Charles Bukowksi: M’u deshën 56 vjet për të gjetur Lindën, dhe ia vlente të prisja…

Charles Bukowksi

Nga Charles Bukowksi

Por kisha edhe fat tjetër: një grua të mirë. M’u deshën 56 vjet për të gjetur Lindën, dhe ia vlente të prisja.

Burri duhet të provojë shumë gra për të gjetur të vetmen që i duhet dhe, po të kishte fat, ajo do t’i bëhej ngaherë krah. Për një burrë do të ishte marrëzi po ta zgjidhte gruan e jetës që në rastin e parë apo të dytë; as nuk e ka idenë se ç’është gruaja. Ama burri duhet t’u shkojë gjërave deri në fund, dhe kjo nuk do të thotë vetëm të shkojë në shtrat me gratë e të bëjë atë punë një apo dy herë- ai duhet të jetojë me to për muaj e vite.
Unë nuk i qortoj ata burra që kanë frikë ta bëjnë këtë, se kjo do të thotë t’ia kushtosh shpirtin gjithçkaje. Natyrisht, ka njerëz që e ndajnë fatin vetëm me një grua dhe thonë madje se kjo na qenka zgjidhja më e mirë. Ka shumë asish, madje pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë nën flamurin e armëpushimit: kuptohet se gjërat nuk po shkojnë edhe aq mirë, por s’prish punë, të kënaqur jemi edhe me kaq, thonë ata, nuk e vlen t’ia nisësh nga e pata, të shohësh, bie fjala, se ç’japin televizionet sonte. Asgjë. Bukuri, ta shohim prapë.

– Është mirë kur shihemi sy ndër sy dhe të mendojmë për këtë. Televizioni mbledh së bashku çifte shumë më të këqija sesa mbledhin fëmijët apo kisha.

Mendoni për gjithë ata njerëz që rrojnë bashkë, edhe pse kjo nuk u pëlqen, urrejnë punën, por kanë frikë se mos e humbin, kështu që nuk është ndonjë çudi nëse kanë atë fytyrë që kanë. Është thuajse e pamundur të shohësh fizionominë e një njeriu mesatar, pa dashur të kthesh njërën faqe për të parë se ç’ka në tjetrën, një portokall, një gur, një shishe me terpentinë, ose një bythë qeni.
Nuk gjen fytyra të hijshme as nëpër burgje dhe në çmendina, dhe mjeku që të rri mbi krye teksa po jep shpirt, vë menjëherë maskën e një idioti. Nuk më pëlqen fytyra ime, nuk duroj dot pasqyrat; diku kemi gabuar rrugë, një çast, përpara shumë kohësh, dhe nuk e gjejmë dot rrugën për t’u kthyer mbrapsht.

Punë dreqi, vëlla, kur muti ynë duket më i mirë se ç’jemi vetë.

Charles Bukowksi

*Shkëputur nga libri “Këtë nuk e ka bërë as Shekspiri” të Charles Bukowksit, Skanderbeg books, Tiranë, 2001

Shqipëroi: Artian Guskiqi

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

BUKOWSKI: NUK DUA TË MENDOJ PËR TY, DUA ME TË PASË KËTU, PRANË VETES…