Nga Saimir Lolja
Arbërit e jugut dhe mesit të Gadishullit Ilirik filluan zhvendosjen në Gadishullin Apenin dhe Siçili më së shumti në shekujt XV-XVI me qëllim që të shmangnin shfarosjen prej hordhive osmane-tartare (mongole)-arabe. Dallohen largimet e mëdha pas rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Koronës në More në vitet 1533-1534. Si e fundit zbritje e madhe arbëreshe qe ajo e vitit 1744 në Villa Badessa afër Peskarës. Fisnikët e tyre arbërore bënë marrëveshje të dokumentuara me principatat vendore në Gadishullin Apenin. Për shembull, një marrëveshje e atillë për qytezën e Frasnitës, ku lindi Antonio Bellushi, daton në vitin 1490. Në Italinë jugore janë 136’000 arbëreshë në 55 fshatra që akoma flasin Shqip, ndërkohë që 182’000 të tjerë në fshatra të tjerë nuk e flasin Shqipen. Shkaku kryesor për këtë gjendje mbetet mungesa e shkollave Shqipe. Arbëreshët, veç atyreve të ardhur, janë kudo në Itali Ata kanë lënë gjurmë kudo në historinë e Gadishullit Apenin në çdo fushë të jetës, kulturës, fesë, të shtetit e ushtrisë, në të shkuarën e në të sotmen.
Rasti i arbëreshve në Itali të Jugut, përfshirë edhe Siçilinë, që nga ana fetare janë të krishterë ortodoksë tregon se të parët e tyre që erdhën aty prej jugut të Gadishullit Ilirik 300-600 vite më parë flitnin e luteshin Shqip bashkë me priftërinjtë edhe në kishat e tyre. Domethënë priftërinjtë e tyre edhe kanë lexuar e vazhdojnë ta lexojnë biblën e shkrojtur në Shqip edhe kanë shkrojtur Shqip. Nga shekulli XVII e deri në vitin 1867 ata shtyheshin me dhunë që ta kthenin ritin fetar nga lindor ortodoks në atë katolik i cili kryhej në italisht. Ata që ndryshuan ritin u tretën në italianë. Ata që u mbajtën fort pavarësisht dhunës ruajtën vetëdijen dhe gjuhën Shqipe. Sepse, ata nëpërmjet kishës së tyre lindore ortodokse kanë ruajtur gjuhën Shqipe dhe vetëdijen arbëreshë ngase shkolla Shqipe nuk kanë patur e nuk kanë edhe tani. Eparkia e Ungrës (Dioqeza e Lungros) në Kalabri për arberëshët e ritit bizantin u themelua vetëm në vitin 1919. Dhe viti 1937 pati themelimin e Eparkisë së Horës së Arbëreshve (Piana degli Albanesi, ita.) në Siçili dhe shpalljen si nën-peshkopatë të Abacisë së Shën Mërisë në Grottaferrata afër Romës. Në këto Eparki të krishtera ortodokse me peshkop arbëresh dhe pjesë e Papatit katolik të Romës flitet e përdoret gjuha e njësuar Shqipe.
Gjuha Shqipe filloi të shkruhej për herë të parë tek arberëshët në vitin 1736 kur u themelua Kolegji i Shën Adriani në San Benedetto Ullano në Kalabri dhe Seminari Arbëresh i Palermos në Siçili. Kolegji Shën Adriani botoi tekste, programe e plane shkollore për mësimdhënien e mësimmarrjen e gjuhës Shqipe. Në vitet 1898-1919 mbi 100 shqiptarë nga Gadishulli Ilirik morën mësimet në Kolegjin e Shën Adrianit dhe më pas lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombtare e shtetrore shqiptare. I ndrituri Jeronim De Rada qe nxënës dhe më pas dha mësim në atë kolegj. Kurse Luigj Gurakuqi, Zef Serembe, Bernard Bilota, Zef Jubani, Thimi Mitko, Aleksandër Xhuvani e Kostaq Cipo qenë nxënësit dhe bashkëpunëtorët e tij. Gazeta “Flamuri i Arbrit” që botonte Jeronim De Rada ishte gazeta e parë periodike shqiptare që bashkoi shkollarët shqiptarë të kohës dhe shpërndahej kudo ku kishte shqiptarë në botë.
Antonio Bellushi lindi në Frasnita (Frashëri) të Kalabrisë më 15 Shtator 1934. Shumë prej arbëreshve të Frasnitës dhe qytezave përqark Ejanina, Civita, etj. janë vendosur aty rreth vitit 1490. Qyteza e Frasnitës ka nxjerrë shkollarë, shkrimtarë e priftërinj që bënë emër. Një nga ata është edhe i diplomuari i Kolegjit të Shën Adrainit në shekullin XIX i madhi arbëresh Vincenzo Dorsa.
Antonio Bellushi u diplomua për Filozofi e Teologji në Universitetin Gregorian të Romës në vitin 1962. Në ata vite u miqësua me profesor Ernest Koliqin dhe shkrojti në revistën e tij “Shejzat”. Në vitet 1962-1965 ai qe prift në qytezën arbëreshe të Shën Sofisë së Epirit, ku të parët arbëreshë patën ardhur nga Epiri në vitin 1472. Në vitet 1965-1973 ai qe prift në qytezën e Shën Konstadinit, ku arbëreshët ishin me origjinë nga Morea. Aty ai botoi revistën “Vatra Jonë” në Shqip, italisht e anglisht, e cila pasqyronte historitë, zakonet, këngët, veshjet e tyre arbëreshe me origjinë nga Morea.
Në vitet 1973-1979, Antonio Bellushi qe famullitar në qytezën Falconara Albanese. Atje krijoi me të rinjtë një ekip i cili jepte koncerte në fshatrat arbëreshe përreth. Në vitet 1979-2000 ai qe famullitar për 5000 banorët arbëreshë të qytetit të Kozencës. Atje, ai themeloi në vitin 1980 revistën gjashtëmujore “Lidhja” e cila vazhdoi deri në vitin 2009. Revista “Lidhja” u kthye në një perlë që madhësohej me kohën nëpërmjet shkrimeve të shkollarëve arbëreshë për gjuhën Shqipe, kulturën, trashëgiminë dhe historinë e arbëreshve kudo të ishin.
Qëkur nisi të ushtronte detyrën e priftit, Antonio Bellushi filloi të studionte e regjistronte jetën e trashëgiminë arbëreshe, këngët, vallet, veshjet, shprehjet, fjalët e urta, gojëdhënat, përrallat, martesat, ritet fetare, fisnikërinë, etj. Ai thesar i grumbulluar më pas filloi të botohej i plotë dhe rregullisht në revistën e tij “Lidhja”, e cila u shkonte arbëreshve kudo të ndodheshin në botë. Gjurma e tij e ngjitjes lart e më lart është formuar nga 60 vjet punë kombtare arbërore me një sasi e cilësi të pakryer nga njeri tjetër dhe e bërë drejtpërsëdrejti në terren. Biblioteka e tij tani është një thesar i mbajtur pastër e i rradhitur dhe është e hapur për sa më shumë studentë e profesorë shqiptarë nga kudo ku janë. Biblioteka e tij përmban mbi 10’000 botime që kanë të bëjnë me kulturën, artin, gjuhën e historinë arbërore-shqiptare dhe grumbulluar aty nga të katër anët ku ka arbëreshë-arbanas-arvanitas-shqiptarë. Atë, për shembull, e kanë vizituar shkollarë shqiptarë nga Tirana e Prishtina që nga viti 1977 dhe tani dhjetra studentë shqiptarë në vit nga Universiteti i Tetovës.
Arbëreshët kanë biblioteka e muzeume, grupe muzikore e valltare, organizojnë festivale, kanë libra, revista, vjershëtarë, shkollarë dhe faqe interneti në Shqip. Në shtëpinë e arbëreshit mendohet, flitet, shkruhet e këndohet vetëm Shqip. Arbëreshi këndon këngë popullore me çdo mik që u hyn në shtëpi. Malli për dheun e Atit dhe të Amës nuk shteron. Ai e ka Besën të skalitur në mendje e sjellje. Antonio Bellushi krenohet se gjatë tërë jetës së tij ka ndjekur këshillën e babait Xhovani Bellushi që të ishte një arbëresh i mirë. Ai kujton të ëmën Teresa Policastro Bellushi që, sipas fjalës së saj, kur vdiq u varros me kostumin arbëresh të martesës.
Në gjurmën që Antonio Bellushi ka skalitur duke u ngjitur lart janë edhe 40 vite punë kombtare, që nga viti 1965, me arbërorët-arbanitët-arvanitët e Greqisë. Ai shkonte në katundet arvanitase në tan Greqinë dhe merrte pamje, regjistronte të folmet, vjershat, këngët, fjalët e urta, mallkimet, përrallat, zakonet, gojëdhënat, bisedat, në gëzime e zi. Pastaj ato ai i botonte në revistën “Lidhja” dhe ua dërgonte me mijra kopje në duart e tyre. Arvanitasit i shkruanin letra atij në Shqip. Ai i pyeste ata imtësisht, si bie fjala: Si e bëni bukën dhe djathin? Si i thoni kësaj, asaj, atij? Si i punoni vreshtat dhe arën? Si quhen fshatrat, malet e kodrat përqark? Si përshëndeteni? Si uroni, këndoni e për çfar?
Përgjigjet që mori nga 900 fshatrat e shpërndarë në tan Greqinë ishin të njëjta, gjë që domethënë vërtetonte se kultura arbërore-arbanite-arvanite-shqiptare është e njëjtë kudo në Greqi. Dhe se ajo, bashkë me emrat e fshatrave, ishte njëlloj me kulturën shqiptare në trojet e tjera arbërore të Gadishullit Ilirik dhe arbëreshve në Italinë jugore e Siçili. Besa, miku, mikpritja, mirësia “bukë, kripë e zemër” janë të njëjta kudo ku ka arbër. Këtë nuk e mbulon as ndryshimi i 2/3 të emrave të fshatrave arbërorë në Greqi në emra jo-arbërorë dhe as dhuna policore e psikologjike e shtetit dhe kishës greke kundër vetëdijes e kujtesës kombtare arbërore-arvanitase.
Antonio Bellushi dhe Aristidh Kola e shkollarë të tjerë arvanitas u bënë si vëllezër me bashkëpunimin midis tyre. Arvanitasit dhe arbëreshët e jugut të Italisë kanë të njëjtën mënyrë të folmes së Shqipes. Një nga botimet e Antonio Bellushit është edhe libri “Arbërorët-arvanitë, një popull i padukshëm” posaçërisht për ta. Arvanitasit nuk mund të jenë pakicë në Greqi sepse ata janë vendas dhe pasardhës të arbërve të lashtë, edhe të Athinës apo Spartës së hershme. Shpjegimi i hyjnive në përrallat “greke” bëhet vetëm nëpërmjet gjuhës Shqipe ndërkohë që faltoret më të vjetra të Zë-usit gjendeshin në rajonin E Pirit. Një shembull domethënës është qyteza emërmadhe e Maratonës në lindje të Athinës. Afër saj është një varrezë përmendore me emrat e 192 arbërve të lashtë të rënë në betejën kundër persëve në vitin 490 p.e.s. Një nga ata emra ka mbiemrin Bellushi.
Antonio Bellushi krijoi bashkëpunim me arbëreshët kudo ku ndodhen në botë, qoftë në Argjentinë, Ukrainë, Bullgari, Kroaci, ShBA, Brazil, Uruguaj, Australi, Rumani, Zvicër, Gjermani apo Turqi. Ai qe i pranishëm në shtëpitë e tubimet shqiptare në Uindsor e Toronto të Kanadasë, në Detroit, Çikago, Boston, Filadelfia e Nju Jork të ShBA. Ai qe pjesë e lëvizjes së madhe kombtare botërore për largimin e pushtuesve serbë nga Dardania (Kosova, serb.) në fund të shekullit XX. Ai bashkëpunoi shumë me Jozef e Shirley Cloyes Dioguardin, Lidhjen Qytetare Shqiptare-Amerikane, dhe veprimtarët e ndryshëm kombtarë në ShBA, Europë, Australi, si dhe me udhëheqësit nga Prishtina.
Në Dardani ai qe për herë të parë në vitin 1970 kur mori pjesë në seminarin për gjuhën, letërsinë e kulturës shqiptare organizuar në Prishtinë. Në vitin 2003, ai bashkë me Robert Elsin vizituan varrezat e dëshmorëve në Prekaz të Drenicës. Vizita e tij më e fundit në Dardani ishte në Shtator 2018. Vizita e tij e parë në Tiranë qe në Shtator 1972 i ftuar nga Akademia e Shkencave për të marrë pjesë në Kuvendin Kulturor Ilir. Vizitën e dytë e kreu në Nëndor 1992 dhe në vitet 1993-2018 ka shkuar pothuaj çdo vit në Shqipëri. Tanimë edhe si qytetar shqiptar, ai mori pjesë në votimet e vitit 2015.
Ndriçimi e përparimi i shqiptarëve të kudondodhur u erdhi e u vjen nga rrënjët arbëreshe, si para 200 vjetësh ashtu edhe tani. Arbëreshët kanë nevojë për shkolla në gjuhën Shqipe ku mësimi në Shqip të jetë i detyrueshëm me ligj për të gjitha vitet e lëndët mësimore. Është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që në marrëveshje me Italinë, e cila e njeh me Kushtetutë bashkësinë kombtare arbëreshe, të organizohen për hapjen e mbajtjen shkollave Shqipe dhe dërgimin aty të mësuesve shqiptarë. Në paralel, është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që të kërkojë ndihmën që do i jepet për këtë gjë edhe nga Vatikani, sepse kishat ortodokse arbëreshe ku flitet e meshohet në Shqip janë pjesë e tij.
Përkujdesje për rrënjët arbëreshe domethënë pyll me lisa arbërorë të shëndetshëm kudo, sepse shpirti i Arbrit rron përjetë. Zëri i arbrit dëgjohet pa ndalim sepse kumbimi i tij nuk shuhet. Një rrënjë domethënë një gjak e cili domethënë një komb, një gjuhë, një besë.