Kam lënë peng zemrën time aty
te një shtëpi e vjetër, e harruar,
rrethuar nga ndërtime te ra, të larta, shumë katëshe
babëzi biznesmenësh.
Saranda ime e peshkarexheve që niseshin herët në agim
Saranda e barba Gaqos,marinarit të vjetër me llullë në buzë.
Saranda e prindërve të mi dhe e fëmijve sarandjote
që më dalin shpesh në ëndrra…
Tani aty netëve bie shi yjesh…
Në mesditë, mbi syprinën e detit të smeraldë,
bien miljarda brilante pluskuese lartësish.
Saranda ime
Unë erdha te ty një mesnatë të çuditshme.…
Më prite me melodi vajtuese të buzuqeve greke.
Saranda ime, tani e huaj për mua.
E veshur si një prostitutë
e përlyer me lloj- lloj dritash vezulluese.
Saranda ime
e vjetër, e varfër dhe e braktisur,
kishe lindur përgjatë brigjeve Saranda të tjera.
Në atë mesnatë magjike unë kërkoja shtëpinë e vjetër të prindërve,
rrethuar nga ndërtesa të reja, të larta, shumëkatëshe
Nuk e gjeta dot strehezën e rinisë sime
Dëgjova vetëm zërin e mekur të nënës sime
Ikur nga kjo jetë 24 vite më parë,
zërin e saj të hollë e paskishte lënë te ty,
mall i braktisur.
Saranda ime
Hënëza ime e vjetër e zhytur në det.
Unë prap të dua, dhe kështu si je
e pikëzuar nga shiu i yjeve
e veshur si nje prositute me drita shumëngyrëshe
që zgjaten gjer te brigjet e Korfuzit mik.
Dhe kështu si je
plot zëra të huaj dhe këngë buzuqesh
unë prap të dua.
Nuk të harroj kurrë.
26 gusht 2020