Teksa shënohet 75-vjetori i shkatërrimit të qyteteve ku ata jetonin, burrat dhe gratë tashmë të plakur, që dëshmuan për bombardimet atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki, po përpiqen t’i bëjnë të qartë botës, tmerrin që shkaktojnë armët bërthamore.
Keiko Ogura ishte vetëm tetë vjeç, kur bomba bërthamore amerikane B-29, u hodh 16 kilometra në Hiroshimë, në orën 8:15 të mëngjesit, më 6 gusht të vitit 1945.
Rreth 80,000 nga 350,000 banorë të qytetit u vranë menjëherë; deri në fund të vitit, numri i vdekjeve do të rritej në 140,000, pasi të mbijetuarit patën lëndime ose sëmundje që ishin të lidhura me ekspozimin ndaj rrezatimit, sipas “The Guardian”.
Ogura, e cila po luante në oborrin e shtëpisë, në kohën kur forca e shpërthimit e tërhoqi nga këmbët dhe e rrëzoi pa vetëdije, është njëra nga të mbijetuarat, që synimin e jetës tanimë rrëfimin e historisë së saj. Ajo dhe të tjerë të mbijetuar shpresojnë, mes dëshpërimit, për një botë pa armë bërthamore.
“Babai tha, se nuk ndihej mirë atë mëngjes dhe më tha, të mos shkoja në shkollë,” – rrëfen ajo.
Shpërthimi rrëzoi kulmin e shtëpisë, ku ajo jetonte me prindrit dhe dy vëllezërit, duke shkatërruar pjesën më të madhe të banesës.
“Ishte errësirë dhe heshtje e madhe. Unë nuk dija se çfarë të bëja, përveçse të tkurresha ashtu e shtrirë në tokë. E vetmja gjë që mund të dëgjoja, ishte zëri i vëllait tim të vogël, duke qarë.”
Ndërsa ra mbrëmja, njerëzit që kishin qenë më afër shpërthimit një milje e gjysmë larg, filluan të mbërrinin në shtëpinë e tyre.
“Ata kishin fytyrë dhe flokë të djegura, ndërsa lëkura u varej. Nuk flisnin asnjë fjalë… vetëm rënkonin dhe kërkonin ujë.”
Ogura u dha ujin që e kishte marrë nga një pus aty pranë, por i pa e tmerruar që teksa pinë ujë, ranë përtokë të vdekur.
“Nuk e dija, se ishte e rrezikshme t’u jepja ujë në atë gjendje. Jam ndier fajtore shumë gjatë… për 10 vjet, më dukej se isha unë shkaktarja për vdekjen e tyre.”
Ogura është një prej 136,700 të mbijetuarve nga bombardimet atomike – nga Hiroshima dhe Nagasaki, përfshirë ata që ishin në barkun e nënës, në kohën kur ndodhi shpërthimi. Me një moshë mesatare pak më shumë se 83 vjeç, shumë prej tyre vuajnë nga sëmundje kronike të lidhura me ekspozimin ndaj rrezatimit. Më shumë se 300,000 të mbijetuar kanë vdekur që nga sulmet, përfshirë 9,254 në vitin e kaluar, sipas ministrisë së shëndetësisë, transmeton ‘konica.al.
“Në fillim, ishte vërtet e dhimbshme të kujtosh ato ditë”, – tha Ogura, e cila, nuk foli publikisht për përvojën e saj në 40 vjet.
“Por, do të doja që të rinjtë amerikanë të dinin se çfarë kishte bërë vendi i tyre. Nuk po i fajësoj ata për atë që ndodhi, thjesht, dua që ata të dinë faktet dhe të reflektojnë.”
Të mbijetuarit si Ogura, prej vitesh kanë ngritur zërin në Japoni dhe në botë, me shqetësimin për mungesën e përparimit të çështjes së çarmatimit bërthamor dhe i druhen një të ardhmeje pa dëshminë e bombardimeve, në Hiroshimë dhe Nagasaki.