Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Shkëlzen Halimi.
Ja cilat janë tri librat që Halimi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
Libri vazhdon të jetë afër nesh, vazhdon të na mahnitë dhe vazhdon (për miliona e miliona njerëz) të jetë pjesë e jetës së përditshme. Janë me qindra e qindra libra që jo vetëm se duhet të lexohen, por edhe të rilexohen.
Nga Shkëlzen Halimi
Një vit më parë në një shkrim të shkurtër me titull “Libri i ndaluar dhe libri i lirë” kisha shkruar se “libri i ndaluar, sidomos në sistemet e vrazhda diktatoriale (komuniste) ishte libri që lexohej me admirim në fshehtësi, duke kaluar dorë më dorë. Libri i ndaluar për shumë individë do të bëhej mallkim, shkak për pësime të rënda, mbase pati edhe të atillë që e paguan me kokë. Libri i ndaluar reflektonte frikën e sistemit diktatorial komunist. Sot libri nuk është i ndaluar, është i lirë, por fatkeqësisht i përbuzur. Nuk lexohet, nuk shfletohet. Vazhdimisht mbulohet me pluhurin e harresës. Është diçka që krijon refuzim, që nuk mahnit. Libri është bërë një produkt që shpesh përfundon në kontejnerë, bashkë me plehrat. Prandaj, gjithnjë e më vështirë është të gjendet fija ndarëse mes diturisë dhe injorancës”.
Pavarësisht këtyre fjalive që i kam shkruar një vit më parë, megjithatë libri vazhdon të jetë afër nesh, vazhdon të na mahnitë dhe vazhdon (për miliona e miliona njerëz) të jetë pjesë e jetës së përditshme. Janë me qindra e qindra libra që jo vetëm se duhet të lexohen, por edhe të rilexohen, aq më tepër tani kur oferta dhe konkurrenca është e jashtëzakonshme dhe kur lexuesi i mirëfilltë mund të zgjedhë çfarë të lexojë. Por, krahas botimit të shumtë të autorëve të huaj, ne assesi nuk guxojmë t’i harrojmë veprat e atyre shkrimtarëve që e bënë dhe e bëjnë letërsinë shqiptare edhe më të pasur.
“Herezia e Dervish Mallutës”
Jam me fat që kam njohur Teki Dërvishin, një nga shkrimtarët tanë më të shquar. Tekiu ishte një individualitet i jashtëzakonshëm që na ka lënë shumë vepra cilësore të botuara, por edhe shumë dorëshkrime të pabotuara, të cilat presin ditë më të mira. Kujtoj se shoqëria shqiptare, gjithandej ku shtrihet ajo, ndonëse u bënë 9 vjet nga vdekja e tij (më 29 qershor), akoma nuk ia ka caktuar vendin e merituar. Ata që e kanë njohur do të pajtohen me konstatimin tim se vetë jeta e tij ishte një roman me shumë kaptina të mbushura me sakrifica të natyrave të ndryshme.
Ndonëse është botuar në vitet 80-ta të shekullit të kaluar, romani “Herezia e Dervish Mallutës” edhe sot e kësaj dite mbetet një vepër e freskët që ia vlen të lexohet, nëse për asgjë tjetër, thjeshtë për ta ndjerë fuqinë e gjuhës poetike të Dërvishit, e cila të jep një ndjenjë magjike të papërshkruar. Është një vepër ku ndeshet realiteti dhe fiksioni dhe një cikël i udhëtimit të individit drejt lirisë, ku individi përballet me disa paradokse të mjedisit, i cili u nënshtrohet rregullave që kufizojnë pikërisht lirinë. “Herezia e Dervish Mallutës” mbetet një ndër veprat më të arrira të letërsisë shqiptare, por të cilës akoma nuk i është vënë vula e vërtetë.
“Ca kokrra rrushi të Rahovecit”
Xhevdet Bajraj është ndër figurat më markante të poezisë së sotme shqipe. Përmbledhja e tij “Ca kokrra rrushi të Rahovecit” (botim i SH.B. Armagedoni), është një nga veprat më të mira poetike të viteve të fundit. Thjesht, vargjet e këtij libri të bëjnë për vete, të bëjnë të ndjesh një muzikalitet magjik dhe çdo përpjekje për ta interpretuar atë me fjalë, do të jetë një përpjekje sipërfaqësore, çka do të thotë se poezia ndjehet në botën tonë të brendshme. Libri është përplot figura stilistike. Në këto vargje është Kosova, dhimbja e saj dhe dhimbja jonë, është kujtesa, harta e përgjakur e fateve njerëzore, është loti i nënës, ankthi, është largësia, mungesa e atdheut, vendlindja, fëmijëria e shtangur, fshati. Janë të gjitha dimensionet nëpër të cilat, derisa lexohet libri, udhëton shpirti ynë herë i pikëlluar e herë i qetë. Këtë vëllim me poezi mund ta lexoni një herë, dy herë, mund ta lexoni sa herë që të dëshironi dhe po aq herë do të ndjeni se jeni duke lexuar diçka që nuk ka fund. Pra, secili që do t’i lexojë vargjet e librit “Ca kokrra rrushi të Rahovecit” të Bajrajt, do të ndjehet shpirtërisht i plotësuar, i frymëzuar, mbase edhe krenar që e posedon këtë vepër.
“Hija e erës”
U pikëllova shumë kur dëgjova lajmin për vdekjen e Karlos Ruiz Zafon në një moshë relativisht të re (55 vjeç). Një shkrimtar spanjoll i veçantë, i përkthyer në shumë gjuhë dhe me vepra të shitura në disa miliona ekzemplarë. “Hija e erës” është një nga veprat e tij, ku vërehen efektet magjike të autorit. Në fakt, Zafon qysh me këtë vepër paralajmëroi, siç kanë konstatuar shumë kritikë, se letërsia e vendit të tij do të ngritët në nivel më të lartë. Si edhe në veprat e mëpastajme, “Hija e erës”, do të përshkohet me shumë mistere, por të thurura me një shije fine, të cilat lexuesin do ta mbajnë në një ankth të çuditshëm, duke krijuar tensione të brendshme, me ç’rast ngjarjet e së kaluarës pasqyrohen në të tashme. Gjithçka fillon me Daniel Semperen, i cili në Barcelonën e pasluftës, bashkë me të atin viziton Varreza e Librave të Humbur. Natyrisht, librin edhe më tërheqës e bën përkthimi i Ardian Klosit, një mjeshtër jo vetëm i përkthimit, por edhe njohës i mrekullueshëm i gjuhës shqipe. Kur ta lexoni romanin “Hija e erës”, do t’ju lind dëshira t’i lexoni edhe veprat tjera të këtij autori, tashmë të ndjerë, të cilat fatmirësisht pothuaj të gjitha i kemi në gjuhën tonë amtare./ObserverKult