Oriana Fallaci: Betohu se nuk do të më lësh më kurrë…

Nga Oriana Fallaci

Lumturia është vetbraktisja që në mesnatë na shpie në shtëpinë me portokalle dhe limonë, ku hyjmë në majë të gishtave, pa na u bërë vonë fare për policët që kontrollojnë çdo lëvizje tënden.

Lumturia është aroma e jaseminit që ka lulëzuar poshtë dritares ku mbështetem, ndërkohë që ti përkulesh dhe këput një tufë, të cilën ma ofron së bashku me druajtjen tënde.

Është një dhomë, mjerimi i së cilës nuk më bie më në sy, as poltronat e saj të lyrosur dhe rrjepur, as zbukurimet e palezetshme, as diplomat absurde nëpër korniza, sepse ti je pranë meje. Është edhe një puthje që s’e pret të jetë kaq e turpshme, ndërkohë që era fëshfërin mes degëve të ullinjve dhe na sjell ninullën e detit. Është një lot që papritur rrëshket mbi faqen tënde ndërsa më pëshpërit:

– Kam qenë kaq i vetëm. Nuk dua të jem më vetëm. Betohu se nuk do të më lësh më kurrë.

– Është fytyra jote serioze, sytë e tu të mallëngjyer që mbyten në sytë e mi të mallëngjyer, krahët e tu të druajtur që kërkojnë të mitë, edhe ata të druajtur, sikur të ishim dy të rinj që takojnë për herë të parë dashurinë, mbase sepse e ndjenim se po përgatiteshim të shlyenim një rit prej të cilit do të vareshin vitet tona të ardhshme.

Lumturia është heshtja e gjatë, çuditërisht e gjatë, ndërkohë që buzët tona preken me hezitim, për t’u bashkuar me bindje, e trupat tanë që lidhen pa druajtje, bashkohen me vendosmëri për t’u shtrirë, duke u prekur në errësirë, për t’iu afruar shtratit, të gëlltitur nga lumenj ëmbëlsie që verbojnë, duke kërkuar gjeste dashurie të harruara, të shumëdëshiruara, e ndërsa na vijnë në mendje penetrohemi me harmoni, përsëri e prapë, ende, sikur kjo gjë duhej të zgjaste përjetësinë.

– Më pas, të lodhur, vështrojmë njëri-tjetrin në sy, me kokat mbështetur në të njëjtin jastëk e ti më thua:

– S’agapo tora ke tha s’agapo pantote – të dua tani e do të të dua përgjithmonë…

ObserverKult


LEXO EDHE:


LETRA E ORIANA FALLAÇIT PËR TË DASHURIN E SAJ: MË PRIT… EDHE UNË TË KAM PRITUR PA FUND…