Zhvillimi i tezës sonë mbi refuzimin estetik na shpie te raporti i njohur arti, apo estetika dhe politika.
Nga Ibrahim Rugova
Pak histori për kthjellim. Duke u nisur nga tradita letrare evropiane, pra nga antika greke, e në formë më doktrinare nga vepra Politeja (Qyteti, Shteti) e Platonit, do shohim më mirë historinë e raporteve, apo të konflikteve midis artit dhe politikës, apo pushtetit.
Etimologjia e fjalës Politikë vjen nga kuptimi i shtetit, si formë e pushtetit. Kështu, titullin e veprës së Platonit, herë e përkthejnë Shtet e herë Republikë me atë latine, në përkthimet moderne, pra me atë latine si res publica, si gjë publike, si çështje apo interes të përgjithshëm, thënë me terminologji më moderne. Dhe duke ia shtruar artin interesit të gjësë së përgjithshme, në praktikën dhe në teorinë estetike u ngritën raportet më të precizuara arti-politika, arti-ideologjia, apo estetika-politika në planin teorik e filozofik.
Pos në këtë vepër, ku Platoni e vënte artin në shkallë më të ulët të botës së ideve duke e lidhur me konceptin e mimesisit, ai këtë e bënte edhe në dialogun për Ijonin, ku poetin omonim endacak nuk e çmonte si njeri të mendjes, po më shumë të ndjenjës, të ekstazës dhe boheminë e tij e lidhte me veprën e tij, me recitimet e tij, pra me artin oral të tij. De facto Platoni e gjykonte artin e tij në bazë të sjelljeve të autorit, të Ijonit. Mendojmë se këtu zë fill përzierja e raportit autori-vepra, që në shoqërinë bashkëkohore mori forma të pazgjidhshme, deri në kohën tonë. Kështu lind gjykimi i veprave për shkak të autorëve apo i autorëve për shkak të veprave, pra çështja e gjykimit të krijuesit. Pastaj Horaci kërkon nga arti të ketë edhe të këndshmen e edhe të dobishmen, dulcei et utilei.
Çdo shoqëri kërkon idenë e vet, madje edhe artin e vet, po çdo shoqëri nuk mund të bëjë artin e vet, sepse arti krijohet në të gjitha shoqëritë apo sistemet, apo në të gjitha politikat. Mund të themi se çdo shoqëri ka politikën e vet, artin e vet jo, sepse arti është i të gjitha shoqërive, sepse ngrihet përmes refuzimit dhe aprovimit estetik që përmban në vete.
Në vazhdën e këtij argumenti historik, mesjeta me ideocentralizmin e saj religjioz, kryesisht përmes krishterimit e kufizoi zhvillimin e ideve dhe të mendimit të lirë, e madje toleroi vetëm atë tip të letërsisë që i përçonte idetë apo ideologjinë e saj, pra vetëm letërsinë religjioze dhe letërsinë kalorsiake. Dominonte utopia teiste pa përjashtim. Renesansa me decentralizimin e saj dhe me ringjalljen e kulturës antike e të gjuhëve dhe popujve të tjerë, pos latinitetit kristian, ngriti vetëdijen e kohëve moderne dhe çlirimin gradual të ideve dhe të artit në përgjithësi. Në frymën e Renesansës do shikuar edhe renesansën në kuptimin teologjik-reformën e Luterit. Thënë ndryshe Renesansa i ngriti në nivel kulturor gjuhët popullore në vetë vatrën e latinitetit, ku vepronte imperializmi i gjuhës latine dhe në viset e tjera të Evropës. Në këtë kohë të Renesansës dhe të reformave teologjike i kemi edhe veprat e para shqiptare nga Barleti dhe Buzuku dhe nga shkrimtarë të tjerë. Konflikti, apo mospajtimet midis artit dhe politikës vijuan edhe në shtetet borgjeze deri në kohën tonë dhe për këto të përmendim dënimin e veprës së Bodlerit për shkak të përmbajtjes së saj dhe zhdukjen misterioze të Emil Zolas, si duket për arsye të mbrojtjes së Drajfusit e raste të tjera. Në shoqërinë socialiste që u konsistuua pas Revolucionit të Tetorit (1917), me dëshirë që artin ta fusë nën kontrollin e vet sidomos në vitet ’30 në BRSS u zhdukën dhe u dënuan shumë vepra e shumë shkrimtarë. Në formë tjetër të platformës nacionale-naziste në Gjermaninë e Hitlerit u persekutuan shumë shkrimtarë, dijetarë e filozofë dhe u detyruan të largohen nga vendi. Le ta përkujtojmë Tomas Manin me këtë rast. Do përmenduar se edhe pas Luftës së Dytë në shumë vende socialiste u persekutuan autorë dhe u anatemuan vepra të ndryshme.
Në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare kemi raste të këtij konflikti. Kështu në shek.XVII Budi zhduket në mënyrë misterioze nga Vatikani, meqë kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke, si duket për popullaritetin e tij dhe për veprën që e bënte në gjuhë të vet. Është sinjifikativ edhe rasti i S.Frashërit, i cili nga fundi i shekullit të kaluar po sillte kulturën evropiane në Turqi, por kur e shkroi veprën, “Shqipëria ç’ka qënë…”, u mbyll në burg shtëpiak.
Këto të dhëna nga kultura jonë, flasin për konfliktin e intelektualëve shqiptarë me pushtetin pushtues. Në kohën e Monarkisë shqiptare të Zogut, intelektualët shqiptarë u ndeshën me pushtetin e brendshëm, pra të kombit të vet. Kështu një kohë u injoruan Çajupi, Asdreni, Grameno e të tjerë dhe në vitet ’30 kemi edhe viktimën e parë fizike të këtij pushteti, ekzekutimin me vdekje të intelektualit të ri Ismet Totos, për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen e Delvinës më 1937. Për këtë raport në kohën pas luftës e këndej nuk po flasim në kulturën shqiptare në përgjithësi, por pati raste të mospajtimeve ideologjike dhe estetike, e në Jugosllavi edhe vetëm për shkak të ngritjes së letërsisë shqiptare, e cila para luftës nuk mund të krijohej në gjuhën amtare.
*Shkëputur nga libri: “Teoria letrare”
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: