsye të vetme: sepse ishit brez i ri, ashtu siç jam edhe unë.
Në mënyrë krejt të natyrshme kam pasur empati ndaj jush, në mjaft rrethana, sepse kam besuar se të rinjtë e meritojnë mundësinë për të punuar dhe drejtuar, pa iu kërkuar “qimja në vezë” në gjithçka bëjnë dhe thonë.
Por ju, dje folët në mënyrë të përgjithshme, për paaftësitë e pedagogëvë për t’iu përshtatur kushteve dhe kërkesave të reja të mësimdhënies dhe specifikisht për letërsinë.
Ku e gjeni ju, guximin, zonja ministre, të më fyeni kështu?
Kur ka qenë hera e fundit që ju keni shkelur në një katedër universiteti, për të ndjekur apo dhënë një ligjëratë?
Sa e sigurt jeni ju, zonja ministre, që mësimi i në katedrën e letërsisë zhvillohet ashtu siç ju e përshkruat?
Pse flisni në përgjithësi, zonja ministre?
Si pedagog i Retorikës, ju kujtoj që e folura në përgjithësi, e cila i përbalt të gjithë bashkë dhe asnjë në veçanti, është retorikë politike dhe madje retorikë e keqe politike.
U bë kohë e gjatë që për pedagogun flitet në përgjithësi, që për pedagogun është krijuar një mitologjí e tërë dhe një narrativë e frikshme që e portretizon këtë të fundit si një krijesë e përbindshme, e paaftë dhe e korruptuar, që ka si armik të vetin studentin dhe që ky i fundit duhet ta shohë si pengues të zhvillimit të tij pedagogun e vet dhe duhet ta luftojë atë.
Më vjen keq, zonja ministre, por ky diskurs armiqësues të kujton vetëm frymën e “luftës së klasave”!
Kjo fabul e stërtreguar, që krijon nga hiçi dhe pastaj thekson, hap pas hapi, një antagonizëm mes palëve, studentit dhe pedagogut, që, në thelb, nuk ka asnjë arsye të ekzistojë, përdoret vetëm nga ajo gjuhë politike e cila kërkon ta zhvendosë diku tjetër presionin shoqëror, përmes një narrative që të krijojë diversion- pra përsëri është retorikë e keqe politike, edhe pse juve mund t’ju sjellë përfitime.
A mos ka ardhur koha që të flasim konkretisht, me emër dhe mbiemër?
Cili pedagog është i paaftë dhe nuk di t’i përgjigjet punës së vet?
Cili pedagog merr para për provime?
Cili pedagog abuzon me pozicionin e vet, në një mënyrë apo një tjetër?
Cili pedagog “refuzon” madje dhe me “kokëfortësi”, modernizimin që ju po flisni?
Nëse ju e keni seriozisht kur flisni, filloni t’u drejtoheni me emër njerëzve për të cilët flisni dhe jo me larghedhje dhe insinuata.
Nëse jeni të interesuar për fatet e studentëve të mi dhe keni dyshime se si unë e bëj mësimin, nëse u jap të mësojnë në mënyrë pasive informacion apo nëse i nxis të mendojnë në mënyrë kritike, ju ftoj sinqerisht të jeni pjesë e një ore mësimi.
Sa i takon paragrafit tuaj përmbyllës, ku flisni për “verdiktin” e studentëve të mi, ndaj meje (besoj se tepria e qëllimtë e përdorimit të vetës së parë, njëjës, tashmë e ka bërë të qartë natyrën metonimike të kësaj letre) ju vë në dijeni se leksema “verdikt”, ashtu si jo pak leksema e sintagma të tjera në postimin tuaj, janë çuditërisht pjesë e një ligjërimi që dallohet lehtësisht për gjurmët e një diskursi “futurist”, revolucionar dhe madje ndëshkimor (mungon vetëm togëfjalëshi “drejtësi popullore” që kuadri të ishte i plotë, por duke u marrë përditë me analizë teksti, mund të mbërrij vetë në përfundimin që fjala “verdikt” është një eufemizëm i këtij togfjalëshi), ndaj dhe mendoj që, mbiemri/epiteti “i tejkaluar” që më keni adresuar, i prejardhur nga në një folje, megjithëse folje kalimtare, në fakt, nuk e “tejkalon” adresën e nisjes, tuajën!
Eljon Doçe
ObserverKult