Ka vdekur në moshën 104-vjeçare në Paris, aktorja Olivia de Havilland, e cila ishte e mbijetuara e fundit e “Epokës së Artë” të Hollywoodit, shkruan BBC.
Roli i saj më i famshëm ishte i virtuozes Melanie në epiken “Gone with the Wind”.
Marrëdhënia e saj me motrën, aktoren Joan Fontaine, ishte burim i vazhdueshëm i spekulimeve nëpër mediume.
Olivia Mary de Havilland lindi në Tokio më 1 korrik të vitit 1916, fëmijë i juristit britanik Walter dhe aktores Lilian.
Motra e saj Joan lindi në vitin 1917. Të dy vajzat vuanin nga problemet bronkiale dhe nëna e saj shpërnguli familjen në Kaliforni në vitin 1919, në kërkim për një klimë më të përshtatshme, transmeton ‘koha.net’.
Babai Walter së shpejti i braktisi dhe u kthye në Tokio duke u martuar me një mirëmbajtëse japoneze.
Olivia de Havilland në Kalforni u fut në aktrim dhe ajo gjatë jetës fitoi dy herë Oscarin. Në vitin 1946 për rolin e saj në filmin “To Each His Own” dhe në vitin 1949 për rolin në filmin “The Heiress”.
De Havilland kishte luajtur në filmin Aventuristët të vitit 1970 me Bekim Fehmiun.