Gjetjet arkeologjike që i përkasin periudhës helenistike janë zbuluar rastësisht në fshatin Turan të Tepelenës.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi zbulimin e një vendi arkeologjik ku janë gjetur objektet, si monedha, enë qeramike, kandilë etj.
Ministrja Margariti bën me dije se tashmë specialistët e IKTK kanë shkuar në terren për dokumentimin e gjetjeve si dhe transportimin e tyre.
“Gjatë punimeve me karakter bujqësor në fshatin Turan të Tepelenës janë zbuluar disa gjetje arkeologjike rastësore. Gjetjet arkeologjike lidhen me inventarin e një varri të periudhës Helenistike dhe përbëhen nga monedha, kandil qeramike si dhe enë ceremoniale prej qeramike. Është radha e studiuesve të thonë fjalën e tyre, për detaje të mëtejshme.
Specialistet e IKTK janë nisur në terren për të realizuar verifikimin në vend të situatës, dokumentimin e gjetjeve si dhe transportimin e tyre pranë ambienteve të IKTK. Ky proces do të realizohet në bashkëpunim me specialistë të DRTK Gjirokastër.
Njëkohësisht, specialistët do të përgatisin relacionin përkatës, i cili do të kalojë për shqyrtim dhe vendimmarrje pranë Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM). Procedurat e mëtejshme në lidhje me gjetjet do të përcaktohen nga KKTKM”, shkruan ministrja Margariti.