“Historia nuk rishkruhet” ndërhyn jashtëligjshëm me pano në Bibliotekë

Një organizatë studentore, duke u munduar që nëpërmjet ekspozitës të bëjë thirrje për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, ka ndërhyrë në kundërshtim me ligjin në disa vlera të tjera. Në ato të trashëgimisë kulturore.
Ka vendosur gjashtë pano me mbishkrime e fotografi në ballë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Por pos organizatës, hise në këtë veprim që bien në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore ka edhe menaxhmenti i Bibliotekës. Në raste të tilla, për vendosje të materialeve reklamuese në asete të trashëgimisë kulturore duhet marrë pëlqim. Unioni Demokratik Studentor është mjaftuar me një pëlqim të menaxhmentit të BKK-së për të vendosur panot që kompletojnë ekspozitën “Historia nuk rishkruhet”.

Por kjo ndërhyrje në monument nuk u ka rënë në sy institucioneve të trashëgimisë kulturore, edhe pse bëhet fjalë për ekspozitë në muret e jashtme të njërit prej objekteve emblematike të kryeqytetit.

Edona Gashi-Derguti është drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Ajo ka thënë se nuk janë në dijeni për vendosjen e panove të hënën mbrëma. Gashi-Derguti ka thënë se nuk kanë pranuar kurrfarë kërkese për vendosjen e materialeve në hapësirat e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

“Janë në kundërshtim me ligjin. Duhet bërë kërkesë dhe të marrin rekomandim për vendosje ose jo”, ka thënë Gashi-Derguti. I është referuar Ligjit për trashëgimi kulturore që është në fuqi qysh prej vitit 2006.  Vendosja e materialeve reklamuese në monumentet arkitekturale, ndërtesat e asambleve ose brenda hapësirave konservuese arkitekturale bëhet me leje të shkruar nga institucioni kompetent”, shkruhet në pikën e 10-të të nenit të 6-të të këtij ligji. Gashi-Derguti ka paralajmëruar veprime institucionale.

“Të enjten do të dalim në terren dhe ta shohim gjendjen”, ka thënë ajo.

Imer Hakaj është drejtor i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore prej marsit të këtij viti. Inspektorati është i vendosur pikërisht në objektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Por shkaku i rasteve të konfirmuara me COVID-19, punonjësit nuk shkojnë në objektin e BKK-së. Njëjtë edhe stafi i Inspektoratit nuk i ka frekuentuar hapësirat e punës./koha