Basri Çapriqi vërtet ishte poet me ndjeshmëri për të bukurën e me dije të lartë për sekretet e artit letrar. Ai krijoi poezi me vlera të larta estetike. Ai mbetet një poet urban dhe postmodern, por edhe poet mitik shqiptar. Një kala e shqipes, në një cep të botës sonë shqiptare, në Ulqin.
Shkruan: Milazim Krasniqi
Kur të vdes një mik i mirë, të mbesin kujtimet. Por, kujtimet që të mbesin, bëhen të turbullta, të paplota, episode të shkëputura, si variacione poetike, jo si jetë e jetuar. Kujtimet e tilla përafrohen me poezinë dhe i ngjajnë më shumë fiksionit sesa realitetit. Për këtë arsye besoj se poezia ime kushtuar Basriut “Edhe kalatë bien” nuk duket se flet për një figurë reale, por duket si një figurë poetike, që e shpërfaq papajtueshmërinë, pra si një oksimoron.
Edhe ky tekst i shkurtër për Basriun dhe poezinë e tij e ka atë ngatërresë të realitetit me fiksionin, të kujtimeve me variacionet poetike. Kur bëhen bashkë miku dhe poeti në një përjetim, siç ndodhë në këtë rast, është e vështirë të mbash ekuilibrin e ligjërimit, mbase edhe të zërit. Megjithatë, po provoj ta bëj.
Me Basriun jemi njohur dhe jemi bërë miq falë poezisë, nga një orë letrare në Bibliotekën Kombëtare, kur ai ende ishte student. Pastaj vit pas viti u miqësuam, gjithnjë duke e pasur poezinë, si njëfarë fjalëkalimi që mundëson të hysh në një profil tjetër komunikimi. Poezia ishte kryetema, sepse ai kishte ardhur në Prishtinë si poet dhe në qytetin kaotik qetësisht ndihej poet, ashtu që në mesin e rinisë revolucionare të viteve të tetëdhjeta, pa qenë kundër, prapë sillej si poet. Ata që donin të miqësoheshin e të bashkëpunonin me të, duhej ta respektonin këtë fakt, siç ai vetë e respektonte stilin dhe lirinë e secilit.
Tash, nga kjo perspektivë e hidhur, kur ai nuk është më në mesin tonë, e kam më të qartë se edhe poezia e tij duhet të kuptohet brenda atij shpengimi, më saktë brenda asaj lirie personale të autorit të saj. Ai ka shkruar në hesap të vetin, pa u preokupuar me modën, me afirmimin, me përfitimin. E vetmja kornizë që e ka kufizuar lirinë e tij si poet ka qenë rruga e formimit, përkatësisht botëvështrimi estetik, kombëtar dhe njerëzor. Nëse e ndjekim evoluimin e këtij botëvështrimi, kemi më shumë gjasa ta kuptojmë autorin, i cili në rrëfimin kolokuial për veten, praktikisht, ishte person hermetik. Me këtë rrugë mund të zbërthejmë më lehtë edhe sekretet e poezisë tij, të cilat sado hermetike të duken, janë me komunikativitet më të lartë se sa vetë autori. Një gjë thjesht e pazakonshme.
Vëllimi i parë poetik i Basriut “Ulli me dymijë unaza” (1983) zbulon një botëvështrim disi peripatetik, pra, të njohjes e të përshkrimit të ambientit, në të cilin poeti jeton e formohet si poet. Pra, vëllimi i parë i tij, “Ulli me dymijë unaza” është përfshirë në vorbullën e hulumtimit të të vërtetave jetësore, historike e mitike, që i ka parë si të rëndësishme, si dhe shqiptimit të tyre në formën e vërtetësisë artistike. Ideja themelore, që u shqiptua në vëllimin e parë të tij ishte se ambienti jetësor e kombëtar ishin vlera sublime që participonin në integritetin shpirtëror të njeriut dhe që duhej të vëzhgoheshin e të vlerësoheshin. Në një ambient siç ishte Ulqini i viteve tetëdhjetë, i cili për një shekull i ishte ekspozuar projektit të deshqiptarizimit, fshirjes së kujtesës historike, kjo qasje për nxjerrjen e disa shenjave të jetës kombëtare nga amnezioni, estetikisht ishte pothuajse revolucionare.
Në fakt, Basriu nuk ka qenë revolucionar në asnjë drejtim, por ishte poet kërkues. Kjo shihet menjëherë në vëllimin pasues, “Në fund të verës” (1986), ku spikasin motive dhe tema që nuk kanë të bëjnë vetëm me vendlindjen, por edhe me botën mbarë. Fjala vjen, poezia “A vdiq humanizmi” e paralajmëronte qartë dhe ashpër fillimin e një procesi të shpërbërjes së atyre vlerave e rrjedhimisht edhe fillimin e preokupimit të këtij autori me nyjat e disekuilibreve emocionale e shpirtërore të njeriut shqiptar. Në vëllimin “Ma qet gjuhën” (1989) në kontekstin e të ndodhurave historike, në një cep krejt tjetër të hapësirës shqiptare, në Çamëri, ky preokupim kombëtar bëhet dramatik. Tash e tutje, shprishja e ambientit jetësor e kombëtar nuancohet si preokupim i vazhdueshëm intelektual e poetik i Basri Çapriqit.
Por, në vëllimin “Frutat bizare” Basriu e shqipton më radikalisht nivelin e stresit dhe të dramës personale. Kjo sigurisht lidhet me ndryshimin e botëvështrimit për jetën, në kohën kur autori po i afrohej moshës dyzetvjeçare, një moshë që është e njohur si pikë kthese në jetë për reflektim dhe rivlerësim të përvojës, për ndryshim të botëvështrimit. Kësodore, individi i shkëputur nga ambienti i vet jetësor e kulturor shket nëpër jetë, me identitet të deformuar e të përdhunuar. Poezia “Ikja”, që është në ballë të vëllimit, shpalos konfiguracionin e neurozës së individit me identitet të humbur në ambientin e huaj. Vargu i kësaj poezie është i ndërtuar ashtu që dalin të ngjizura çastet, idetë fikse (gjysmëvargu: ja tash është momenti), përshkrimet, gjestet, duke e krijuar të plotë idenë e stresit, të frikës dhe të humbjes së identitetit.
Poezia pasuese “Dhoma ime në Londër” e detajon edhe më tutje këtë rrezik depersonalizomi, përmasat e të cilit kanë arritur deri atje sa edhe gjymtyrët e trupit të duken të frikshme dhe që ikja, fshehja, të jetë e kotë, ngase procesi degjenerativ e bren integritetin e individit edhe nga brenda. Njeriu i tillë nuk mund ta zgjidhë dilemën se a është më mirë që, derisa të kthehet në Prishtinë, ta mashtrojë veten, duke e mbajtur simbolin e rojës së shtëpisë, pra mbajtjen e fijeve të jetës, të lidhura për traditën ose një revolver të rrejshëm, për t’u mbrojtur nga e panjohura, që është e barasvlershme me atë që është e huaj, si ambient, si mënyrë jetese dhe si mendësi, siç ndodhë te poezia me titull eksplicit “Frika.”
Vetmia skicohet si gjendje reale dhe psikike e rëndë, që kërkon shpëtim në klithmën “dritaren lëre hapur”, e cila përsëritet rrafsh 24 herë në 36 vargjet e poezisë me të njëjtin titull! Ndërsa, poezia “Dhoma ime në Ulqin” është një rikthim në ambientin e parë dhe në vlerat sublime të tij, ku rrezaton figura e nënës me përgjërimin dhe përkushtimin e përjetshëm.
Është evidente se në këto poezi kanë një denduri fjalët: dera, dritarja, muri, shkallët, kopshti, pasqyrat, që bëhen qendra kuptimore që e figurojnë më fort mallin për ambientin familjar. Kjo do të thotë se është shumë intensive prejardhja emocionale e disa imazheve.
Gjendjen stresuese e disekuilibrat e ndryshëm socialë, politikë e shpirtërorë, që ndodhin në ambientin që e ka fytyrën e atdheut, Basriu e ka shqiptuar në shumë vargje në vëllimin “Frutat bizare”. Çrregullimet morale dhe shoqërore, humbja e gjasave për ta gëzuar jetën dhe pendesa për krimin, vrujojnë nëpër vargjet e poezive: “Striptiz në Prishtinë”, “Vullneti i popullit”, “Vasha nga Lindja prostitutë në Romë”, “Portret gjaksi të falur” etj. Fenomenet sociale dhe politike të transformimeve të fundshekullit XX janë kontekstet tematike të këtyre poezive, mirëpo ato nuk janë përshkruar, nuk është dhënë ndonjë kronologji a faktografi e tyre, duke e evituar atë rrezik që e parasheh Teodor Adorno, kur thotë se ai që pledon për artin si fakt e shndërron artin dhe ideologjinë në një gjë të vetme. Pikat tragjike dhe absurde të këtyre fenomeneve sociale dhe politike janë vështruar të përthyera në shpirtin e subjekteve. Fjala vjen, drama e gjaksit, që i hiqet ndëshkimi moral për krimin e bërë, fillon tek detaji më i paparashikueshëm: atij për të dalë nga ngujimi, atij duhet t’i blihen këpucë, ndërsa ai nuk e di sa duhet të jetë numri i tyre! Distiku: një mijë vjet këpucë s’kishte mbathur/ sa s’plasi e tha: 1990 numri ta zëmë/ e krijon figurën e spirales tragjike të gjakmarrjes e të ngujimit dhe e kontekstualizon një pikë kohore që merr ta shënojë mbylljen e asaj spiraleje tragjike. Figura e gjaksit merr përmasa mitike, del nga humnera e mijëvjeçarit dhe e njëjtëson vitin e rifitimit të lirisë me numrin e këpucës. Është një prerje e fortë ndërmjet logjikës së ligjërimit të zakonshëm dhe logjikës së ligjërimit poetik, që i jep ngarkesë semantike dhe bukuri artistike kësaj poezie.
Basriu e ruan shprehjen poetike nga intonimi triumfalist dhe nga retorika vulgare, duke iu përmbajtur asaj që e ka thënë vetë për Shejmus Hinin: “Nuk ka forcë destruktive që e shtyn shkrimtarin fisnik të fjalës humane të militarizojë gjuhën si mjetin kryesor të ekzistimit të veprës artistike”.
Duke qenë poet dhe duke ndier si poet, Basriu ka qenë i preokupuar edhe me fatin e poetëve dhe iluminuesve të tjerë, që janë ushqyer rëndshëm me kotheret e moskuptimit dhe injorimit nga bashkatdhetarët e vet.. Poezitë “Lasgush Poradeci”, “Vdekja e poetit (Mirko Gashit)” dhe “Lindja e poetit (Ali Musajt)” janë shqiptime të dhimbjes për moskuptimin dhe mosvlerësimin ndaj ndriçuesve shpirtërorë. Është një ndërlidhje, një konstantë e moskuptimit.
Si për ta shpalosur edhe më fort këtë absurd, këtu janë përfshirë edhe poezitë “Punëtorët fizikë të komunales” dhe “Lëmi i argatëve”, ku mjerimi social, moskuptimet dhe padrejtësitë sociale rrotullohen si dhëmbëzorë të çrregulluar dhe me rrezikshmëri të lartë për fatet e shoqërisë dhe të kombit.
Në vëllimin “Frutat bizare”, po edhe poezitë e mëvonshme, Basriu vazhdon të inkuadrojë në tekstin poetik një leksik dhe një sintagmatikë që vjen nga fusha e disiplina të ndryshme të realitetit të sotëm, të cilat nostalgjikëve të poezisë së pastër mund t’u duken të ashpra, trup i huaj në poezi. Nga kjo pikëpamje ai është një poet me prirje të fortë urbane.
Bartjet e vargjeve në disa tekste poetike, që në planin sintaksor nganjëherë duken si proza poetike, e afirmon shumësinë e mundësive të leximit të tekstit, ballafaqimin dhe opozicionin e asociacioneve, si dhe virtuozitetin shprehës të gjuhës poetike. Përsëritja e fjalëve, gjysmëvargjeve ose edhe vargjeve, inkuadrimi i fjalëve të urta në kontekste semantike ironizuese, krijon një shtresë të veçantë intonative e semantike, duke nuancuar ligjërimin e duke e rritur mundësinë e shpalosjes së kuptimeve poetike. Një ekzemplar i veçantë dhe antologjik i këtij fahu është poezia “Sizifi”.
Basriu poet ishte nga fillimi e deri në fund kërkues i të vërtetave të përhershme të jetës kombëtare, personale e njerëzore dhe mjeshtër për kumtimin e tyre me një shprehje që e ka të mbrujtur në vete vërtetësinë artistike. Nganjëherë zbulimet e të vërtetave artistike të tij duken si të kishin qenë aty pranë syrit e mendjes sonë. Pikërisht ashtu siç thotë Lotmani: “Në tekstin e mirë çdo gjë perceptohet si të jetë krijuar ad hoc”.
Për një lexim më kreativ të poezisë së Basriut ia vlen të përqendrohemi në vëllimin e zgjedhur “Përkryerja e shiut”, botim i “Art Club” të Ulqinit në vitin 2013. Pse? Meqë përzgjedhja është e vetë autorit, mund të ndiqen nga afër jo vetëm evoluimi dhe oscilimi i botëvështrimit, por edhe i qëndrimit kritik të autorit ndaj poezisë së vet. Përgjithësisht, përzgjedhja ka synim përjetësimin e një hierarkie të vlerave, ndërsa kjo mund të jetë edhe në rastin e autopërzgjedhjes. Ndërkaq, në këtë përzgjedhje ndodhë një ndryshim i rendit kronologjik, një ndryshim i hierarkisë së poezive sipas motiveve e ideve, në favor të lojës stilistike dhe vlerave estetike. Pra, Basriu ka aspiruar drejt kompletimit të idealit të vet poetik, gjë që ndihet në këtë përzgjedhje.
Megjithatë, për një vlerësim final të vlerave të poezisë së tij, na duhet të presim botimin edhe të poezive që ka lënë në dorëshkrim. Ato mund ta forcojnë ose ta demantojnë këtë hipotezë tonën.
Mirëpo, edhe me këtë pamje që kemi për poezinë e Basriut, një vlerësim i sigurt mund të bëhet me këto fjalë: Basri Çapriqi vërtet ishte poet me ndjeshmëri për të bukurën e me dije të lartë për sekretet e artit letrar. Ai krijoi poezi me vlera të larta estetike. Ai mbetet një poet urban dhe postmodern, por edhe poet mitik shqiptar. Një kala e shqipes, në një cep të botës sonë shqiptare, në Ulqin. Një kala që nuk bie, derisa në këto vise t’i thuhet bukës bukë e ujit ujë. Kjo është fuqia e poezisë. Poezia është më qëndestare sesa vetë poetët. Kjo edhe na ngushëllon me këtë rast të kujtimit e nderimit për mikun e shtrenjtë dhe poetin e shënjuar, Basri Çapriqin.