Shpirt i ëmbël, moj e bukurisë hyjneshë…

Dhionisios Solomos: Ëndërr

Dëgjo ç’ëndërr, shpirt i ëmbël,
moj e bukurisë hyjneshë.
M’u fanit se isha mbrëmë,
tok me ty, gjer në mëngjes.

Në një kopsht të mrekulluar,
po shëtisnim ne të dy,
lart në qiell ndrisnin yjet
dhe i numëroje ti.

Unë u thoja, flisni yje,
ka mes jush ndonjë aty,
të ndriçojë andej, së largu,
siç pranë meje këto dy sy?!

Pa më thoni, keni hasur,
flok’ e vetull më hyjnor,
këmbë e duar si lastarë,
dhe vështrim kaq ëngjëllor?

Po ky shtat i llahtarisur,
që pyet kush ta shikojë:
Gjersa është ëngjëll i stisur,
pse s’ ka krahë të fluturojë?

Në çdo puthje, shpirt i vogël,
që më jepje m’ ëmbëlsi,
çelte gonxhe trëndafili,
e na binin përmbi sy.

Për gjithë natën gonxhet çelnin,
gjersa rrezja në agim,
na ndriçoi të dy së toku,
me të verdhëtin vegim.

Kjo qe ëndrra, shpirt e dritëz,
tash, veç ti e ke në dorë,
të bëhet vërtetë një ditëz,
a të tretet si dëborë.

Shqipëroi: Arqile Garo