Publikohen disa kujtime të rralla të shtetases shqiptare me origjinë polake, Janina Kaczkowska Luarasi, bashkëshortja e ish-diplomatit shqiptar të periudhës së Monarkisë së Zogut, Thoma Luarasi.
Ajo ka banuar deri në vitin 1997 në shtëpinë e saj diku afër Kishës Orthodokse në Rrugën e Kavajës dhe deshmon lidhur me njohjen e saj në Tiranë me shkencëtarin e e njohur polak të përmasave europiane, Prof. Dr. Stanislav Zuber, që vdiq në qelitë e Sigurimit të Shtetit, në 18 tetor të vitit 1947, pasi ishte arrestuar dhe akuzohej si “agjent i italianëve”.
Kontributi i madh i prof. të famshëm polak që shërbeu për 20 vite në Shqipëri në studimin e kërkimin e fushave naftëmbajtëse, në kumtesat e referuara në vitin 1992, në një aktivitet shkencor përkujtimor në nder të tij, nga prof. Luan Peza dhe Leonard Zisi, kryetari i Shoqatës së Miqësisë, Shqipëri-Poloni, si dhe shkrimi në gazetën polake në vitin 1993, nga gazetari, Stanislav Shçarmiecki.
Më 18 tetor të vitit 1947, në një nga qelitë e ftoha të “Burgut të Vjetër” të Tiranës, ku mbahej prej muajsh nën tortura i akuzuar si “agjent i italianëve”, mbylli sytë përgjithmonë një nga shkenctarët më të famshëm të rangut evropian në industrinë e naftës, Prof. Dr, Stanislaf Zuber, i cili pasi ishte diplomuar në Akademinë e Gjeologjisë dhe Minierave në Krakov të Polonisë dhe Shellën të Rusisë, në vitin 1927, u thirr nga një kompani italiane dhe punoi për 20 vite në Shqipëri, në kërkimin dhe zbulimin e fushave naftëmbajtëse në vëndin tonë.
Vdekja sa mizore aq dhe tragjike e profesorit të famshëm polak që në atë kohë u mbajt e fshehtë nga regjimi komunist, nuk do të mësohej kurrë, po të mos ishte bërë publike nga shkrimtari i madh shqiptar, Petro Marko, i cili që në ditët e para të lejimit të shtypit pluralist, në prillin e vitit 1991, denoncoi publikisht atë krim të shëmtuar të diktaturës komuniste, duke përshkruar me hollësi çastet e fundit të jetës dhe vdekjen e shkencëtarit të njohur polak të përmasave evropiane, që dha shpirt në duart e tij, pasi edhe vetë autori i madh i “Hasta la vista”-s, në atë kohë ndodhej i arrestuar në Burgun e Vjetër të Tiranës, i akuzuar si “agjent i UNRRA-s”.
Po cila ishte e kaluara e prof. Stanislav Zuberit, ku kishte studiuar dhe u diplomua ai, si erdhi në Shqipëri, cila ishte puna studimore dhe shkencore e tij në periudhën e Monarkisë së Zogut, si u trajtua ai fillimisht nga regjimi komunist dhe pse u arrestua më pas prej tyre?
Për të gjitha këto dhe fakte e ngjarje të tjera nga jeta e tij, na njohin kujtimet e zonjës, Janina Kaczkowska Luarasi, (me shtetësi shqiptare dhe origjinë polake), e cila ka banuar deri në vitin 1997 në shtëpinë e saj në Rrugën e Kavajës, si dhe dëshmitë e prof. Luan Peza e Leonadrd Zisi, dy intelektualë të njohur që kanë lidhje shpirtërore me Poloninë, atdheun e Zuberit, ku ata kanë kryer studimet e larta universitare në fundin e viteve ’50-të, të cilët që në vitin 1992, organizuan të parin sesion shkencor përkujtimor në nderim të tij.
Kujtimet e shtetases shqiptare me origjinë polake, Janina Kaczkowska
Një nga njerëzit që e ka njohur nga afër dhe ka pasur miqësi të ngushtë me shkencëtarin e famshëm polak, prof. Stanislav Zuber, i cili humbi jetën në tortura në një nga qelitë e Sigurimit të Shtetit në Tiranën e vitit 1947, ka qenë edhe shtetasja shqiptare me origjinë polake, Janina Luarasi Kaczkowska, që ka jetuar në Shqipëri që nga viti 1936 (në atë vit ajo erdhi në Tiranë pas martesës me Thoma Luarasin, një nga diplomatët shqiptar të periudhës së Monarkisë së Zogut), e deri në vitin 1997, kur ndërroi jetë në shtëpinë e saj, diku afër kishës ortodokse në Rrugën e Kavajës. Në kujtimet e pakta që ajo ka lënë të shkruar për jetën e saj, kryesisht për periudhën e gjatë prej 60 vitesh që ajo jetoi në Shqipëri, ndodhen edhe disa fletë të zverdhura, ku ajo ka përshkruar njohjen e saj me bashkatdhetarin e saj, profesorin e famshëm polak, Stanislav Zuber. Në mes të tjerash në ato kujtime të cilat janë ruajtur me fanatizëm nga i biri i saj, inxhinieri kimist, Genc Luarasi, ajo ka shkruar:
“E njoha profesor Zuberin në njërën nga takimet javore, vizitë tek të njohurit tanë, sapo isha kthyer nga Polonia në vitin 1941. Ishte një zotni tashmë në moshë, me një trup mesatar me një pamje të thjeshtë, megjithëse ishte i gjallë, gjë që dukej kontradiktore me flokët e tij tashmë të thinjura; gjithmonë i rrethuar nga dëgjues të vëmëndshëm, të cilët i tërhiqte me mënyrën e tij të bisedës, ishte ky naftologu i njohur Stanislav Zuber, kërkues dhe zbulues i burimeve naftëmbajtëse në Shqipëri.
Gjatë 20 vjetëve ai e përshkoi me këmbë pothuaj të gjithë Shqipërinë, për së gjeri dhe së gjati, duke shënuar dhe përcaktuar burimet e saj të naftës. Profesori ishte polak; në rini kishte studiuar në Akademinë e Gjeologjisë në Krakov, pastaj ishte specializuar në Rusi, në Baku, ku edhe krijoi lidhje të shumta të profesionit të tij.
Në vitet që pasuan, e takova profesorin tej miqtë tanë, ku vinte si mik sa herë që e sillte puna nga Kuçova, fushëmbajtësja më e madhe e naftës Shqiptare, ku ai banonte familjarisht. E njoha tani nga afër dhe më mirë duke i vlersuar karakterin e tij, i paepur dhe i drejtë. Pas vitit 1944, nuk u takuam më. Të njohurit tanë na ishin larguar nga Shqipëria, ndërsa profesori nuk largohej nga Kuçova. Vetëm në pranverën e vitit 1946, rastësisht u takuam në rrugë për gëzimin tonë të përbashkët.
Mjerisht lajmet nuk ishin të mira. Edhe e shoqja ishte vrarë gjatë bombardimeve të Kuçovës. Ai vetë tani banonte në Tiranë, në një hotel, i internuar, përderi sa kohë punimet e tij, letrat dhe hartat i nënshtroheshin kontrollit. Në Kuçovë i’u ndalua të kthehej. Në Tiranë merrej me studimin e Ihtiologjisë me sekretaren që i ishte caktuar. Por ndonjë interes të veçantë nuk i zgjonte ky aktivitet.
Ftesës sime që të na vizitonte, profesori e pranoi me kënaqësi. Ndërkohë nga Polonia kishte ardhur edhe nëna ime pas përfundimit të Luftës, duke qëndruar përherë tek ne. Ajo i tregoi atij për të kaluarën gjatë bombardimeve të Varshavës, qëndrimet në fshehtësi pa ushqime për gati gjashtë javë. Çdo gjë e dëgjonte me vëmëndje, çdo gjë i interesonte. Në biseda ai ishte i thjeshtë dhe ishte në gjendje të diskutonte për shumë tema, vetëm specialiteti dhe kërkimet e tij ishin jashtë fushës së diskutimeve, gjë që e bënte vetëm me bashkëpunëtorët e tij.
Me afrimin e pranverës, filloi ta ndjente veten të survejuar dhe në fund të majit e arrestua nën akuzën e spiunazhit dhe u fut në burg. Të gjitha përëpjekjet për të pasur lidhje me të, dërgimin e sendeve nuk dhanë rezultat. Marrëdhëniet zyrtare në mes dy shteteve akoma nuk ishin vendosur për të patur një seli në Tiranë, ndërsa profesor Zuberi nuk e duroi dot kushtet e burgimit në atë moshë të shtyrë. Ai vdiq si pasojë e rraskapitjes në pranverën e vitit 1947”.
Dr. Luan Peza: Si na e vodhën sovjetikët arkivin e Zuberit
Një nga studiuesit e paktë që është marrë shumë me figurën, jetën dhe veprën e profesorit të famshëm polak, Stanislav Zuber, është dhe prof. Luan Peza, i cili në fundin e viteve ’50-të, është diplomuar në Akademinë e Minierave dhe Gjeologjisë në Krakov të Polonisë. Në një shkrim të tij për prof. Zuberin të publikuar në shtypin e përditshëm në fillimin e viteve ’90-të, në mes të tjerash prof. Luan Peza ka shkruar:
“E gjerë dhe poliedrike është figura dhe vepra e Stanislav Zuberit. Punime gjeografike të Shoqërisë AIPA drejtoheshin prej tij. Ishte ai që zbuloi vendburimet e naftës në Kuçovë. Ndër të tjera muzeu, arkivi dhe biblioteka kanë qenë aq të bukura, sistematike dhe të pasura, thesare të vyera të truallit dhe kombit shqiptar sa edhe të atij polak. Profesorin e nderuar e kishin arrestuar komunistët dhe ai kishte vdekur në një burg aty nga tetori i vitit 1947. Kishin kaluar vite, kur unë isha student në Akademinë e Minierave dhe të metalurgjisë në Poloni.
Një profesor më pyeti: “Zotëri, i çfarë kombësie jeni ju?” U ngrita në këmbë dhe plot respekt i’u përgjigja: “Jam shqiptar”. Çuditërisht, ai profesor aq i urtë dhe fisnik, brofi në këmbë i tejnervozuar dhe më tha: Ju shqiptarët jeni gjaksorë, aq sa vrisni edhe shkenctarë! Natyrisht nuk ishin gjaksorë shqiptarët, por Enver Hoxha dhe bashkëpunëtiorët e tij. Më 1992, gjatë një muaji e gjysëm që punova në Ministrinë e Minierave, u mora vetëm me shfletime në arkiv.
Materialet kryesore të këtij arkivi ishin të Stanislav Zuberit. Ato ishin shkruar kryesisht në gjuhën italiane, më pak shqip dhe në ndonjë gjuhë tjetër. Natyrisht jo vetëm në atë që quhej ‘Arkiv Gjeologjik’ i ministrisë, por edhe në arkivën e atëherëshme të Drejtorisë së Përgjithëshme të Naftës dhe gjetiu, unë mësova se materialet dhe veprat e Stanislav Zuberit, ishin dëmtuar rëndë, ndaj në vitin 1948, Staniklijev, gjeologu i parë sovjetik që kishte ardhur në Shqipëri, e ngriti me kamion dhe e çoi në Bashkimin Sovjetik, pjesën më të madhe të arkivit të Stanislav Zuberit, me autorizimin e një zëvëndësministri.
Kohë më pas, u bënë shpenzime të mëdha për përkthimin në rusisht të të gjithë veprave të raporteve, relacioneve etj., të gjeologëve të huaj. Vepra nga Stanislav Zuberi si “Shënime mbi tektonikën dhe evolucionin e vendburimeve të mineraleve metalbartëse të Shqipërisë”, dhe “Shënime mbi gjeologjinë dhe naftëmbajtjen e Greqisë”, janë përkthyer e vënë në formë dispensash për studentët e universitetit.
Për ilustrimin e lëndës, “Gjeologjia e Shqipërisë”, krahas hartave të autorëve të tjerë, me dorën time restaurova, ngjyrosa dhe pajisa me shenjat konvencionale Hartën Gjeologjike të shkallës 1:2000.000 të Stanislav Zuberit. Në kabinetin e Gjeologjisë së Shqipërisë, nuk na mungonte as edhe Harta Tektonike e shkallës 1: 4000.000 e tij.
Por mjerisht, sidomos në fillimin e viteve ’70-të, egërisa e inkuizicionit enverian kaloi çdo kufi. Të gjitha veprat dhe hartat e autorëve të huaj duhet të hiqeshin nga qarkullimi dhe të digjeshin në fabrikën e kartonit. Këtë fat pësuan madje të gjitha tekstet e shkruara nga unë vetë (ose në bashkëpunim) mbi Gjeologjinë e Shqipërisë, sepse “nuk përshkoheshin tej e mbanë nga boshti ideologjik i Partisë dhe nuk mbështeteshin sa duhet në mësimet jetëdhënëse të shokut Enver, dhe sepse kishin gabime ideologjike”.
Po pse u martirizua Stanislav Zuberi në Shqipëri? Për t’iu përgjigjur sa më qartë kësaj pyetje, sipas mendimit tim do të ishte me vënd të kujtonim dhe perifrazonim fjalët e fundit të Giordano Brunos, kur inkuizicioni Mesjetar e kishte dënuar me vdekje (Me diegje në turrën e druve): “Unë po vdes në një kohë që ka humbur arsyen, ndërsa inkuizicioni do të varroset ditën kur ajo do të gjindet”.
Shkenctari polak, që bëri aq shumë për Gjeologjionë e Shqipërisë, Prof. Dr. Stanislav Zuber, u martirizua, figura dhe vepra e tij u denigrua, sepse në kohën e inkuizicionit enverian: humbi arsyeja. Falë fitores së demokracisë në Shqipëri, shtigjet për gjetjen e arsyes tashmë janë të hapura. Tash edhe i ndjeri Prof. Stanislav Zuber do të rivendoset siç e meriton, krah për krahj me shkencëtarët e tjerë që i dhanë aq shumë Shqipërisë”.
Konferenca e parë përkujtimore për Zuberin në 1992
Figura, jeta dhe vepra e shkenctarit të famshëm polak, prof. Stanislav Zuber, i cili pasi kishte punuar me devocion dhe përkushtim të rrallë për 20 vjet me radhë në kërkim të vendburimeve të naftës në Shqipëri, humbi jetën nga torturat në qelitë e Sigurimit të Shtetit në Tiranën e vitit 1947, mundi që të përkujtohet zyrtarisht atë vetëm në vitin 1992, me rastin e 45 vjetorit të vdekjes së tij.
Në atë kohë një grup intelektualësh shqiptarë të grupuar në Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, si: Leonard Zisi, Luan Peza, Genc Luarasi, Petraq Xhaçka, etj., të cilët kishin studiuar apo kishin shërbyer si diplomatë në Poloni, në bashkëpunim me Fakultetin e Gjeologjisë së Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës, organizuan një konferencë shkencore përkujtimore, në nderim të figurës, jetës dhe veprës së profesorit polak, Stanislav Zuber.
Në njoftimin e dhënë nga Agjensia Telegrafike Shqiptare për atë mbledhje përkujtimore, midis të tjerash u tha: “Profesor doktor Stanislav Zuber, ishte një figurë e shquar me përmasa botërore, i cili i dha aq shumë për zhvillimin e gjeologjisë në Shqipëri, por që u dënua egërsisht nga diktatura komuniste. Ai ishte shtetas polak por duke filluar që nga viti 1926, për 20 vjet me rradhë, u lidh pazgjidhshmërisht me Shqipërinë, duke dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e geologjisë kryesisht asaj të naftës.
Është autor i më se 430 punimeve shkencore për gjeologjinë shqiptare. Ndërmjet të tjerash profesor Zuberi ka punuar Hartën Tektonike dhe Hartën Gjeologjike të Shqipërisë, përkatësisht në shkallët 1:4000.000 dhe 1: 200.000. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ai u angazhua dhe punoi për nevojat e industrisë së naftës së Shqipërisë. Në vitin 1947, ai u arrestua nga regjimi komunist dhe nga torturat çnjerëzore, vdiq në burgun e Tiranës më 18 tetor 1947.
Për të përkujtuar veprën e ndritur të këtij shkencëtari të shquar polak, në këtë konferencë morën pjesë edhe kryetari i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës, zoti Maks Konomi, deputetët Abdi Baleta dhe Kurt Xhepa, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, prof. Gëzim Karapici, zv/ministri i Industrisë dhe Burimeve Minerare Bujar Nepravishta, si dhe punonjës të institucioneve shkencore dhe anëtarë të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni etj.
Konferenca u hap nga kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, i cili njoftoi të pranishmit për dekorimin që presidenti Sali Berisha, i kishte bërë profesor-doktor Stanislav Zuberit, duke i akorduar medaljen “Martir i Demokracisë”, me këtë motivacion:
“Studimet dhe orientimet e tij në shërbim të gjeologjisë shqiptare, të cilat koha i vërtetoi si të sakta, të vlerësuar edhe nga institucionet gjeologjike botërore, mbështeten në figurën e tij prej demokrati të vërtetë, që nuk i’u përkul diktaturës, si një shkencëtar që u masakrua dhe u zhduk prej saj”.
Ajo dekoratë e lartë i’u dorëzua të ngarkuarit me punë a.i. të Republikës së Polonisë në Shqipëri, z. Jezhi Zavalonka nga Kryetari i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës, zoti Maks Konomi. Më pas fjalën e rastit e mbajti dekani i fakultetit të Gjeologjisë dhe Minerave, Muhamet Doracaj. Më pas, doktor Petraq Xhaçka dhe doktor Stanislav Carencki, punonjës shkencor në Akademinë e Shkencave të Polonisë, mbajtën referatet kryesore mbi jetën dhe veprimtarinë shkencore të Stanislav Zuberit.
U mbajëtn gjithashtu kumtesa nga punonjësit shkencor: Luan Peza, Fotaq Diamanti, Skënder Osmani, Haki Dakoli e Stavri Curri, dhe më pas u bënë diskutime nga ata persona që e kishin njohur nga afër profesor Zuberin. Me këtë rast u hap edhe një ekspozitë për jetën dhe veprën e prof. Stanislav Zuberit.
Nga konferenca u propozua që viti 1993, i cli përkon me 100 vjetorin e lindjes së profesor Stanislav Zuberit, të përkujtohet me nderim për këtë shkëncatër të shquar, duke kërkuar që në këto aktivitete të angazhohen edhe institucione dhe organizata ndërkombëtare të fushës së shkencave dhe gjeologjisë.
Leonard Zisi: Zuberin nuk e vrau Shqipëria, por diktatura
Në konferencën shkencore të mbajtur në vitin 1992 me rastin e 45 vjetorit të vdekjes së shkencatërit të famshëm polak, profesor Stanislav Zuber, e mori fjalën edhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, Leonard Zisi, i cili midis të tjerave u shpreh:
“Dy ditë më parë, më 18 tetor të këtij viti, u mbushën plot 45 vjet, që si rrjedhojë e torturave çnjerëzore që ju shkaktuan në burgun e Tiranës, vdiq gjeologu polak me prestigj ndërkombëtar, profesor doktor, Stasnislav Zuber. Në këtë mënyrë, diktatura komuniste i’a “shpërbleu” këtij gjeologu të famshëm kontributin e tij më se 20 vjeçar në të mirë të Shqipërisë, në fushën e gjeologjisë.
Ky ishte një krim i rëndë që në mënyrë të ndërthortë çdo shqiptar ndjen një përgjegjësi morale, për këtë shtetas polak me vlera kulturore universale që u trajtua barbarisht. Por profesor Zuberin nuk e vrau Shqipëria, as populli shqiptar, për të cilat ai punoi me pasion për të mirën e tyre për 20 vjet me rradhë, por diktaura komuniste, ajo diktaturë që popullit polak, nga shtetet e tjerë, i kish shkaktuar më parë dhimbje të tjera shumë më të mëdha, si vrasja e 14 mijë oficerëve polakë në pyjet e Katnicës të Ukrainës.
Në të kundërt, Shqipëria dhe populli shqiptar, e ruajti kujtimin e veprën e ndritur të profesor Zuberit dhe mbas 47 vjet të sundimit të diktaturës komuniste, ajo po heq këtë njollë dhe po i jep vëndin e merituar kësaj figure të shquar. Hapin e parë në këtë drejtim, e bëri shkrimtari i mirënjohur Petro Marko, i cili që në ditët e para kur filloi të fryjë flladi i demokracisë në Shqipëri, më 14 prill 1991, në faqet e gazetës “Republika”, denoncoi krimin e shëmtuar të vrasjes barbare të profesor Zuberit, duke qenë dëshmitar i drejt për drejt i momenteve të vdekjes së tij. Ndërsa sot bëhet hapi tjetër i rëndësishëm, ai i vendosjes në vend të veprës së tij në të mirë të Shqipërisë”.
Shkrimi i gazetarit polak Stanislav Shçarmiecki, botuar në Varshavë në 1993
“Krimi kundër kulturës botërore”, është titulli i shkrimtarit shqiptar Petro Marko, i dënuar i regjimit të komunist të Enver Hoxhës, që përshkruan çastet e fundit të vdekjes së gjeologut polak, Stanislav Zuber, një gjeolog gjenial i naftës, i cili në vitin 1947 u arrestua dhe vdiq në burg pa dalë në gjyq.
Stanislav Zuber u lind më 14.X.1893 në Luov në familjen e gjeologut të shquar, profesor të Universitetit të Luovit, Rudolf Zuber, i cili ishte djali i madh i familjes Zuber. Si Stanislavi dhe vëllai i vogël, Kazimireshëm, u rritën me dashamirësi për shkencën e gjeologjisë, e në veçanti asaj të naftës, drejtimi kryesor i babait të tyre. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Stanislav Zuber vazhdoi studimet në Universitetin e Laovit dhe më vonë kaloi në Krakov.
Profesorët e tij, krahas të jatit, ishin edhe Lemiradshi Raciborzhi, Morozhovica. Lufta dhe pushtimi i Luovit nga ushtria ruse në 1915, i ndërprenë studimet dhe ai u transferua në Shellën të Rusisë. Me ndihmën e miqve të të atit, ai gjeti punë në një firmë zbulimi nafte në Baku. Krahas punës, studioi strukturat gjeologjike të burimeve të naftës me prejardhje vullkanike. Botoi një sërë punimesh shkencore.
Më pas mundi të kthehej në Poloni në vitin 1924, ku fitoi titullin e doktorit në Universitetin e Luovit. Më pas vazhdoi studimet në rajonin e karpateve dhe në 1927, mori titullin në Universitetin e Lagelonit në Krakov. Punimi i tij u vlersua lart nga profesorët recensues, Shajnoh dhe Momau. I ftuar nga një kompani italiane, ai u largua po atë vit nga Universiteti i Lagelonit dhe për 20 vjet punoi në Shqipëri, në zonën e Kuçovës, deri në vrasjen e tij në burgun e Tiranës në vitin 1947.
Krahas studimeve, kërkimeve e zbulimeve të vendburimeve naftëmbajtëse në Shqipëri, ai zhvilloi aktivitet edhe në Malin e Zi dhe Itali. Në Shqipëri u vendos në Kuçovë, e cila u zhvillua si një fushë e pasur naftëmbajtëse. Kërkimet e tij ishin rezultative: në drejtimin e tij u zhvillua prodhimi i naftës në atë periudhë.
Krahas kësaj, zhvilloi studime stratigrafike të përmbledhura në hartimin e Hartës Tektonike në vitin 1942. Hartoi gjithashtu disa harta rajonale gjeologjike. Është autor i mbi 200 ekspertizave, shprehur nga shkenctarët shqiptarë në atë sesion. Një pjesë e vogël e tyre u paraqitën dokumetativisht, së pari nga udhëzimi fillimisht i drejtuesëve italianë të institucionit, e mandej, pas çlirimit këto dokumenta nuk publikoheshin nën siglën e “Sekretit Shtetëror”, të psikozës së qeverisë së Hoxhës.
Pas çlirimit, fillimisht i trajtua si shkencëtar i famshëm, mandje u persekutua dhe u akuzua për spiunazh, se kishte pasur lidhje me bashkëpunëtorët e tij në Baku. Në vjeshtën e vitit 1947, u arrestua dhe u torturua deri në vrasjen e tij në qelinë e burgut. Gjatë punës në Shqipëri, profesori Zuber, mori pjesë gjallërisht në jetën shkencore në shumë kongrese ndërkombëtare, me paraqitjen sidomos në Francë, të punimeve dhe kumtesave nga fusha e gjeologjisë. Në Kuçovë ngriti muzeun gjeologjik, përgatiti gjeologët e rinj dhe krijoi lidhje me shkenctarët shqiptarë.
Krahas vendit të tij të lindjes, ai kurdoherë vlerësoi Shqipërinë, si njëlloj të afërt në frutdhënien e punës së tij. Në vitin 1942, krijoi familjen e tij duke u martuar me Matjuia Gjianpretro nga një familje italiane aristokrate, e cila dy vjet më vonë u vra gjatë bombardimeve të aleatëve në Kuçovë.
Fati tragjik i Stanislav Zuberit, e vendosin me perbërjen e gjeologëve të famshëm polakë, që perifrazohen në titullin e “njerëzsve pa çati”, sipas Zhvernovskit, ashtu si Ludvig Zaincev, Stanislav Zharecmi, Viktor Kuzhmiar, që u sakrifikuan në shërbim të shkencës. Puna e tyre shërbeu si gur në ndërtimin e gjeologjisë polake. Stanislav Shçarmiecki
Janina Kaczkowska i dha dëshmitë për Zuberin gazetarit polak
Një pjesë të dëshmive dhe të dhënave mbi jetën e veprën e shkencëtarit të famshëm, Stanislav Zuber, kryesisht atë të qëndrimit të tij prej 20 vjetësh në Shqipëri, gazetari polak, Stanislav Shçarmiecki, arriti ta mblidhte nga biseda që bëri me shtetasen shqiptare me origjinë polake, Janina Kacazkovska, gjatë vizitës që ai bëri në Shqipëri në vitin 1992. Kjo gjë veç të tjerash dëshmohet edhe nga një letër falënderimi që ai ia dërgon një vit më vonë asaj, ku në mes të tjerash i shkruan:
“Shumë e nderuara zonjë. Edhe një herë ju falënderoj përzemërsisht për bashkëbisedimin interesant dhe të vlefshëm mbi Stanislav Zuber. Bashkë me fotokopjen e artikullit tim, që u botua në në një nga revistat gjeologjike.
Në vitin e ardhshëm do të flas mbi jetën e dhe veprimtarinë e Zuberit me Shoqatën e Gjeologve të Polonisë, dhe mundet të shkruaj diçka. Dërgoj për ju dhe djalin tuaj, urimet e mija më të mira me rastin e afrimit të festave dhe ju kujtoj Juve./Memorie.al