Faik Konica: Si humbet nji komb…

faik konica

Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1876 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington, ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Konstatinopojë, Francë dhe SHBA.
Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës.

Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”.

Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për “aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta”.

Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja, fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Faik Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideo-artistike.

Shkrimi “Si humbet një komb” i Faik Konicës nga shumë kritikë e njohës të veprës së tij është cilësuar ndër më të mirët e shkruar nga ai. Këtë shkrim mund ta lexoni në vazhdim:

Si humbet nji komb…

Nga: Faik Konica

Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë ta lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarrta të vëndit t’onë.

Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albanies” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojn fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç qi do të ketë ca Bullgarë më pakë, liri më tepër për Bullgarët e mbetur e robëri e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqi, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rrëfejmë këtu në pakë fialë.

Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e dreqtë. Dreqtësia është t’u lësh Bullgarëve liri të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marrsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (çdo Shqipëtar e di sepse)”.

E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i çfaqin luftë Turqisë edhe Sërbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete mëntja njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushëtarët e saj të pakënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qeveritarëve të kryeushëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë – sa do që Bullgarët e Principatit janë të paktë, shumë më të paktë pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie.

Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rrëfeu në luft të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqi të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë frëngu. 

Përandaj, sido që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë, ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhen ay bashkim e ajo marrë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilitdo e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rrezikut. Ata Shqipëtarët për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kishin njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njërës janë të paktë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet nji komb.

Eshtë nji e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtarë në Turqi t’Evropës. Kio ushtëri e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësi të vërtetë t’atyre vëndeve. Ahere, ndofta do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të dreqta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne.

E përgatiti: ObserverKult

—————–

Lexo edhe:

HOMAZHI POETIK NË KUJTIM TË ADEM GASHIT HAP FESTIVALIN POETIK TË PRISHTINËS