Festivali i filmit të animuar “Anibar”, i cili organizohet në Pejë, do të hapet të hënën nga ora 19:30. Ceremonia e hapjes do të transmetohet direkt në KTV dhe pas ceremonisë do të pasojë shfaqja e tre filmave të animuar që janë pjesë e programit zyrtar të edicionit të sivjetmë.
Ndryshe, Festivali do të mbahet deri më 23 gusht dhe sikurse edhe hapja do të gjejë forma alternative për të arritur deri tek adhuruesit e filmit të animuar gjithandej globit. 139 filma janë pjesë e programit të këtij edicioni, të cilët do të shfaqen përgjatë 7 ditëve përkatësisht nga 17 deri më 23 gusht.
Filmat janë ndarë në 7 kategori, ku 5 prej tyre janë kategori garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara për Videoklipin Muzikor të Animuar dhe Kategoria e Filmit për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa, 2 kategoritë e tjera të platformës së këtij viti janë: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
Në mesin e filmave të përzgjedhur nga “Anibar”, do të shfaqet edhe premiera botërore e “All Those Sensations in my Belly” e regjisorit Marko Djeska, film ky në Garën Ballkanike dhe në Kategorinë e të Drejtave të Njeriut.
Programi i larmishëm i filmave, që do të shfaqen gjatë muajit gusht janë përzgjedhur, nominuar ose shfaqur në një numër festivalesh të tjera siç janë: “Annecy International Animation Film Festival”, “The Academy Awards”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Sarajevo Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Ottawa International Animation Festival”, dhe shumë tjerë.
Ndryshe nga vitet e tjera sikurse po ndodh rëndom me ngjarjet kulturore edhe “Anibar”-in këtë vit mund ta ndjekim përmes platformave digjitale për të cilat mund të informoheni në ueb faqen dhe faqet zyrtare të festivalit nëpër media sociale./koha